Dita e Pavarësisë, seanca solemne, pritje shtetërore dhe homazhe
Manifestimet për shënimin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përfshijnë aktivitete të shumta të organizuara nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe komunat e Kosovës.
Në bazë të agjendës që ka publikuar Qeveria e Kosovës, sot (e enjte), në orën 15:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne. Më pas, duke filluar në orën 18:00, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa do të organizojnë pritje shtetërore në “Swiss Diamond Prishtina”. Ndërsa Baleti Kombëtar i Kosovës do të japë shfaqje në Teatrin Kombëtar në orën 20:00, shkruan “Epoka e re”.
Dita e shpalljes së Pavarësisë, 17 Shkurti, do të fillojë me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari në Prekaz. Koha e homazheve është paraparë të ndodhë në orën 9:00 deri në orën 11:00. Më pas, Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit në orën 11:00 do ta bëjë ndarjen e çmimeve letrare. Në orën 20:00 Ansambli “Shota” do të organizojë koncert në Teatrin Kombëtar. Për nder të përvjetorit të Pavarësisë, aktivitete do të ketë edhe më 18 shkurt. Këtë ditë, në orën 17:00, do të organizohet turneu tradicional për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në futsall në Pallatin e Rinisë.
Aktivitetet e komunave
Agjenda e manifestimeve për shënimin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës ka paraparë aktivitete për të gjitha komunat e Kosovës. Sipas kësaj agjende, nga 15 shkurti të gjitha komunat do të duhej t’i dekoronin me flamuj shtetërorë sheshet dhe rrugët e qyteteve, derisa nga data 15 ose 16 shkurt, ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do t’i kushtohet shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Nga 14 deri më 17 shkurt, po ashtu, shkollat mund të organizojnë ekspozita me punimet e nxënësve për përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa më 17 shkurt autoritetet komunale do të bëjnë vizita dhe do të vendosin kurora me lule në varrezat e dëshmorëve. Po ashtu, autoritetet komunale mund të bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve.
Në ditën e shpalljes së Pavarësisë, në orën 10:00, kuvendet komunale do të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar. Për ndër të kësaj dite, komunat mund të ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 9-vjetorit të Pavarësisë. Po ashtu, komunat mund të organizojnë manifestime të ndryshme sportive, kulturore dhe aktivitete të tjera komunale që mund të jenë specifike për secilën komunë në varësi të mundësive të tyre.
Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare konsiderohen datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Shpallja e Pavarësisë u bë sipas planit të Ahtisarit dhe në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë shteti i Kosovës u njoh nga fuqitë e mëdha demokratike. 9-vjetori i Pavarësisë, Kosovën e gjen të njohur nga 113 shtete dhe shumë organizata politike, kulturore dhe sportive.