Dita e dytë e protestës në Shqipëri
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i45346-dita_e_dytë_e_protestës_në_shqipëri
Në ditën e dytë të protestës demokratët në mbledhjen e grupit kanë vendosur të bojkotojnë parlamentin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 19, 2017 16:37 Europe/Tirane
  • Dita e dytë e protestës në Shqipëri

Në ditën e dytë të protestës demokratët në mbledhjen e grupit kanë vendosur të bojkotojnë parlamentin.

Nga çadra para kryeministrisë Enno Bozdo ka deklaruar se protesta është tubim qytetar dhe jo grevë urie, ndërsa për Edmond Spahon Parlamenti tashmë është zhvendosur në çadrën e lirisë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë punimet e parlamentit por të mos zhvillojë grevë urie në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit e cila u zhvillua për rreth një orë në ambientet e selisë blu. Sekretari Organizativ i PD-së, Enno Bozdo, tha se kjo protestë nuk është për grevë urie, por është një tubim qytetar. Po ashtu për vendimin foli edhe nënkryetari i grupit Edmond Spaho, i cili tha se tashmë parlamenti i vërtetë është në shesh, në çadrën e lirisë. Protestuesit kanë fjetur një natë në shesh, ndërsa bashkë me ta janë bashkuar edhe deputetë të së djathtës. E ndërsa demokratët po artikulojnë kërkesën për dorëheqje të qeverisë Rama, ky i fundit shprehet i vendosur jo vetëm për të mos u dorëhequr por dhe për të kërkuar një mandat të dytë në 18 qershor. Duke folur në komunikimin javor me ndjekësit në rrjete sociale, ai shprehu respekt për protestuesit, por tha se për qeverinë e tij nuk ka asnjë hap pas. Për Kryeministrin, qytetarët po përdoren nga opozita që ka frikë reformën në drejtësi dhe vettingun. Edi Rama theksoi: “Respekt për këdo që nuk na ka votuar dhe për këdo që doli dje në protestë, por asnjë hap mbrapa dhe asnjë lëkundje për përmbushjen deri në fund të detyrave tona për të ndërtuar përmes përmbushjes së këtij mandati themelet e një shteti modern”. Rama tha se edhe kauza e opozitës nuk qëndron sepse askush nuk është kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.