Snajperët do të ruajnë samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor
Ministri i Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Dragan Mektiq, ka thënë të mërkurën se vendi i mbajtjes së samitit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë do të jetë i tëri i mbuluar nga snajperët.
Ai ka theksuar se në këtë mënyrë askush dhe në një asnjë mënyrë nuk do të mund të rrezikojë sigurinë e takimit dhe të kryeministrit serb, Aleksandar Vuqiq. Kryesuesi i Këshillit të ministrave të BeH, Denis Zvizdiq tha se frika e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daqiq, se në samitin e Sarajevës, më 16 mars, mund të përsëritet situata e korrikut 2015, kur në Potoçare ishte sulmuar Vuçiq, është plotësisht e pabazë. Ndryshe, pjesëmarrjen në samitin në Sarajevë e kanë konfirmuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ai i Serbisë, Aleksandar Vuqiq, i Malit të Zi Dushko Markoviq, i Maqedonisë, Emil Dimitriev. Në samit do të marrë pjesë edhe komisari i BE-së për Politikë të fqinjësisë dhe zgjerimit, Johanes Hahn dhe përfaqësuesi i qeverisë italiane, e cila do të jetë nikoqire e samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, në korrik të këtij viti. Në fokus të bisedimeve në samitin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor do të jenë projektet rajonale dhe ndërlidhja në infrastrukturën energjetike dhe transportit, si dhe shkëmbimet ekonomike.