Serbët zgjedhin nesër Presidentin e ri, favorit Aleksandër Vuçiç
Rreth 6.7 milionë votues serbë do t’u drejtohen nesër kutive të votimit për zgjedhje presidenciale, të cilat kanë potencialin të jenë më të çrregulltat në historinë e këtij vendi.
Si një test për popullaritetin e Kryeministrit Aleksandër Vuçiç, zgjedhjet do jenë një përballje e këtij ish-ultranacionalisti, të shndërruar në mbështetës i BE-së, me 10 kandidatë të tjerë nga opozita e fragmentuar. Mbështetja për Vuçiç është në nivelin rreth 50% dhe nëse ai fiton mbi gjysmat e votave nesër, ai do të shmangë një rivotim pas një muaji, ku opozita mund të arrijë një koalicion me një kandidat të vetëm. Kritikët e tij paralajmërojnë se Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë të Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar Vuçiç për baltosje të kandidatëve, për kontroll të mediave dhe për frikësim të votuesve. Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat. Partia e tij Progresive Serbe në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj. Megjithëse shumica e analistëve thonë se tashmë triumfi i zotit Vuçiç është i paracaktuar dhe debati rrotullohet vetëm rreth pikëve mbi 50% që i duhet atij për fitoren, shumë votues ngrenë pikëpyetje rreth aktiviteteve të fushatës që shërbejnë si tregues për një proces zgjedhor të manipuluar. Vuçiç gëzon një avantazh të fortë për shkak të mbështetjes së Partisë së tij Progresive Serbe dhe partive të koalicionit, ndër to edhe Partia Socialiste Serbe dhe Partia Social Demokrate. Asnjë kandidat tjetër nuk gëzon mbështetje të tillë nga partitë kryesore serbe dhe madje disa prej kandidatëve nuk kanë asnjë parti që t’i mbështesë. Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, do të organizojë zgjedhjet presidenciale të Serbisë në Kosovë, nëpërmjet operacionit të quajtur “grumbullimi i votave”. Në një njoftim të së premtes, kjo organizatë tha se me kërkesë të Beogradit dhe miratim të qeverisë së Kosovës, do t’u mundësojë qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale të Serbisë që mbahen nesër. OSBE-ja planifikon të hapë katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, siç u veprua për zgjedhjet e kaluara. Misioni i OSBE-së thotë se do të jetë bartës i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE do t’i mbartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor. Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike, të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Zgjedhjet e së dielës në Serbi shihen si sprovë për politikat e kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç që ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për integrimet evropiane dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë.