Protestuesit në Serbi thyejnë frikën
Protestat e studentëve "kundër diktaturës" në Serbi janë futur në javën e katërt. Po cilat janë rezultatet? Asnjëra prej këtyre protestave nuk ka rezultuar me plotësimin e kushteve të paraqitura. Por një vit prej fillimit të protestave kundër shembjes së dyqaneve dhe qendrave tregtare në rrugën Hercegovaçka dhe katër javë nga fillimi i protestave kundër "manipulimit të zgjedhjeve", mentaliteti në Serbi ka ndryshuar.
Suksesi më i madh, siç thonë bashkëbiseduesit e DW, është që njerëzit nuk kanë më frikë, sepse frika e kishte kapluar të gjithë shoqërinë. „E kemi zbuluar një mashtrim megaloman, që ka për qëllim shpenzimin e parave të buxhetit", thotë për DW, Radomir Lazoviq nga iniciativa „Nuk e japim Beogradin". „Shumë gjëra kanë dalë në sipërfaqe pas rrënimeve të fundit. Tani shihet se i tërë mekanizmi i shtetit është përfshirë në mbulimin e manipulimeve dhe krimeve, për të ruajtur pushtetin", thotë Lazoviq. Suksesi indirekt matet pikërisht me ndërgjegjësimin e njerëzve, thotë Maja Vasiq, e cila ka marrë pjesë aktive në demonstratat e viteve 1996/97. Ndërsa ata të cilët kanë protestuar në vitin '68 thonë se energjia e rrugëve ishte akumuluar gjatë protestave që kanë zgjatur një vit - kur njerëzit kishin filluar të besojnë se gjërat mund të ndryshojnë. "Pushteti po ndihet gjithnjë e më i pasigurt. Ata e kanë kuptuar se edhe nëse flet 100 herë një gënjeshtër, nuk do të thotë se ajo do të bëhet e vërtetë. Asnjë nga rrenat e tyre nuk është pranuar", thotë profesorja në pension Srbijanka Turajliq. Por numri i njerëzve në protesta nuk paraqet mllefin real në shoqëri, mendon Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajone. Edhe ai megjithatë beson se laku rreth pushtetit të Aleksandar Vuçiqit po shtrëngohet. Përkundër hetimeve të parreshtura të policisë sekrete kundër organizatorëve, në popull shihet rritja e pakënaqësisë dhe lirimi nga frika. „Në vitet 90-të kemi pasur në pushtet një njeri, i cili e ka urryer popullin e vet, që ka sunduar me dhunë dhe nuk është interesuar fare për mendimin e të tjerëve. Tani kemi një situatë krejt tjetër, sepse lideri i tanishëm dëshiron që populli ta dojë ndaj kritikat i merr shumë personalisht", thotë Popov. Por mendimi i Vuçiqit mund të ndryshojë nëse krijohet masa kritike në rrugë, sikur në kohën e Millosheviqit. Vuçiqi konsiderohet tani si një faktor stabiliteti në rajon. Por nëse gjatë protestave cenohet dhe rrënohet autoriteti i tij si "paçebërës", me siguri që mund të pritet edhe përdorimi prej pushtetit i masave të tjera.