Rusia nëpërmjet Serbisë synon Ballkanin?
Rusia dhe Serbia konfirmuan interesin e përbashkët për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake, tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, pas takimit në Moskë me homologun serb, Zoran Gjorgjeviq.
Shoigu tha se Moska e sheh Beogradin si partner të besueshëm, i cili mbron parimet themelore të sigurisë ndërkombëtare. “Për fat të keq, bota nuk po bëhet vend më i qetë dhe më i qëndrueshëm. Ngjarjet në dekadën e fundit, që lidhen me revolucione shumëngjyrëshe, pushtime të ndryshme dhe përmbysje me dhunë të udhëheqësve të shtetit, nuk sjellin asgjë të mirë”, tha Shoigu. Ai po ashtu tha se fitorja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi e forcon besimin e Rusisë në marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve. Bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Serbisë shihet me dyshim nga disa vende të Ballkanit e sidomos nga Kroacia dhe Shqipëria, por gjithashtu marrëdhëniet ushtarake Moskë-Beograd nuk shihen me sy të mirë edhe nga Aleanca Ushtarake Veri-Atlantike, NATO. Gjatë muajit mars 2017, presidenti rus Vladimir Putin i ka premtuar Serbisë ofrimin e dhjetëra avionëve luftarakë dhe tanke nga rezervat e forcave të saj të armatosura. Siç deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, Serbia nuk duhet të paguajë asgjë për 29 aeroplanët luftarakë MiG-29, 30 tanke luftimi T-72, si dhe 30 automjete të blinduara të BRDM-2. “Presidenti i Federatës Ruse ka thënë se do të nënshkruajë dekretin për lirimin (dërgesën e armëve), dhe kur kjo të bëhet, ne do të veprojmë në përputhje me rrethanat”, deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Gjorgjeviq. Marrëveshja u arrit gjatë një vizite të ish kryeministrit dhe presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq në Moskë. Por, analistët theksojnë se pa asnjë kosto nuk është as Serbia, pasi Gjorgjeviq ka njoftuar një “modernizim të plotë dhe riparim” të sistemit të armatimit. Dhe ky modernizim do të bëhet nga teknikët rusë. Ekspertët vlerësojnë se vetëm përpunimi i avionëve luftarakë do t’i kushtojë Serbisë rreth 200 milionë euro. Serbia dëshiron të bashkohet me BE-në. Por vendi ballkanik merr një furnizim me pajisje ushtarake me shumicë nga pronat e rezervave ruse, pa paguar për to. Me këtë marrëveshje, Kremlini dëshiron të arrijë një qëllim që është shtrirja e ndikimit rus në mbarë rajonin strategjik të Ballkanit dhe pengimi i anëtarësimit të vendeve të tjera ballkanike në NATO. Serbia është në negociatat e pranimit në BE, por edhe mban marrëdhënie tradicionalisht të ngushta me Rusinë. Moska dëshiron të arrijë mbi të gjitha që Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit të mos i bashkohen NATO-s. Synimet e Rusisë për të shfrytëzuar Serbinë si trampolinë për shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan, kanë alarmuar vendet e tjera të Ballkanit, e në veçanti Kroacinë dhe Shqipërinë që janë shtete anëtare të NATO-s. Kroacia ka shpejtuar për të blerë armatime amerikane për të mos mbetur pas Serbisë në rivalitetin ushtarak, ndërsa Shqipëria është duke modernizuar me shpejtësi forcat e saj të armatosura duke përfituar edhe nga ndihmat ushtarake të SHBA dhe Turqisë, por edhe të Italisë. Duket se përsëri rajoni i Ballkanit është kthyer në arenë rivaliteti mes fuqive të mëdha si SHBA dhe Rusia, të cilat për realizimin e interesave të tyre nuk ngurrojnë të shfrytëzojnë popujt e përvuajtur e të drobitur nga krizat në këtë rajon. SHBA dhe Rusia, në vend të ndihmave ushtarake për vendet e Ballkanit, bëjnë më mirë të ndjekin shembullin e Kinës, e cila i ka kuptuar nevojat e vërteta të shteteve ballkanike dhe ka filluar një proces të fuqishëm investimi në këtë rajon që konsiderohet porta e hyrjes drejt Europës.