Hahn: Dënoj me fjalët më të rënda dhunën në Maqedoni
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i49800-hahn_dënoj_me_fjalët_më_të_rënda_dhunën_në_maqedoni
Komisari Johannes Hahn përmes një postimi në Twitter ka dënuar dhunën mbi deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 27, 2017 16:49 Europe/Tirane
  • Hahn: Dënoj me fjalët më të rënda dhunën në Maqedoni

Komisari Johannes Hahn përmes një postimi në Twitter ka dënuar dhunën mbi deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.

“Dënoj sulmet mbi deputetët në Parlament në Shkup me fjalët më të ashpra. Dhuna nuk ka vend në Parlament. Demokracia duhet të vazhdojë në rrugën e saj”, shkruan Hahn. Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë me një njoftim për mediat ka treguar se sa deputetë janë lënduar deri tani nga kjo parti. Nga kjo parti njoftojnë se janë lënduar 15 deputetë të cilët presin që t’i largojnë nga ngujimi. Ish-kryeministri i Maqedonisë dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski ka bërë thirrje për qetësim të situatës. ”Dhuna nuk është zgjidhje, duhet të qetësohen gjakrat. Bëj thirrje për qetësim të qytetarëve. Populli të mos bie pre e provokimeve të LSDM-së dhe atyre që e çojnë shtetin në krizë. OBRM-PDUKM ju bën thirrje LSDM-së që të heqin dorë për dhunës.” shkruan Gruevski. Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar në Maqedoni pas votimit të kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi. ”Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambientet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve. Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm. Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit. Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni”, deklaroi z. Bushati.