Vazhdojnë reagimet ndaj zhvillimeve tronditëse në Maqedoni
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i49848-vazhdojnë_reagimet_ndaj_zhvillimeve_tronditëse_në_maqedoni
Kreu i opozitës maqedonase, i cili pritet të marrë frerët e ekzekutivit, Zoran Zaev refuzoi thirrjen e presidentit Ivanov për bisedime urgjente mes udhëheqësve partiakë këtë të premte, vetëm pak orë pasi demonstrues nacionalistë, mbështetës të partisë konservatore të Nikola Gruevskit, pushtuan Parlamentin dhe sulmuan e gjakosën ligjvënësit e opozitës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 28, 2017 15:03 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë reagimet ndaj zhvillimeve tronditëse në Maqedoni

Kreu i opozitës maqedonase, i cili pritet të marrë frerët e ekzekutivit, Zoran Zaev refuzoi thirrjen e presidentit Ivanov për bisedime urgjente mes udhëheqësve partiakë këtë të premte, vetëm pak orë pasi demonstrues nacionalistë, mbështetës të partisë konservatore të Nikola Gruevskit, pushtuan Parlamentin dhe sulmuan e gjakosën ligjvënësit e opozitës.

Një zyrtar i Partisë Social-Demokratike të Maqedonisë i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se udhëheqësi i partisë, Zoran Zaev nuk do të shkonte në bisedime. Zyrtari, i cili nuk dha detaje të mëtejshme, foli në kushtet e anonimatit për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste për mediet. Policia njoftoi se 102 persona u plagosën gjatë dhunës që shpërtheu mbrëmjen e së enjtes brenda dhe jashtë Parlamentit, vetëm pak pasi u zgjodh kryeparlamentari i ri i Maqedonisë, i pari shqiptar në këtë pozicion, Talat Xhaferi. Zaev ishte mes viktimave, sikurse edhe kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, si dhe 22 oficerë policie. Duke folur në një konferencë për shtyp në Shkup, Zaev e përshkroi sulmin ndaj tij, që e la të gjakosur pas një çarjeje në pjesën e përparme të kokës, si një “tentativë për vrasje”. Zaev akuzoi ish-kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe presidentin Gjorge Ivanov, se provokuan dhunën dhe tha se ata të dy ishin të përgatitur për të “sakrifikuar interesat shtetërore” për interesat e tyre personale. Maqedonia, e cila fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, gjendet në krizë të thellë politike prej mbi dy vitesh, kur u zbulua i ashtuquajturi skandal i përgjimeve. Ndërkohë, zgjedhjet e dhjetorit që nuk sollën një fitues të qartë, komplikuan edhe më tej llogaritë për pushtet. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën e së enjtes, ndërkohë që njohën kreun e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin, nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, duke thënë se do të punojnë së bashku me të. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm mbi anëtarët e Kuvendit të Maqedonisë, duke thënë se dhuna nuk ka vend në ndonjë Kuvend. Ai u bëri thirrje të gjithë veprimtarëve politik që të tregojnë maturi, përmbajtje dhe respekt për proceset demokratike, duke shtuar se dialogu politik është rruga e vetme e arsyeshme dhe e përshtatshme për të ecur përpara dhe që është në të mirë të qytetarëve të vendit. Në reagimin e tij, Stolbtenberg vlerëson se është bërë një hap pozitiv me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit në rrugën për të zgjidhur krizën politike dhe bëri thirrje që procesi demokratik të respektohet. Edhe Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë. MPJ e Rusisë shpreh shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit në Maqedoni, duke vlerësuar se opozita, siç thonë, që i humbi zgjedhjet, thjeshtë tentoi që të merr pushtetin, duke zgjedhur Kryetarin e Kuvendit përmes forcës përmes shkeljes së rregullores. MPJ-ja ruse vlerëson se me përshëndetjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit nga ana e BE-së dhe SHBA-ve, kuptohet se çdo gjë ka qenë e përgatitur që më parë. MPJ-ja konsideron se këto veprime, sipas tyre, konfirmojnë ndërhyrjen e jashtme në çështjet e brendshme të Maqedonisë. Ndërkohë sot, Zaev tha se pret nga kryeparlamentari i ri Xhaferi t’i kërkojë presidentit Ivanov dhënien e mandatit për formimin e qeverisë kreut të LSDM-së, Zaev, brenda ditëve të ardhshme.