Gjithçka rreth koalicionit PDK-AAK-NISMA
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i51062-gjithçka_rreth_koalicionit_pdk_aak_nisma
Haradinaj, mandatar për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA. Kështu u tha në një konferencë të jashtëzakonshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
May 17, 2017 06:05 Europe/Tirane
  • Gjithçka rreth koalicionit PDK-AAK-NISMA

Haradinaj, mandatar për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA. Kështu u tha në një konferencë të jashtëzakonshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Pa asnjë dyshim koalicioni që kemi arritur sot do të jetë koalicion fitues i zgjedhjeve”, ka thënë Muharrem Nitaj nga AAK. Sipas tij, edhe numri i deputetëve do të jetë i barabartë 55 do t’i ketë PDK kurse 55 do t’i kenë AAK dhe NISMA.  Është momenti i duhur që kryeministër i Kosovës të jetë Ramush Haradinaj. Prandaj është një zgjidhje e duhur për zhvillimet e reja që na presin”, ka thënë Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së. 

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, gjatë një konference për medie nga selia e kësaj partie, ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë udhëheqës që nuk luftojnë vetëm për të mirën personale, por që sjellin zhvillim në vend.

Hoxhaj ka thënë se lideri i PDK-së, Kadri Veseli, e ka ftuar Ramush Haradinajn nga AAK-ja ta udhëheqë ‘Fillimin e ri’. “Qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë vend udhëheqës që mund ta udhëheqë vendin me guxim, që të krijojnë vende pune, udhëheqës që sjellin zhvillim ekonomik menjëherë. Kjo është arsyeja përse Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj janë bashkuar. Së bashku do të jetësojmë fillimin e ri për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj. Nga koalicioni PDK-AAK-Nisma i nominuar për kryeministër është Ramush Haradinaj, ndërsa lideri i PDK-së Kadri Veseli është prijës i listës.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka rikonfirmuar mbështetjen e partisë së tij për kandidaturën e Ramush Haradinajt për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Sherifi në konferencën e jashtëzakonshme për media ka thënë se ky bashkëpunim nuk ishte menduar në kohën kur ishte nisur mocioni.

Ai ka konfirmuar edhe njëherë se Haradinaj kandidon për kryeministër, ndërsa lideri i PDK-së, Kadri Veseli, është prijës i listës. “Nisma që nga fillimi i koalicionit me AAK-në ka mbështetur Haradinajn për kryeministër. Pas disa zhvillimeve të mbrëmjes, Nisma ka vendosur të mbështesë Haradinajn. Nisma vazhdon të jetë aty ku ka qenë në mbështetje të Haradinajt”, ka thënë Sherifi.

Ai ka konfirmuar se nëse ky koalicion qeveris me vendin një zëvendëskryeministër do të jetë nga Nisma. “Nga marrëveshja është marrë vesh që kryeministër të jetë Haradinaj, dhe bartës i listës të jetë Veseli, zëvendëskryeministri të jetë i Nismës dhe PDK-ja të mos nxjerrë kandidat në bastionin e Nismës në Malishevë”, ka thënë Sherifi.

Ndërkohë Bajram Gecaj i LDK-së duke komentuar lidhjen e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA, thotë se këto tri parti i ka bashkuar frika nga ndëshkimi. Sipas Gecajt, të gjithë ata të cilët dje tradhtuan kauzën e përbashkët ë LAN (LVAN), për hir të kolltukëve individualë,  tradhtuan edhe elektoratin e tyre për të njëjtën.

Postimi i Gecajt në Facebook:

"I bashkoj frika nga ndëshkimi. Ranë maskat: marksistët-leninistët (LPK-istët) u ribashkuan Ata të cilët dje tradhtuan kauzën e përbashkët në LAN (LVAN), për hir të kolltukëve individualë, sot tradhtuan edhe elektoratin e tyre për të njëjtën. Proletarë të bashkuar, këtë herë qytetari përfundimisht do tu japë fytyrës atë grushtin tuaj komunist e t’ju hedh në grumbullin e plehrave të historisë, atje ku u dërgua i tërë komunizmi evropian në fillimin e viteve nëntëdhjeta. Veprimet tona të fundit domethënëse, dinjitoze e kualitative, si dhe bashkimi i forcave progresive kundër atyre te territ, duket tu ketë futur seriozisht frikën në palcë keqbërëseve të uritur për rikthim të pushtetit të krimit. Bashkimi i forcave të errëta nuk ju shpëton dot jo. Do të mbeteni përfundimisht relikt i historisë".