Parlamenti i jep votëbesimin qeverisë së re të Maqedonisë
Vetëm pak minuta përpara skadimit të afatit kushtetues, Parlamenti i Maqedonisë ka zyrtarizuar qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga Zoran Zaev.
Ashtu sikurse pritej, kabineti Zaev mori mbështetjen e 62 deputetëve të koalicionit, u kundërshtua nga pëfaqësuesit e VMRO DPMNE, teksa Lëvizja BESA preferoi që të qëndronte neutrale duke abstenuar në votim. Pritshmërinë mbi qeverinë e re janë shumë të mëdha, teksa me interes do të ndiqet edhe zbatimi i marrëveshjes që social-demokratët kanë arritur me partitë shqiptare. Me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenime, Parlamenti i Maqedonisë i ka dhënë dritën jeshile formimit të qeverisë së re, me në krye, Kryeministrin Zoran Zaev. Ashtu sikurse pritej, të 62-votat e koalicionit të formuar mes LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët shkuan në favor të kabinetit Zaev, 44 vota kundër erdhën nga VMRO-DPMNE, ndërkohë që një pozicion neutral preferuan të mbajnë 5 deputetët e Lëvizjes BESA. Përfaqësuesit e kësaj force politike më herët kishin zhvilluar bisedime me social-demokratët në lidhje me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, por nuk mundën të gjejnë gjuhën e përbashkët. Pas votimit në Parlament, Kryeministri i ri Zoran Zaev, mbajti një deklaratë për mediat ku listoi edhe njëherë prioritetet e qeverisë që do të drejtohet prej tij. Ai theksoi rëndësinë e vijimit të reformave, zhvillimit të ekonomisë si dhe bërjen përpara në proçeset e integrimit në organizmat ndërkombëtare. Gjithashtu, sipas Zaev, e rëndësishme është që me qeverisjen e re të ndihen të përfaqësuar të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Në kabinetin e ri, dy partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit do të kenë gjashtë poste ministrore dhe dy zv. Kryeminsitra. Gjithashtu, në bazë të akordit të arritur mes palëve, punimet në sallën legjislative do të drejtohen nga kryetari, Talat Xhaferi. Pritshmëritë nga qeveria Zaev janë mjaft të mëdha, teksa mision i kabinetit të tij do të jetë tejkalimi i një ngërçi disa vjeçar politik si dhe shtyrja përpara e axhendës së integrimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu, me interes do të vërehen hapat e mëtejshëm për zbatimin e marrëveshjes që është arritur me partitë shqiptare. Krijimi i qeverisë së re të Maqedonisë u mirëprit nga krerët e BE dhe të NATO-s, të cilët shpresojnë për zgjidhjen përfundimtare të krizës politike në këtë vend. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe eurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, e kanë përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë. Mogherini dhe Hahn porositën se presin që Kryeministri Zaev dhe opozita do të përgatitin një agjendë reformuese që do të jetë në të mirë të vendit. Përfaqësuesit e BE-së presin zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat urgjente, duke u bërë thirrje partive që t’i lënë anash ndasitë dhe së bashku ta kthejnë vendin në rrugën e integrimeve europiane. Përmes një kumtese dërguar opinionit publik, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se ka folur në telefon me Kryeministrin e ri të Maqedonisë, Zoran Zaev. Stoltenberg bën të ditur se kanë ra në ujdi për rëndësinë e adresimit të reformave urgjente të nevojshme, përfshirë qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Sipas tij, këto reforma do të jenë në të mirë të qytetarëve të vendit dhe do ta lëvizin përpara aspiratën për euro-integrime.