Acarohen marrëdhëniet Athinë-Shkup
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i57354-acarohen_marrëdhëniet_athinë_shkup
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë janë acaruar përsëri, pas një incidenti, të cilin Athina zyrtare e ka konsideruar si diplomatik dhe provokues.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 17, 2017 12:36 Europe/Tirane
  • Acarohen marrëdhëniet Athinë-Shkup

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë janë acaruar përsëri, pas një incidenti, të cilin Athina zyrtare e ka konsideruar si diplomatik dhe provokues.

Ngjarja ka ndodhur në Toronto të Kanadasë, kur konsulli i përgjithshëm i FYROM është shfaqur në një eveniment, duke pasur në sfond një hartë të Ish Republikës Jugosllave, me të ashtuquajturën “Maqedonia e Madhe ", me yllin e Vergjinës, ku përfshihen  edhe  territore greke, gjithë rajoni i Halkidhikisë, si dhe Greqia e Veriut deri në Larisa. Përveç këtij fakti, siç thekson Ministria e jashtme greke, në një notë proteste që ajo i ka dërguar Shkupit, konsulli Jovica Palashevksi ka bërë thirrje me karakter irredenist. “Denoncojmë pjesëmarrjen e Konsullit te Përgjithshëm të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në Toronto, në këtë eveniment irredentist, me anë të të cilit, Shkupi ka shkelur sërish Marrëveshjen e Përkohshme, e cila kërkon në mënyrë të qartë shmangien nga çdo akt me pretendime territoriale”, nënvizon midis të tjerash Ministria e Jashtme greke.  Sipas Athinës ,qeveria e re e Shkupit deklaron se kërkon një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, por megjithë ndryshimin e politikanëve, duket se irredentizmi është ende ideologjia dominuese shtetërore dhe praktika e përditshme politike në vendin fqinj.  Gjithashtu, Ministria e Jashtme greke, në notën e protestës drejtuar qeverisë Zaev, kërkon braktisjen e këtij fenomeni, respektimin e  kufijve dhe të parimeve të fqinjësisë së mire, si kushte  për suksesin e aspiratave euro-atlantike të Maqedonisë.