Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi dhe Vuçiç takim miqësor
(last modified Thu, 31 Aug 2017 18:10:44 GMT )
Gusht 31, 2017 20:10 Europe/Tirane
  • Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi dhe Vuçiç takim miqësor

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini po ndërmjetëson në Bruksel takimin e radhës mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç ka publikuar në profilin e saj në Twitter dy fotografi të liderëve kosovar e serb me Mogherinin. Ajo tha më herët se dy Presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Thaçi dhe Vuçiç u takuan më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike. Presidenti kosovar tha atëherë se periudha e re do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve e dy popujve dhe do të mbyllte kapitullin e errët të së kaluarës, për të hapur të ardhmen e sigurt evropiane. I përballur me kritika në shtëpi, Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do të angazhohet për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë. Homologu i tij serb Vuçiç kishte thënë se duhen biseda më serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptar. Në fund të muajit korrik, Vuçiç paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi, ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, që janë hedhur poshtë nga Prishtina.

 

Tags