Festa e Kurban Bajramit: Falet Namazi në sheshin “Skënderbej”
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i58240-festa_e_kurban_bajramit_falet_namazi_në_sheshin_skënderbej
Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën që në orët e para të së premtes në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin e festës së Kurban Bajramit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 01, 2017 13:47 Europe/Tirane
  • Festa e Kurban Bajramit: Falet Namazi në sheshin “Skënderbej”

Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën që në orët e para të së premtes në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin e festës së Kurban Bajramit.

Përpara besimtarëve, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, bëri thirrje për më shumë dashuri dhe solidaritet mes njëri-tjetrit: "Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi dhe as gjaku i kurbanit, por përkushtimi që kemi për të. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin dhe duke ndarë mishin e Kurbanit me njerëzit në nevojë, jemi më afër pëlqimit të Zotit".Ndërsa për Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, kjo festë ka një rëndësi shumë të madhe në këto kohë: "Një nga ditët e madhërimit të Zotit, por jo të atij falsifikimit që përcillet në media, siç janë vrasjet dhe masakrimet duke thirrur "Allahu ekber". E kundërta, Zoti është më i madhi në pushtetin absolut dhe në demonstrimin e drejtësisë së tij me njeriun në sipërfaqen e Tokës".Në këtë ditë, besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë. E për t’ju përmbajtur kësaj fryme solidariteti, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur që drekën e Kurban Bajramit ta shtrojë për të moshuarit që jetojnë në azilin e pleqve në Tiranë.