Serbia kundërshton kërkesën e SHBA
Serbia ka kundërshtuar thirrjet nga Shtetet e Bashkuara për të zgjedhur mes marrëdhënieve me Rusinë ose Perëndimin, duke thënë se Beogradi preferon të mbajë lidhje të balancuara me Rusinë, Kinën dhe Perëndimin në të njëjtën kohë.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha të enjten se vendi i tij do të vepronte bazuar në "atë që është në interesin tonë më të mirë". "Ajo që nuk duam është që dikush të tërheqë karrigen tonë nga ne ... ajo që është e rëndësishme është të shohim se çfarë është në interesin tonë më të mirë", tha Daçiç për Reuters. Ai i bëri këto deklarata në përgjigje të thirrjeve të bëra më parë këtë muaj nga një diplomat i lartë amerikan, i cili tha se Serbia "nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë". "Vendet duhet të zgjedhin rrugën për të ndjekur, pavarësisht se sa e vështirë do të ishte, vendi duhet të bëjë zgjedhjet e veta strategjike, Serbia nuk mund të ulet mbi dy karrige njëkohësisht, aq më tepër kur ato janë larg njëra-tjetrës", tha Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Evropën dhe Euroazinë Hoyt Brian Yee. Diplomati amerikan tha se "nocioni rus ndryshon nga vizioni evropian për Ballkanin" dhe se vendet që kërkojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian duhet ta bëjnë të qartë zgjedhjen e tyre.