Korçë, nënshkruhen 12 marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i63145-korçë_nënshkruhen_12_marrëveshje_bashkëpunimi_mes_shqipërisë_dhe_kosovës
Pas nënshkrimit të 12 marrëveshjeve të bashkëpunimit, Rama dhe Haradinaj dolën në një konferencë për mediat. “Mbledhja flet vetë për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh të rëndësishme, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 27, 2017 17:13 Europe/Tirane
  • Korçë, nënshkruhen 12 marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës

Pas nënshkrimit të 12 marrëveshjeve të bashkëpunimit, Rama dhe Haradinaj dolën në një konferencë për mediat. “Mbledhja flet vetë për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh të rëndësishme, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot.

Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjet se ka ende shumë për të bërë dhe mundësitë janë aty. Praktikisht, që nga mbledhja e parë në Prizren, ne kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme”, u shpreh Rama. Rama iu përgjigj edhe pyetjes se këto mbledhje mund të interpretohen si provokime në Serbi. “Mbledhjet nuk janë provokime, por takime për të bërë më mirë ato punë që kemi bërë dhe kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër. Janë hapa të mirëpërcaktuar në një drejtim të përbashkët strategjik. Pavarësisht se jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një”, u shpreh ai. Kryeministri i Shqipërisë vlerësoi nga marrëveshjet atë për diasporën, ku Tirana dhe Prishtina do të veprojnë me nisma të përbashkëta dhe u ndal edhe tek unifikimi doganor. “Jemi duke pritur unifikimin doganor. Janë disa aspekte të thjeshta teknike që duhet të finalizojë pala e Republikës së Kosovës. Ne jemi gati. Për këtë do të vazhdojmë me heqjen e barrierave jo tarifore dhe lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit. Për këtë po punojmë për një sistem administrimi të pikës së kontrollit kufitar, që të jetë shumë më fleksibël dhe ta bëjë shumë të lehtë qarkullimin e njerëzve, por edhe të mallrave”, deklaroi Rama. Ramush Haradinaj vlerësoi vendin e zgjedhur për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si simbolikë e goditur. “Korça është qendra e Rilindjes tonë. Jam i gëzuar që përmbyllëm këtu 12 marrëveshje të ndërsjellta”, u shpreh ai. Haradinaj tha se po punohet intensivisht për thjeshtimin edhe më tej të kalimit kufitar mes dy vendeve.