Qeveria miraton deklaratën e përbashkët për Demarkacionin
Qeveria e Kosovës ka miratuar deklaratën e përbashkët, në mes Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar të premten nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes se cilës inkurajohet ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy shteteve.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë se Kosovës me rastin e 10-vjetorit të shpalljes se Pavarësisë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se “marrëveshja e meriton aprovimin e Qeverisë”. Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet më 18 shkurt, për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ndërkohë raportuesi për Kosovën në Parlamentin evropian Igor Soltes ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Soltes në Twitter ka shkruar se mirëpret progresin e arritur në mes të dy vendeve për çështjen kufitare. Ai ka përmendur se është një hap i rëndësishëm drejtë liberalizimit të vizave. “Unë e mirëpres progresin në mes të Malit të Zi dhe Serbisë për çështjet e kufirit. Është një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave”, ka shkruar Soltes. RTK