Daçiç: Prishtina po luan me zjarrin
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka akuzuar autoritetet kosovare se nuk e duan dialogun me Beogradin, pavarësisht faktit se faktori serb luan rol stabilizues në Kosovë.
Në një intervistë radiofonike, Daçiç paralajmëroi Prishtinën të mos kryejë asnjë ndryshim në marrëveshjen për komunat serbe në Kosovë, ndërkohë që deklaroi sërish se Serbia nuk e ka kusht njohjen e Kosovës si shtet të pavarur."Prishtina nuk e do dialogun me Serbinë për një zgjidhje të përhershme.”Ka qenë kjo deklarata e Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç në programin radiofonik “Java” në Radion e Beogradit.Sipas kreut të diplomacisë së Beogradit, Prishtina po luan me zjarrin pasi nuk kupton se faktori serb luan rol stabilizues në Kosovë. Ministri i Jashtëm theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshje konkrete mes palëve por ai vëren se ka një paqartësi, pasi as strategjia e re e zgjerimit prezantuar nga Bashkimi Europian nuk përcakton llojin e marrëveshjes që duhet arritur. Ministri i Jashtëm më tej u ndal edhe në akordin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai paralajmëroi se Beogradi nuk do të lejojë asnjë ndryshim që Prishtina kërkon të propozojë, duke rikujtuar se marrëveshja është nënshkruar në Bruksel nga vetë ai, përfaqësuesja e lartë e BE Catherine Ashton dhe Kryeministri i atëhershëm kosovar Hashim Thaçi. Një korrigjim apo ndryshim, sipas Daçiç hedh poshtë këtë marrëveshje.