BE synon të ndalë ndikimin e fuqive të huaja në Ballkan
(last modified Wed, 18 Apr 2018 17:05:48 GMT )
Prill 18, 2018 19:05 Europe/Tirane
  • BE synon të ndalë ndikimin e fuqive të huaja në Ballkan

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të një lufte në rast se Ballkanit Perëndimor i shuhen shpresat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një seancë plenare të Parlamentit Europian, Juncker u shpreh: "Nëse nuk hapemi ndaj vendeve në atë rajon aq të ndërlikuar e tragjik dhe nëse nuk hapim një perspektivë europiane për ta, do të shohim një rikthim të luftës në atë zonë, siç dëshmuam në 1990. Unë nuk dua që lufta të kthehet në Ballkan, ndaj na duhet të jemi të hapur për ta". Deklarata e Presidentit të Komisionit Europian vjen në prag të samitit të përbashkët mes udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit në Sofje, ku kryefjalë do të jetë zhvillimi i mëtejshëm i lidhjeve mes palëve. Edhe pse disa shtete të bllokut i kanë bërë rezistencë zgjerimit të familjes europiane, perspektiva e anëtarësimit në BE është kthyer në një motor nxitës të reformave në Ballkan. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi, sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit. Aktualisht, katër vende ballkanike janë bashkuar në NATO, (Kroacia, Shqipëria, Sllovenia dhe Mali i Zi). Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarësuar edhe në BE. Kosova është tashmë një komb i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe europianëve e quajnë atë konflikt problem të zgjidhur. Fatkeqësisht, kjo nuk është aspak e vërtetë. Konfliktet politike të natyrës etnike dhe fetare në këto vende mbeten rreziqe që mund të kthehen në kriza kombëtare dhe fetare, duke e shndërruar zonën në shënjestër kryesore për ndërhyrjet nga fuqitë e huaja. Inercia politike brenda BE-së e ka mbajtur Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë në pritje të gjatë. Ndërkohë që SHBA-të dhe Europa flenë, fuqi të tjera po shtojnë vëmendjen. Kremlini e ka shtuar ndikimin vazhdimisht. Turqia dhe vendet e Gjirit Persik, në anën tjetër, kanë investuar gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Kina, po ashtu, është përpjekur ta shtojë praninë në rajon. Pekini vazhdon projektin “një brez, një rrugë”, për të cilin është gati të ofrojë investime masive për projekte infrastrukturore që nevojiten aq shumë në Ballkan. Për këtë arsye, presidenti francez deklaroi: “Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”. “Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, tha Macron. Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana evropiane kur është në pyetje Ballkani Perëndimor. Macron tha se mbron një qasje të dyfishtë: përafrimin e rajonit kah Evropa, por edhe reformimin e brendshëm të tij përpara anëtarësimit.

 

Tags