Policët mund të mos kenë rënë në lum?
Zhytësi me përvojë të madhe, Ismail Kasumi, ka deklaruar se ai personalisht nuk beson se trupat e dy policëve të zhdukur ndodhen në lum.
Kasumi po ashtu deklaroi se për të ardhur deri tek rezultatet nga kërkimet, zhytësit pjesëmarrës duhet të kenë përvojë të madhe në këtë lëmi, raporton lajmi.net.
“Lepenci si lum nuk ka thellësi që mund të përdoret aparati i zhytjes, për të ardhur deri te zbulimi zhytësit duhet të jenë njerëz me përvojë të madhe. Nuk dihet nëse është e vërtetë a kanë ra ata në lum apo jo”, deklaroi Kasumi.
“Shumica po ecin lumit e po vëzhgojnë, mirëpo ajo hapësirë nuk është e madhe dhe me dhjetë persona mund të kontrollohet. Për mendimin tim ata nuk janë në lum, sepse për shkak të thellësisë trupi i njeriut do ishte ndalë dikund”, tha Kasumi në edicionin e lajmeve në RTK.
Kasumi dha edhe idetë e tij për mënyrat më efikase të kërkimit për trupat e dy policëve.
“Ata që janë në kërkim-shpëtim u kisha preferuar që të kapen dorë për dorë dhe në vendin ku dyshojnë të shkojnë të kontrollojnë sepse uji nuk i mbulon, ngase nuk është i thellë, madje ka vende të cekëta ku trupi nuk mund të bartet”, shtoi Kasumi.
Kasumi ripërsëriti se askush nga institucionet e Kosovës nuk e ka ftuar në operacionin e kërkimit, qoftë edhe si këshilldhënës për zhytësit që po marrin pjesë në këtë aksion.
Ai po ashtu tha se trupat për shkak të mënyrës se si lumi i bartë ata, nuk mund të kenë kaluar në Maqedoni.
“Trupi nuk mund të ketë kaluar në Maqedoni sepse lumi nuk e bartë trupin drejt, mirëpo e bartë duke u rrotulluar”, përfundoi Kasumi. http://republikaks.com