Presidenti i Serbisë kritikon NATO-n
Presidenti i Serbisë pasi kritikoi NATO-n për sulmin e vitit 1999 kundër Jugosllavisë, ka thënë se NATO ka përdorur armatime me uranium në Kosovë.
Mjekët kanë konfirmuar se bombardimet e NATO-s dhe armët me uranium të varfëruar kanë vënë në rrezik jetën e të rinjve, ka thënë në fjalën e tij Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç thotë se nuk ka frikë nga sanksionet e mundshme të Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por më shumë e shqetësojnë problemet e tilla, siç është ikja e popullit nga Serbia dhe shkalla ulët e lindshmërisë. Në një qëndrim ndoshta të papritur, ai thotë se vet Serbia, me politikën e saj të gabuar, e ka vulosur Pavarësinë e Kosovës. Vuçiç ka kujtuar se, për këtë situatë dhe rrethanat shumë të këqija në të cilat po zgjidhet çështja e Kosovës, “jemi deri diku vet përgjegjës, duke pasur parasysh politikën e gabuar të Serbisë dhe disa lëvizje, me të cilat praktikisht kemi vënë vulën në zarfin e Pavarësisë së Kosovës”. Presidentin serb, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, e kanë pyetur gazetarët lidhur me informacionet për një marrëveshje ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për Kosovën para pak ditësh në Uashington, respektivisht për “Dokumentin e Uashingtonit”. Ai theksoi se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të “QUINT”-it në Uashington, duke thënë se “marrëveshja që ka mundur të arrihet atje nuk mund të jetë një surprizë e madhe, sepse janë vendet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës”. “Nuk do të ketë sanksione, kjo është e gjitha që mund të them. Nuk pashë kurrfarë ‘Dokumenti të Uashingtonit’. Kam dëgjuar çfarë ofrojnë disa si parime të tyre. Diçka më është thënë gjysmë zyrtarisht. Kjo nuk është asgjë e re”, tha ai. Vuçiç kujtoi gjithashtu se vendet e “QUINT”-it njohën Pavarësinë e Kosovës dhe “po përpiqen të shohin se çfarë mund të bëjnë serbët për të njohur Pavarësinë e Kosovës, brenda kufijve të këtij shteti të vetëshpallur”. “Unë për këtë flas publikisht dhe në mënyrë të hapur para të gjithëve”, tha ai duke shtuar se, “ne serbët po bëhemi sikur asgjë të mos kishte ndodhur”. Ai kujton vitet 1999, por edhe 2004 e 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës, kur siç thotë ai “disa ikën në Rumani, në vend që të ndërmerrnin masa, kurse disa ishin fshehur, e pastaj ndodhi një lëvizje katastrofale e viteve 2010-2011, kur vetë e kemi vënë vulën në zarfin e Pavarësisë së Kosovës”. Kosova vazhdon të jetë pengesë për anëtarësimin e Serbisë për në Bashkimin Evropian. Kështu tha të hënën presidenti serb Aleksandar Vuciç. Ai tha se Serbia po shpreson që të bashkohet në BE në vitin 2025 por që në të njëjtën kohë me Malin e Zi. Vuciç, tutje është deklaruar edhe për bisedat që i ka pasur me vendet perëndimore rreth çështjes së ndarjes së Kosovës. Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare e ka quajtur si të rrezikshme idenë për ndarje. "Gjëja më e rrezikshme është të kemi një konflikt të ngrirë, sepse një ditë dikush mund ta zhbëjë atë", ka thënë Vuçiç për AFP. Tutje, ai është deklaruar se ideja e ndarjes së Kosovës sipas vendeve perëndimore është zgjidhja më e keqe. “Po e dëgjoj Perëndimin duke thënë se kjo do të ishte zgjidhja më e keqe sepse do të hapte kutinë e Pandorës, por vendet perëndimore hapën kutinë e Pandorës 10 vjet më parë duke e njohur Kosovën si një shtet të pavarur", ka deklaruar në fund presidenti serb.