Serbia bllokon linjën energjetike Kosovë – Shqipëri
Ka dy vjet që është inauguruar linja e interkoneksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por e cila ende mbetet jofunksionale për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë, thonë zyrtarët në Qeverinë e Kosovës.
Kjo linjë, ishte shpallur e përfunduar, inauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Linja interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës, ka kushtuar 75.5 milionë euro. Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë se trysnia e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi është rritur shumë.Por, Beogradi zyrtar, sipas tij, po pengon zhbllokimin e linjës, duke insistuar që marrëveshja energjetike të ngritët në bisedimet Prishtinë – Beograd, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.“Kjo punë ka marrë një hov më të madh, jemi shumë më dinamik. Tashmë kemi edhe një negociator gjerman, ish ministrin e ambientit të Gjermanisë, Klaus Toepfe, i cili po na ndihmon në zgjidhjen e problemit, në mes Kosovës dhe Serbisë”. “Jemi në diskutime e sipër. Në takimin e fundit që kemi qenë se bashku jemi pajtuar që të shikojmë edhe në një takim në nivel politik në Berlin, në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e ish ministrit gjerman për të shikuar zgjidhjen e problemit në mënyrë sa më të shpejtë”, ka thënë Lluka.