Një strukturë e re amerikano-gjermane do luftojë krimin ekonomik dhe evazionin
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i76602-një_strukturë_e_re_amerikano_gjermane_do_luftojë_krimin_ekonomik_dhe_evazionin
Shqipëria renditet ndër vendet me evazion të lartë fiskal.  Sipas Tatimeve, janë rreth 50 milion lekë që kompanitë nuk i paguajnë buxhetit të shtetit, duke iu shmangur detyrimeve.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 28, 2018 09:52 Europe/Tirane
  • Një strukturë e re amerikano-gjermane do luftojë krimin ekonomik dhe evazionin

Shqipëria renditet ndër vendet me evazion të lartë fiskal.  Sipas Tatimeve, janë rreth 50 milion lekë që kompanitë nuk i paguajnë buxhetit të shtetit, duke iu shmangur detyrimeve.

Për këtë qëllim, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është nënshkruar një marrëveshje me ERNST & Young Gmbh.

Kryeministri Edi Rama tha se nuk bëhet fjalë për një kontratë konsultimi por bashkërendimi në terren dhe për këtë ai kërkoi bashkëpunimin e të gjitha agjencive.

Rama: Vlera e kësaj skuadre që vjen në Shqipëri për të punuar me agjensitë tona kundër krimit ekonomik dhe evazionit qëndron në faktin se së pari është një skuadër gjermano-amerikane me dy drejtues, njëri me eksperiencë si drejtues i FBI, dhe tjetri si një person që ka mbuluar pozicione drejtuese në strukturat e shtetit gjerman kundër krimit ekonomik. Kjo marrëveshje nuk është marrëveshje konsulence por një marrëveshje veprimtarie të përbashkët në terren. 

Një ekip i gjerë gjermano-amerikan ekspertësh do të vendoset këtu në Shqipëri dhe do të punojë ngushtësisht me strukturat e hetimit të Ministrisë së Financave, Hetimit Tatimor dhe Doganor dhe Strukturën e Krimit Ekonomik të Policisë së Shtetit për të mundësuar çeljen e një procesi pune të përbashkët me një metodologji bashkëkohore dhe të sofistikuar dhe rritjen e kapaciteve të këtyre agjencive në goditjen e një fenomeni me të cilin është koha të merremi dhe më thellësisht pasi kemi shënuar dhe disa rezultate të rëndësishme. 

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, kanë garantuar një rezultat shumë domethënës në identifikimin dhe pastaj ngrirjen e aseteve financiare të krimit.Goditja e rrjeteve të krimit të organizuar kërkon një ndërveprim dhe kordinim midis shumë strukturash dhe nuk mjafton vetëm struktura që është e angazhuar në rutinën e përditshme.Për nga përmasat dhe rrezja e veprimit kjo srtrukturë e re që do të krijohet është shumë më e vogël por për nga synimet dhe përmbajtja është i njëjti model i bazuar tek eksperienca më e mirë ndërkombëtare.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e cilësoi këtë bashkëpunim një vlerë të shtuar, duke nënvizuar edhe rolin e policisë së shtetit.

Xhafaj: Operacioni Forca e Ligjit na ka dhënë një mësim të rëndësishëm.Sado e fortë të jetë një agjensi, sado burime njerëzore të ketë ajo nëse nuk kemi një kordinim të mirë mes gjithë agjensive që operojnë në këtë fushë nuk mund të bëjmë suksesin e duhur.

Në kontekstin e planit të veprimit që adreson çështjet që lidhen me luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe korrupsionit, mbetet një nga domosdoshmëritë. Ofrimi i një kompanie të tillë prestigjioze me eksperiencë ndërkombëtare besoj se do të jetë një vlerë e shtuar nga pikëpamja e nevojës që kemi për të bërë analiza të rëndësishme, për të identifikuar se cilat mund të jenë organizimet më të përshtatshme, për rritur trajnimin e burimeve që kemi.

Për Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, lufta ndaj evazionit ëhstë thelbësore.

Ahmetaj: Plani i veprimit në gjurmë të parasë është një instrument i domosdoshëm për ta ngritur në një nivel tjetër këtë betejë kundër krimit ekonomik dhe financiar.