Ndalohet në Kosovë bashkëpunëtori X
Policia e Kosovës ndalon Albert Veliun, të njohur si bashkëpunëtori X në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike.
Nga biseda e bërë publike midis dy personave, njëri i cilësuar si “Bashkëpunëtori X” dhe një personi tjetër i supozuar si shtetasi Agron Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj) është treguar se bashkëpunëtori është ndihmuar nga shtetasi Agron Xhafaj për të siguruar një sasi kanabisi për ta trafikuar.
Nuk ka ende informacion lidhur me motivin e ndalimit të tij së bashku me djalin në Shtimë të Kosovës
Gazetarja e Ora News Keti Banushi informon se ndaj Veliut nuk ka masë ndalimi por në momentin e ndalimit autoritet kosovare kanë komunikuar me Porkurorinë shqiptare për të pyetur nëse duan të mbajnë në ndalim apo ta linin të lirë.
Prokuroria shqiptare ka kërkuar të ndalohet Albert Veliu dhe të sillet në Shqipëri.
Kjo është hera e dytë që Veliu është ndaluar nga momenti i publikimit të audiopërgjimit nga PD.
Në Shqipëri më 17 maj 2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda,ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Ndërsa më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.
Hetimet po kryen nga një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë. Se janë duke u kryer veprime hetimore të gjithanshme brenda dhe jashtë vendit. Po kështu është dërguar për ekspertim materiali i videopërgjimit në laboratorë ndërkombëtarë jashtë vendit.
Pas publikimit të auidopërgjimit Agron Xhafaj iu vetëdorëzua autoriteteve italiane për të kryer dënimin e marrë nga drejtësia e këtij vendi. PD e quajti këtë veprim si qëllim për të mbyllur hetimet në Shqipëri.