Haradinaj: Ose policia, ose unë...
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka arsyetuar sot veprimin e një dite më parë kur tërhoqi për krahu një zonjë gjatë një ceremonie për nder të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Ai nxiti reagime të shumta pasi e largoi nga foltorja një grua, që sipas autoriteteve kishte shkelur rregullat e ceremonisë, derisa po shënohej përvjetori i Lidhjes së Prizrenit. Kryeministri Haradinaj tha të hënën se është e papranueshme që në një ngjarje të tillë shtetërore të flasin njerëzit e paftuar. “Dy zgjidhje kanë qenë, ose policia ose unë. Unë nikoqir, zot shtëpie kam qenë dhe deri sa të jem në këtë detyrë askush nuk do të mund t’i nëpërkëmbë ngjarjet që i organizon shteti i Kosovës. Pse e kam marrë këtë rol kam shpresuar se do të kalojë me më pak problem se po ta kishin kapur policia kushedi se si do kishte shkuar”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj këtë situatë e cilësoi si dështim të organizimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili sipas tij nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm. “Më vjen keq që të gjithë ata që është dashur të reagojnë në ato momente nuk kanë qenë në nivel të detyrës së tyre fatkeqësisht. Duhet të ju vijë turp edhe protokollit, edhe organizatorëve edhe policisë edhe çdokujt”, tha zoti Haradinaj.