Nuk ka shqiptarë mes viktimave në Athinë
Në vijim të tragjedisë në Athinë, Ambasada e Shqipërisë, ka njofton se deri më tani nuk ka pasur humbje jete nga komuniteti shqiptar.
Ambasada bën të ditur se në spitalin Evangelismos ndodhet i shtruar një shqiptar. “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë njofton se pas komunikimeve me autoritetet greke, deri më tani nuk janë identifikuar viktima nga komuniteti shqiptar. Ndërkohë, në spitalin Evangelismos ndodhet i shtruar një shtetas shqiptar. Ambasada është në ndjekje të situatës duke komunikuar në vijimësi me autoritetet kompetente”, tha Ambasada e Shqipërisë në Athinë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet homologut të tij grek për ngjarjen e rëndë në Atika, ku gjithë zona u përfshi nga flakët dhe ka mjaft viktima. Meta ka thënë se është i tronditur me numrin e viktimave. “Me ankth e shqetësim të madh po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret e furishme që kanë rënë përqark Athinës. Jam shumë i tronditur nga viktimat në njerëz dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë. Lutem që të mos ketë viktima të tjera në njerëz dhe që zjarret e egra të vihen shpejt nën kontroll nga autoritetet zjarrfikëse greke. Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë”, thuhet në mesazhin e presidentit Meta.