Baza më e madhe ajrore e NATO-s në Ballkan ndërtohet në Kuçovë
(last modified Sat, 04 Aug 2018 17:51:20 GMT )
Gusht 04, 2018 19:51 Europe/Tirane
  • Baza më e madhe ajrore e NATO-s në Ballkan ndërtohet në Kuçovë

NATO do të ndërtojë në Kuçovë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Lajmi është bërë publik nga kryeministri Edi Rama në profilin e tij në Facebook.

Sipas kryeministrit, Këshilli i Atlantikut të Veriut ka marrë vendim, që të investojë mbi 50 milionë euro vetëm në fazën e parë të projektit, që përfshin modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës. Zoti Rama thotë se projekti do të nisë brenda vitit dhe aeroporti i Kuçovës do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizimet ajrore, mbështetje logjistike, vëzhgim ajror si dhe për trajnimin dhe stërvitjen e forcave të Aleancës. Por baza e Kuçovës nuk do të shërbejë vetëm për operacionet ajrore të NATO-s. Edi Rama shkruan se ajo do të jetë njëkohësisht edhe bazë kombëtare për forcat ajrore të Shqipërisë, duke sjellë një standard të ri për ushtrinë shqiptare. Sipas kryeministrit, një investim i këtyre përmasave do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të gjithë rajonit ku po planifikohet ndërtimi i bazës ajrore me teknologjinë më të fundit. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1953. Ajo ka qenë baza më e madhe ajrore e Shqipërisë duke shërbyer si bazë ajrore e traktatit të Varshavës. Aktualisht ajo shërben si bazë ajrore e ushtrisë shqiptare ku ulen vetëm helikopterë, ndërkohë që një pjesë e saj është kthyer në muze ku janë ekspozuar avionët Mig rusë dhe kinezë.