A janë bërë universitetet amerikane mjete politike të administratës Trump?
-
A janë bërë universitetet amerikane mjete politike të administratës Trump?
ParsToday - Lajmi për pezullimin e më shumë se 65 studentëve të Universitetit të Kolumbias për pjesëmarrje në demonstrata pro-palestineze nxori në pah edhe një herë ndërthurjen delikate midis lirisë së shprehjes, autoritetit akademik dhe politikave të sigurisë në universitetet perëndimore.
Në masën e tij të fundit, Universiteti i Kolumbias pezulloi përkohësisht më shumë se 65 studentë protestues pro-palestinezë. Ndërkohë, 33 personave të tjerë, përfshirë njerëz nga institucione përkatëse dhe një numër të papërcaktuar të diplomuarish, u është ndaluar gjithashtu hyrja në universitet. Gjithashtu, janë arrestuar 80 studentë protestues. Sipas ParsToday, ky vendim nuk është vetëm një reagim ndaj një ngjarjeje specifike, por edhe një pasqyrim i presioneve të gjera politike dhe sociale që po rrethojnë edhe mjedisin akademik amerikan këto ditë.
Pezullimi nga arsimi dhe arrestimi i gjerë i këtyre studentëve pasoi tubimin e tyre protestues kundër politikave të regjimit izraelit ndaj palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës, tubim protestues ky që organizua në Bibliotekën "Butler". Sipas gazetës amerikane "New York Post", zyrtarët e Universitetit Columbia njoftuan se vendimi u mor si rezultat i presionit të jashtëm për "veprime vendimtare" kundër protestuesve. Këto presione janë ushtruar kryesisht nga grupet pro-Izraelit, institucionet qeveritare dhe pjesë të medias, të cilat e kanë akuzuar universitetin se po mban anën e studentëve protestues.
Ndërsa regjimi sionist vazhdon të vrasë palestinezë në Rripin e Gazës dhe të pengojë ndihmën që u dërgohet banorëve të Rripit të Gazës, lëvizjet protestuese studentore janë rritur në universitete të ndryshme amerikane. Ashtu si në muajt e fundit, të paktën tre incidente të ngjashme kanë ndodhur në universitetet kryesore amerikane, të cilat e kanë acaruar shumë atmosferën publike.
Në këtë drejtim, më 26 prill 2025, gjatë protestave studentore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se 40 persona u arrestuan në Qendrën e Arsimit të Lartë Auraria në Denver të Kolorados. Në UCLA, më 17 prill, administratorët e universitetit urdhëruan çmontimin e tendave të ngritura nga protestuesit pro-palestinezë, dhe policia e Los Angelos-it arrestoi më shumë se 50 persona.
Mbështetja e studentëve amerikanë për popullin palestinez dhe dënimi i krimeve të regjimit sionist kanë nxitur një reagim nga qeveria amerikane, deri në atë pikë sa presidenti i SHBA-së Donald Trump kohët e fundit kërcënoi zyrtarët në disa universitete amerikane me shkurtim të fondeve, dhe pak më vonë, shkurtoi fondet për tre universitete të mëdha amerikane.
Ky veprim i shtyu dekanët e më shumë se 100 universiteteve, kolegjeve dhe institucioneve shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të lëshonin një deklaratë të përbashkët duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj trajtimit të institucioneve të arsimit të lartë në këtë vend nga administrata Trump.
Deklarata kritikoi ashpër atë që e quajti "agresion të paparë qeveritar dhe ndërhyrje politike që kanë rrezikuar arsimin e lartë në Amerikë".
Ambientet akademik amerikan mbetet nën mbikëqyrje të rreptë dhe çdo veprim apo protestë studentore trajtohet, dhe çdo tolerancë ndaj protestuesve të politikave izraelite interpretohet si bashkëpunim me lëvizjet anti-Izrael. Kjo është në kohën kur universitetet amerikane, përfshirë Universitetin e Kolumbias, gjithmonë e kanë paraqitur veten si pionierë të fjalës së lirë dhe debatit të lirë.
Slogane të tilla si "liria akademike" dhe "mbrojtja e diversitetit të mendimit" janë skalitur në dyert e këtyre qendrave për vite me radhë, por pezullimi dhe përjashtimi i studentëve pro-palestinezë tregon se kufijtë e lirive të supozuara po ndryshojnë me shpejtësi në konflikt me interesat gjeopolitike dhe presionet politike.
Në fakt, këto kushte kanë bërë që administratorët dhe presidentët e universiteteve amerikane, pavarësisht të gjitha sloganeve të tyre, t’i nënshtrohen politikave të Trumpit dhe jo vetëm të kufizojnë liritë e studentëve, por edhe t’i bëjnë përjashtimet, pezullimet dhe arrestimet të zakonshme në universitetet amerikane.
Një çështje kjo që më shumë se kurrë, zbulon kontradiktën themelore midis pretendimeve perëndimore për lirinë e shprehjes dhe realiteteve të praktikës së saj. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë kritike ndaj kufizimeve të lirisë së shprehjes në vende të tjera, në vendin e tyre, ato vetë janë dëshmitare të censurës sistemike dhe shtypjes së protestave për çështje të ndjeshme politike.
Miratimi i politikave të tilla ka të ngjarë të jetë fillimi i një vale më të gjerë të kontrollit të protestave mbi universitetet amerikane. Nëse kjo tendencë vazhdon, universitetet do të transformohen nga platforma për mospajtim dhe liri shprehjeje në platforma të menaxhuara dhe të kontrolluara me mbikëqyrje të lartë. Pasojat afatgjata të kësaj do të jenë një rënie e besimit të studentëve në institucionin universitar, ikja e elitave drejt vendeve me mjedise politike më të hapura dhe dobësimi i pozicionit të universiteteve amerikane në indekset ndërkombëtare të lirisë akademike.