Te djathtët evropianë indiferentë për kauzën e të djathtëve në Kosovë
Edhe pse shumë prej partive në Kosovë, qoftë në pushtet apo në opozitë, janë parti të djathta, ose të qendrës së djathtë, deputetët e partive të djathta në Parlamentin Evropian, votuan në mënyrë uniforme kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Kjo është shqetësim edhe për fazat tjera të procesit. Por, politologu, Ramush Tahiri konsideron se përkundër kësaj, interesi i BE-së është që Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave.
Deputetët e djathtë në Parlamentin Evropian votuan kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, e cila përbëhet më shumë nga partitë e djathta ose qendër e djathtë. Politologu Ramush Tahiri thotë se partitë në Kosovë nuk janë stabile në profilizimin e tyre, andaj edhe nuk kanë ndikim te partitë evropiane dhe nuk kanë besueshmëri dhe qëndrueshmëri te partnerët evropianë. Por, kjo, sipas Tahiri, nuk do ta pengojë Kosovën.
“Pavarësisht që partitë tona nuk kanë aleatë evropianë dhe nuk kanë respekt në internacionalet evropiane, kjo është fazë e tranzicionit, fazë e demokracisë që vendet e kuptojnë dhe që interesi i popullit ose i qytetarëve, është në këtë rast mbi nivelin e diferencimit ideologjik në të majtë dhe të djathtë”, tha Tahiri për Radio Kosovën.
Studiuesi i të Drejtës Kushtetuese, Durim Berisha, thotë se partitë kanë dështuar në raport me partitë evropiane.
“Nuk kanë arritur ta tregojnë seriozitetin e tyre karshi proceseve të shtet-ndërtimit dhe krijimit të bindjes së plotë dhe të pa rezervë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur”, tha Berisha.
Edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e pranon se me qasjen e të djathtëve evropianë, votimi në Këshillin e Sigurimit do të jetë sfidë. Në një intervistë për RTK-në ka thënë se hezitimi nuk ka të bëjë me Kosovën, por me migracionin në përgjithësi.
“Një tendencë që e kemi parë, përkundër faktit që Franca e Holanda ishin me shumicë kundër, që partitë e djathta, ekstreme, kanë pasur tendencën të votojnë kundër dhe këto janë të shpërfaqura anembanë shteteve të BE-së dhe janë fatkeqësisht në rritje e sipër”, tha Hoxha.
Parlamenti Evropian javën e kaluar i dha mbështetje liberalizimit të vizave për Kosovën. 420 deputetë votuan për, 186 ishin kundër dhe 22 absetenuan. Të djathtët ishin uniformë në votën e tyre kundër.