Referendumi në Maqedoni, reagon Pentagoni
Zëdhënësja e Pentagonit ka mirëpritur rezultatet pozitive të dala nga referendumi në Maqedoni. Referendumi në Maqedoni është anuluar për shkak të numrit të ulët të votuesve.
Dana Vaiet zëdhënëse e Pentafoni ka thënë se Uashingtoni mirëpret rezultatet pozitive të referendumit në Maqedoni ku populli maqedonas është shprehur pro akordit të arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë. Me gjithë rezultatin, referendumi në Maqedoni është shpallur i pavlefshëm. Sipas KSHZ pjesëmarrja nё referendum ishte 36.11 pёrqind. Si rrjedhojё referendumi pёr tё ardhmen e Maqedonisë rezulton i pavlefshёm, pasi nё tё do tё duhej tё merrnin pjesё mё shumё se gjysma e 1.8 milionё zgjedhёsve. Ora 19:00 ka shënuar dhe mbylljen e votimit për referendumin në Maqedoni. Në referendumin e së dielës, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime kanë dalë 36.11 për qind e trupit të përgjitshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote. Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”. Të drejtën e votimit e kishin rreth 1.8 milion qytetarë, të cilët u ftuan t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike përveç disa parregullsive në disa vendvotime ku janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve. Komisioni për shqyrtimin e parregullsive në referendum ka pranuar 10 denoncime për parregullsi në procesin e votimit. Sipas kreut të Komisionit, prokurorit, Xhelal Bajrami parregullsitë e paraqitura kanë të bëjnë me fotografimin e personave që kanë votuar, fotografimin e vendvotimeve dhe presione ndaj votuesve. Rasti më i rëndë është regjistruar në Shkup ku një person ka penguar 3 policë në kryerjen e detyrës. “Presim që policia të dorëzojë dokumentet në Prokurori dhe personi do të ndiqet për vepër penale”, tha prokurori Xhelal Bajrami. Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, marrëveshjen me Greqinë për emrin e vlerësoi si të dështuar, pas referendumit të së dielës, në të cilin nuk u arrit pragu i nevojshëm i pjesëmarrjes prej mbi 50%. Në një paraqitje para opinionit, Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili, sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”. “Në referendumin e së dielës, populli e hodhi poshtë marrëveshjen e Prespës. Me mosvotim, populli qartë u deklarua kundër zgjidhjeve të përshpejtuara, të imponuara dhe të dëmshme, pa arritur paraprakisht konsensus kombëtar". "Heshtja e shumicës të dielën ka vendosur, bojkoti është zë i atyre që janë nënvlerësuar dhe nuk janë dëgjuar”, tha Ivanov, duke kërkuar përgjegjësi, por edhe duke tërhequr vërejtjen për, siç tha, tentimet eventuale për të mos respektuar vullnetin e popullit. “Mesazhi i popullit është dërguar deri tek ata që duhet ta dëgjojnë. Realiteti është se referendumi ka dështuar. Mos tentoni që ta ndryshoni këtë realitet. Mos e nënvlerësoni vullnetin sovran të popullit maqedonas. Nuk mund të diskutohet për vullnetin e shumicës në kushte kur nuk është plotësuar pragu ligjor për referendumin; 36.9% nuk paraqet vullnetin e popullit, por 63.1% e atyre që nuk votuan. Tani është koha për përgjegjësi para popullit maqedonas”, u shpreh Ivanov. Ai u dërgoi ka dërguar porosi edhe atyre, që, sipas tij, përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë, duke aluduar në komunitetin ndërkombëtar. “I porosis ata që t’i respektojnë konventat për marrëdhënie diplomatike. Ata që kanë deficit demokratik, nuk mund të imponojnë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin sovran të popullit”, tha Ivanov, duke rikujtuar fjalimin e presidentit amerikan në Kombet e Bashkuara se “liria, paqja dhe demokracia janë të mundshme vetëm në shtete sovrane dhe të pavarura”. “Vetëm të bashkuar rreth interesave shtetërorë, duke respektuar rendin kushtetues dhe juridik mund të ecim rrugës drejt familjes euroatlantike. Nuk kemi dilema se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE. Por, atje duhet të hymë me dinjitetin tonë njerëzor, pa kushtëzime, presione dhe standarde të dyfishta". "Vetëm kështu do të mund të përballemi me dy sfida të mëdha. Sfida e parë ka të bëjë me reformat serioze dhe të thella në të gjitha segmentet, pasi pa reforma të vërteta në gjyqësor, pa drejtësi dhe sundim të së drejtës, pa luftë kundër korrupsionit, pa luftë kundër klientalizimit elitar partiak, nuk do të arrijmë anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Ivanov, duke theksuar si sfidë të dytë nevojën për konsensus kombëtar për arritjen e qëllimeve strategjike, por edhe duke kërkuar nga shumica parlamentare që të pranojë, siç tha, disfatën në referendum.