Beogradi qorton ambasadorin amerikan rreth deklaratës për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “për fat të keq” nuk ka qenë i pranishëm kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Serbi, Kyle Scott, ka thënë që Qeveria e Kosovës nuk është “e ashtuquajtur”, por qeveri e shtetit sovran dhe të pavarur.
Vuçiq ka theksuar që ambasadori do të merrte një “përgjigje të mirë dhe të matur, e cila do të nënkuptonte mbrojtjen e interesave të shtetit të Serbisë”. Sipas tij, çfarëdo qoftë që është Qeveria e Kosovës për Uashingtonin, për Serbinë është e “ashtuquajtur”. Deklaratat e tilla, Vuçiq i ka bërë pas hapjes së samitit të tretë të ministrave të transportit dhe Forumit të kryetarëve të komunave të qyteteve kryesore të Kinës dhe të vendeve të Evropës qendrore dhe lindore, që po mbahet në Beograd. “Për fat të keq nuk kam qenë i pranishëm, por përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë është dashur që të reagojë. Nuk është ambasadori këtu që t’i përmirësojë gazetarët, por që të përgjigjet në pyetjet e tyre. Por, ky nuk është ndonjë qëndrim i ri i përfaqësuesve amerikanë dhe prandaj jam më skeptik se Ivica Daçiq lidhur me çështjen e qëndrimit të Uashingtonit ndaj Kosovës”, theksoi Vuçiq. Ai ka shtruar pyetjen që pse atëherë po bëhen bisedimet me Serbinë për Kosovën, në qoftë se siç ka thënë diplomati amerikan, ajo është “qeveri sovrane e shtetit të pavarur”? Lidhur me këtë ai ka komentuar se “do të ishte mirë’ që ambasadori i SHBA-së të tregojë “pak më shumë respekt për vendin mikpritës” dhe ka shtuar që “ky është stili i tyre, si fuqia më e fortë në botë”. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, më herët, me një fjalor ofendues e ka dënuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, i është referuar Kosovës si shtet sovran. “Me vjen keq që ambasadori Scott, mendjemadhësinë e tij nuk ka provuar ta shfaqë në ndonjë ngjarje me presidentin Vuçiq, sepse me kokë poshtë do të fluturonte nga Qeveria”, ka thënë Vulin. “Ambasadori Scott, në mendjemadhësinë e tij ka harruar që Serbia nuk është koloni dhe nuk mund ta shkelë dinjitetin e saj. Se Kosova është e ashtuquajtur dhe se nuk është shtet, për këtë flet fakti që ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Për mendjemadhësinë e tillë, populli thotë – sa më i zbrazët që është kungulli, aq më i pafytyrë është”, kishte deklaruar Vulin.