Rama u drejtohet rektorëve
“Mbase ka qenë e parakohshme dhe e nxituar që të kishim autonomi universitare, që e bën rektorin dhe dekanin e universitetit krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, me rektorët e dekanët për 8 pikat e studentëve. “Nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni, kur duhet t’i dilni ju përballë studentëve për disa çështje që kanë të bëjnë me universitetin. Nëse ka ardhur dita që ju të shkelni syrin dhe të mbyllni dyert që studentët të dalin në rrugë, që trupat brenda të ndahen në të partive dhe për llogari të tyre të nxisin studentët të dalin në rrugë, dhe ta lini rrugës fatin e studentëve dhe të mos merrni pjesë jo në marrëdhënien e krijuar mes protestuesve dhe qeverisë, por në marrjen e përgjegjësive në një situatë kur përgjegjësia është shumë e qartë, atëherë duhet ta rishikojmë autonominë universitare”, – tha Rama, duke iu drejtuar rektorëve dhe dekanëve. Ai theksoi se “mbase ka qenë e parakohshme, mbase ka qenë e nxituar që ne të sanksiononim një autonomi universitare që e bën rektorin, e bën dekanin, e bën drejtuesin e universitetit krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria”. Ndërkohë që, nëse nisemi nga 8 pikat që studentët kanë kërkuar, tha ai, një pjesë jo e vogël e atyre pikave i takojnë universitetit, ju takojnë juve si përfaqësues të universitetit, bazuar në ligjin e ri për Arsimin e Lartë./ATA/