Kosova krijoi ushtrinë për ta sulmuar Serbinë
(last modified Sat, 15 Dec 2018 19:00:21 GMT )
Dhjetor 15, 2018 20:00 Europe/Tirane
  • Kosova krijoi ushtrinë për ta sulmuar Serbinë

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se e ‘ashtuquajtura’ Ushtria e Kosovës, të cilën ai e quan terroriste, është themeluar për ta sulmuar Serbinë dhe serbët.

Ai ka porositur se serbët në Kosovë mund të jenë të qetë, sepse kanë mbështetjen absolute të presidentit të Serbisë dhe ushtrisë serbe, dhe sipas tij, për shtetin serb nuk ka asgjë më të rëndësishme se ruajtja e serbëve në Kosovë. Ai ka thënë se detyra e ministrisë së mbrojtjes dhe komandantit të shtabit të përgjithshëm, është të siguroj që ushtria serbe të jetë në gjendje të përmbush çdo vendim i marrë. “Aleksandar Vuçiç disa herë ka deklaruar zëshëm dhe qartë se më nuk do të ndodh një tjetër ‘Stuhi’. Pra derisa është Vuçiç, nuk do të ndodh një stuhi tjetër”, ka thënë Vulin. Autoritetet e Serbisë e kundërshtuan fort vendimin e Parlamentit në Kosovë për ushtrinë. Sipas kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, “kjo nuk është një ditë që i kontribuon stabilitetit në rajon”. "Serbia do të vazhdojë rrugëtimin e saj të paqes e të stabilitetit. Është një ditë e rëndë për Serbinë dhe konsideroj se pa rajon të qëndrueshëm nuk ka as Serbi stabile e as ndonjë vend tjetër në rajon”, citojnë mediet në Serbi Ana Brnabiq. Reagime pati menjëherë edhe nga veriu i Kosovës i banuar më shumicë serbe, ku përfaqësuesit politik të serbëve thanë, se "Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri”. Në një konferencë për medie nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, subjekt politik ky që ka 10 deputetë në parlamentin e Kosovës, tha se "vendimi i autoriteteve të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi”.