Formimi i ushtrisë së Kosovës bllokon dialogun me Serbinë
Pas vendimit për ushtrinë, kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën dhe mandatoi ekip negociator për bisedime me Serbinë.
Por reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç ishte i menjëhershëm. Ai deklaroi se me miratimin e rezolutës në Parlamentin e Kosovës, Prishtina e mbylli derën e dialogut. Kjo rezolutë përmban tre elementë kyç: që secila marrëveshje duhet të çojë drejt pavarësisë së plotë të Kosovës, se nuk ka ndryshim kufijsh, çka nënkupton se Kosova duhet të njihet brenda kufijve të tanishëm, dhe se duhet të ruhet integriteti territorial i Kosovës sipas parimit unitar, që nënkupton se disa pjesë të territorit nuk mund të kenë autonomi. Pra me këtë dokument ata qartë thanë qarte se i duan të gjitha dhe me çdo çmim”, u shpreh Vuçiç gjatë një interviste për një televizion serb “TV Prva”. Dy ditë përpara këtij hapi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u kishte dorëzuar ambasadorëve të vendeve më të industrializuara një “draft-libër të madh me kapituj”, që është një bazë e fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese me Serbinë. Sipas Haradinajt, ky projekt “voluminoz”, do të jetë bazë pune për ekipin negociator në fazën e ardhshme të dialogut. Grupi negociator i Kosovës do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, si dhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje nuk po pajtohen që koalicioni qeveritar të hyjë në dialog me Serbinë. Ata po kërkojnë zgjedhje të reja, e pastaj, sipas tyre, “të zgjedhurit e rinj të vendosin për dialogun”. Bashkimi Evropian i ka adresuar dy kërkesa Kosovës, atë për revokimin e vendimit të taksës për produktet serbe si dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. Mirëpo, analistët vlerësojnë se nuk ka mekanizëm që e detyron Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Madje, ata janë shprehur skeptikë se mund të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë në gjashtë muajt e ardhshëm. Zëvendës-sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ka ripërsëritur qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri mund të ketë pasoja negative në integrimin e Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike. “Sot ne diskutuam për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe planin për transformimin e saj në ushtri. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, së fundmi në një bisedë me zotin Haradinaj ka nënvizuar se e sheh këtë lëvizje si kohë të keqe dhe mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës në integrimin Euro – Atlantik. E përsëritëm që nëse mandati i FSK evoluon, NATO duhet ta rishqyrtojë nivelin e tij të angazhimit me FSK-në”, ka thënë ajo. Rose Gottemoeller ka thënë gjithashtu se Stoltenberg ka biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për nevojën “e deeskalimit të tensioneve aktuale dhe për të punuar për paqe dhe stabilitet në rajon”. Zonja Gottemoeller ka thënë se NATO-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se është e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon. “NATO mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Mbetet e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Ne kërkojmë që Shqipëria të përdorë influencën e saj për të mbështetur procesin dhe të inkurajojë Prishtinën dhe Beogradin të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”, është shprehur ajo. Këto deklarata Gottemoeller i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Europë, Ditmir Bushati. Ajo është duke vizituar Tiranën, në prag të 10-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në Aleancën Euro – Atlantike.