Donald Trump kërkon marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës
Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një letre, u ka kërkuar liderëve politikë në Kosovë që të kenë unitet në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Letra është publikuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetet sociale. Në të thuhet se kjo marrëveshje është një mundësi për Kosovën dhe humbja e saj do të ishte kthim mbrapa për një kohë të gjatë. " Unë iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet. Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike".