OKB: Taksa e Kosovës ndaj Serbisë rriti tensionet
Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të përdorin gjakftohtësinë në vendimet që do të marrin në javët në vijim, për të mos rrezikuar dialogun mes tyre.
Duke prezantuar raportin më të fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se problemi më madhor që po përkeqëson raportet zyrtare ndërmjet dy shteteve mbetet qëndrimi për të taksuar me 100 për qind çdo produkt serb dhe boshnjak që hyn në vend. Megjithatë, ai theksoi se kjo masë u vendos në fuqi si kundërpërgjigje kur Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e organizatës ndërkombëtare të Interpolit, edhe me lobimin e Beogradit. Guterres deklaroi: "Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të rriten dhe të ndikojnë negativisht shanset për një dialog produktiv që do të normalizonte marrëdhëniet dypalëshe me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Vijimi i dialogut kërkon lëvizje gjakftohta nga liderët e të dyja vendeve." Raporti për Kosovën i është dorëzuar të gjithë shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB, por ende nuk është njoftuar nëse do të mbahet seanca e planifikuar për ditën e mërkurë, ku UNMIK pritet të parashtrojë arritjet e misionit të vet në Prishtinë. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca mendojnë se situata në Kosovë është e qëndrueshme dhe misioni i përkohshëm UNMIK nuk nevojitet të raportojë çdo tre muaj përpara OKB-së, qëndrim ky që kundërshtohet nga Rusia dhe Kina.