Gjenerali amerikan anulon vizitën në Kosovë për shkak të taksës
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre (mund ta shihni më poshtë) se Qeveria amerikane ka marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Në letrën e komandantit Rama, thuhet se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.
Lajmin për anulimin e vizitës së gjeneralit për shkak të taksës e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Ndërkaq, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtnant Rrahman Rama, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se lidhur me anulimin e vizitës në Kosovë të gjeneralit amerikan Orr, përveç presidentit, e ka njoftuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
Anulimin e kësaj vizite, ai e ka cilësuar lajm jo të mirë për vendin.
“Realisht, nuk është një lajm i mirë. Definitivisht është anuluar vizita e gjeneralit në Kosovë. Orientimi ynë është i qartë dhe bashkëpunimi që e kemi pasur dhe që e kemi deri më tash, pra, falë angazhimit të tyre dhe përkrahjes së tyre, ne jemi këtu ku jemi. Por, nuk besoj që do të vijmë deri në atë masë që këto aktivitetet të anulohen. Është partner i jonë strategjik. Besoj që këto janë vendime politike dhe si pasojë e taksës që është ndaj Serbisë, është marrë ky vendim nga ana e Qeverisë të SHBA-së”, theksoi Rama.
Ai ka shtuar se bashkëpunimin i FSK-së me Gardën Nacionale (të Iowa-s) është një ndër partneritetet më të mira me Shtete e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në biznes, kulturë dhe edukim.
Lidhur me paralajmërimin e mundësisë së anulimit te trajnimeve dhe vizitave ushtarake në SHBA, gjeneral-lejtnant Rama shpreson që nuk do të arrihet deri në atë pikë.
“Këto më shumë janë tash çështje politike, të cilat mua nuk më takon që t’i komentoj. Paralajmërime ka pasur dhe tash ne presim se çka do të ndodhë. Por, gjithmonë jemi me shpresën që nuk do të ndodh dhe nuk do të arrijmë deri te ajo situatë”, ka thënë Rama.
Vizita e gjeneralit amerikan ishte paraparë të realizohet nga data 16 deri më 18 shkurt, për të shënuar 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë prej 100 për qind në importet e këtyre dy shteteve.
Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës.