Thaçi në Londër: Dialogu dhe marrëveshja me Serbinë, zgjidhja e vetme
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i86967-thaçi_në_londër_dialogu_dhe_marrëveshja_me_serbinë_zgjidhja_e_vetme
Nga ambientet e Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, në Londër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimet e tij lidhur me dialogun me Serbinë, si opsion i vetëm i arritjes së një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 05, 2019 16:52 Europe/Tirane
  • Thaçi në Londër: Dialogu dhe marrëveshja me Serbinë, zgjidhja e vetme

Nga ambientet e Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, në Londër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimet e tij lidhur me dialogun me Serbinë, si opsion i vetëm i arritjes së një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.

Gjatë ligjëratës së tij në këtë institut, presidenti Thaçi ka folur për situatën politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, për dialogun dhe synimet euro-atlantike të Kosovës. Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca, thuhet se duke folur për dialogun me Serbinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk është lehtë kur armiqtë e dikurshëm flasin me njëri tjetrin, por dialogu dhe paqja janë zgjidhja e vetme. “Komunikimi dhe dialogu janë mënyra e vetme për të ecur përpara, mënyra e vetme për të arritur paqe, përndryshe do të ngelim peng i së kaluarës dhe çmimin do ta paguajnë gjenerata e ardhshme. Mbes me shpresë dhe optimist se arsyeja do të mbizotërojë dhe se vendet tona do të arrijnë marrëveshje paqeje", citohet të ketë thënë presidenti Thaçi. Sipas tij, një marrëveshje paqeje, ligjërisht obliguese, është në interes, jo vetëm të të dyja vendeve, por edhe Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është shprehur i bindur se mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike, duke shtuar se Kosova do të mbetet shtet dhe shoqëri shumetnike.