Shkarkohet ministri serb që i quajti shqiptarët terroristë
Kyeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi Ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq.
“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook. “Është e pakuptimtë se si një person, deri sot koleg i yni, shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”. “Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”. Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviç, në Zveçan, gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ka mohuar të ketë pasur masakër në Reçak, si dhe shqiptarët e Kosovës, që luftuan për çlirimin e vendit, i quajti terroristë.