Shqipëri, zgjedhje të qeta, por pa opozitën
Në Shqipëri ka përfunduar i qetë procesi i votimit në zgjedhjet lokale. Në 61 bashki qytetarët kanë votuar për kryetarët e bashkive të tyre, megjithëse këto zgjedhje u mbajtën pa partitë kryesore opozitare në vend.
Në 31 nga 61 bashkitë, Partia Socialiste ka qenë pa asnjë kundër-kandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla. Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë deri në orën 15:00 ka qenë 15.5%. Këto votime u mbajtën në kushte jo të zakonshme, nën masa të larta të sigurisë dhe prani të shtuar policore dhe me ndasi të thellë mes të gjithë akterëve politikë të Shqipërisë, duke e vendosur pikëpyetje vlefshmërinë e tyre.Qytetarët e Shqipërisë sikur u vunë mes dilemës dhe vendimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive, apo për të zgjedhur të bojkotojnë totalisht këto zgjedhje. Opozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e tyre dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që “të mos marrin pjesë në një proces farsë”. Krerët opozitarë kanë thënë se këto nuk janë zgjedhje, por vetëm votim për një parti dhe e kanë quajtur ditën e diele si “ditë zie” dhe se “këto zgjedhje janë mono-partiake”. Megjithatë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna. “Ndryshe nga Edi Rama që, për pushtetin e tij personal, është i gatshëm t’i çojë nesër shqiptarët në vëllavrasje, unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, çdo socialisti, çdo qytetari shqiptar. Ndaj për nesër unë kam vetëm një thirrje: Mos bini pre e instinktit të dhunës! Mos bini pre e provokimeve për dhunë”, ka shkruar Basha një ditë më herët. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili ka anuluar zgjedhjet e sotme, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend. Ai bëri të ditur se ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre. Megjithatë, Partia Socialiste ka shpërfillur vendimin e Presidentit dhe e ka quajtur atë jokushtetues, duke vazhduar fushatën zgjedhore e vetme. Përgjatë krejt fushatës, PS-ja u prit me protesta nga qytetarët, të cilët edhe dogjën materialet nëpër disa qendra të votimeve në Shqipëri. Presidenti, një ditë më herë ka bërë thirrje për qetësi për ditën e diele. Presidenti Meta kërkoi nga qytetarët “vetëpërmbajtje dhe sjellje civile e demokratike” gjatë ditës së nesërme. “Shmangni provokimet që mund t'ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, ka shkruar Meta në Facebook. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke iu referuar zgjedhjeve të 30 qershorit, në një intervistë tha se ai dhe partia e tij janë të gatshëm për dialog me opozitën, por se “nuk negociojnë demokracinë”. “Unë kam insistuar për dialog, gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën, këto janë të panegociueshme, gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme”, tha Rama. Që nga muaji shkurt, opozita organizoi vazhdimisht protesta në Tiranë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë të papranueshëm që të jetë në krye të Qeverisë shqiptare në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Shqipëria, përveç krizës politike mes partive dhe institucioneve, është zhytur edhe në një krizë konstitucionale me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në vend mbeti jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut (verifikim apo kontroll i detajuar për zyrtarët publikë) dhe vetëm dy kanë mbijetuar. Ndërkohë, Parlamenti nuk arriti t’i emërojë anëtarët e rinj. Vlefshmëria kushtetuese e votimeve të ditës së diele, por edhe vendimi i presidentit për të anuluar ato, do të mund të vërtetohet vetëm pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën të gjithë akterët e përfshirë po bëjnë thirrje që të krijohet sa më parë.