Haradinaj: Kosova të armatoset
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i89562-haradinaj_kosova_të_armatoset
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar se ekziston hezitim për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për shkak se Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, po thonë se marrëveshjen “nuk mund ta quajnë si njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 16, 2019 18:11 Europe/Tirane
  • Haradinaj: Kosova të armatoset

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka theksuar se ekziston hezitim për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për shkak se Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, po thonë se marrëveshjen “nuk mund ta quajnë si njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”.

 “Kjo po i bie që po na këshillojnë edhe neve që të blejmë ‘Mistral’-a (pjesë e sistemit raketor). Serbinë po e armatosin me ‘Mistral’. Për shembull, Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë ‘nuk mund t’i vëmë emrin marrëveshjes’ se është njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çka të bëjmë ne, pra, nëse emrin nuk mundeni t’ia vëni? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë a është porosi për ne që edhe ne të armatosemi? Pra, nuk ka shumë hapësirë këtu në mes”, tha Haradinaj. Por, presidenti serb Vuçiç e ka arsyetuar blerjen e armëve nga Serbia, duke thënë se po jetohet me frikën nga luftërat dhe konfliktet. “Njerëzit më pyesin se pse blejmë armë. Blejmë armë që të mos na sulmojë askush. Për këtë arsye blejmë armë. Nëse shohin që Serbia është mollë e kalbur, secili do ta marrë atë me lehtësi. Por, nëse e shihni se është e fortë si arrë, atëherë nuk është e lehtë që ta thyeni. Pra, thjeshtë, ne duhet ta bëjmë punën tonë, por duhet t’i kuptojmë edhe gjithë të tjerët. Duhet të shohim se cilat janë edhe kërkesat e tyre”, u shpreh Vuçiç. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia. Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës, për vazhdimin e dialogut. Por, Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të Shteteve të Bashkuara, nuk është zmbrapsur nga taksa.