Serbia të reflektojë, Kosova është shtet i pavarur
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha në një intervistë me mediat amerikane se vendi i tij nuk bën me Serbinë asnjë marrëveshje, e cila cënon sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.
Ai tha se Serbia tenton të krijojë situata përmes të cilave të përfitojë për vete. Zoti Veseli tha se e mbështet idenë e një pezullimi të përkohshëm të tarifës ndaj mallrave serbe për t'i hapur rrugë rifillimit të bisedimeve, nëse kjo do të ishte e nevojshme. Por, sipas tij, një pezullim i tillë nuk mund të jetë i përjetshëm. Zoti Veseli ndodhet në Uashington për takime me anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera. Ai theksoi: "Serbia duhet ta njohë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, territorin në të cilin jemi. Ne, po ashtu, do ta njohim shtetin e Serbisë. Jemi për hapjen e një epoke të re, një epoke të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Kjo do të na lehtësonte ne dhe Serbinë, për faktin se kanë kaluar dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Serbia e di saktësisht se e ka humbur Kosovën. Serbia tenton të manipulojë, të krijojë situata përmes të cilave mendon të përfitojë për vete". I Pyetur për taksën e Kosovës ndaj Serbisë, Veseli deklaroi: Tarifa është një histori e dhimbshme e sjelljes së Serbisë karshi Kosovës. Për dy dekada Serbia nuk i ka njohur produktet e Kosovës, nuk lë qytetarët tanë të qarkullojnë lirshëm. Nëse shikoni sot, i kemi qindra mijëra bashkatdhetarë tanë me fëmijë të cilët presin nëpër kufijtë e Serbisë me Kosovën për t’u futur në Serbi apo për të dalë nga Serbia në Kosovë. Janë të gjitha këto sjellje, të cilat janë destruktive. Ne kemi vendosur tarifa si kundër-reagim ndaj kësaj politike destruktive të Serbisë, por asesi nuk duam që tarifa të përdoret si përgjigje dhe komunikim i yni me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kam ofruar edhe opsionin përmes së cilës ne i themi “Po” Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por duhet të kemi edhe një gjë parasysh në çështjen e tarifës: nuk është mirë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i japin inkurajim Serbisë duke vënë presion të njëanshëm vetëm ndaj Kosovës për çështjen e tarifës, përderisa Serbia na ka vënë ne tarifë që 20 vjet.