Komandanti i NATO-s për Evropë: Dialogu Kosovë-Serbi, garanci për stabilitet
Komandanti Suprem i Aleancës së NATO-s për Evropë, gjenerali Tod Wolters tha se NATO-ja po shqyrton angazhimin e saj në FSK pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri, ndërkohë që bëri thirrje për rifillim të dialogut mes Kosovës e Serbisë pasi sipas tij, dialogu është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme politike.
Wolters ka folur për marrëdhëniet e NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor, raportin me Serbinë dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Tod Wolters theksoi: Një nga prioritetet e mia kryesore është zbatimi i strategjisë ushtarake të NATO-s të vitit 2019, e cila jep një vlerësim të përditësuar të gjendjes së sotme të sigurisë dhe shtrirjen e mbështetjes për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin e forcave ushtarake në Aleancën. Unë inkurajoj të gjithë ushtarakët në Ballkanin Perëndimor që të komunikojnë hapur me njëri-tjetrin dhe që të marrin pjesë në stërvitjet me aleatët e NATO-s, gjë që përmirëson gatishmërinë dhe na lejon të gjithëve të mësojmë nga njëri-tjetri. NATO ka një histori të fuqishme në projektimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Forcat e NATO-s kanë mbajtur paqen në Kosovë që nga viti 1999. Ne kemi ndihmuar Kosovën të krijojë Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s. Në Bosnje dhe Herzegovinë, selia e NATO-s në Sarajevë po mbështet reformën e mbrojtjes për më shumë se një dekadë. Ne gjithashtu kemi një zyrë në Shkup për të mbështetur reformën e mbrojtjes dhe kemi një zyrë në Beograd për të promovuar bashkëpunimin praktik me NATO-n. Pavarësisht nëse duan që t’i bashkohen NATO-s, ne jemi të vendosur të ndihmojmë vendet e rajonit për të zbatuar reforma të rëndësishme për të mirën e të gjitha komuniteteve.