Vetëvendosja: Taksa mbetet, njohje, pastaj dialog me Serbinë
Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në një intervistë për mediat e Kosovës, ka treguar qëndrimin e VV-së, karshi tri temave me rëndësi për Kosovën siç janë dialogu me Serbinë, luftimi i korrupsionit si dhe taksa 100 për qind ndaj shtetit serb.
Aliu ka thënë se, korrupsionin mund ta luftojnë ata që janë të pa korruptuar dhe që janë të guximshëm. " I gjithë opinioni, shoqëria civile, mediat, do të kenë qasje në çdo dokument të shohin çdo para se ku po shpenzohet, ky do të jetë hapi i parë, duhet vullnet për luftimin e korrupsionit përbrenda”, ka thënë Aliu. Ndërsa sa i përket taksës 100 për qind ndaj Serbisë, deputeti tha se Vetëvendosje gjithmonë ka qenë pro reciprocitetit me shtetin serb. “Ne e kemi mbështetur taksën, do ta thellojmë reciprocitetin me shtetin serb. Reciprociteti me Serbinë do forcojë Kosovën”, ka theksuar ai. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, Aliu tha se duhet të ndodhë ndryshimi sa i përket negociatave. “Deri tani kemi pasur dialog në Bruksel, Thaçi ka pasur takime me Vuçiqin dhe është krijuar përshtypja para faktorit ndërkombëtar se gjithçka është në rregull, ndërkohë që në terren situata është krejtësisht tjetër, kemi thellim të ndasisë, përmes pakos së Ahtisarit. Kemi afërsi të shtresave të larta, kurse situata në terren është e rëndë për serbët dhe shqiptarët. Prandaj duhet t’i jepet përparësi dialogut në nivel lokal".