Serbia humb mbi 1 milion euro në ditë nga taksa e Kosovës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i90348-serbia_humb_mbi_1_milion_euro_në_ditë_nga_taksa_e_kosovës
Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq thotë se dëmi që i shkaktohet Serbisë nga futja e taksës për mallrat serbe është rreth 1.07 milion euro në ditë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 21, 2019 17:17 Europe/Tirane
  • Serbia humb mbi 1 milion euro në ditë nga taksa e Kosovës

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq thotë se dëmi që i shkaktohet Serbisë nga futja e taksës për mallrat serbe është rreth 1.07 milion euro në ditë.

"Jo vetëm kaq. Dëmi indirekt është shumë më i madh, që është një humbje e tregut për biznesmenët serbë edhe kur taksa të hiqet" theksoi për TV Pink.  Ai shtoi se heqja e taksës do të ishte domethënëse për biznesmenët serbë, por që ata nuk do të ktheheshin lehtësisht në atë treg, sepse biznesmenët e vendeve të rajonit e morën atë me mallrat e tyre. "Tregu i Kosovës është zënë nga të tjerët" u shpreh ai. Autoritetet kosovare vendosën taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia në nëntorin e vitit të kaluar. Ljajiq thotë se humbja vjetore kap shifrën e 400 milionë eurove. Serbia i ka kërkuar administratës amerikane të rritë presionin mbi Kosovën për heqjen e tarifave të njëanshme të vendosura nëntorin e kaluar. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, deklaroi të martën (20 gusht) pas takimit në Nju-Jork me kryediplomatin amerikan, Mike Pompeo, se ky hap do çonte menjëherë në rihapjen e dialogut me Prishtinën. Nga ana e tij, zyrtari i lartë amerikan, Pompeo, theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.