Trump, Serbisë: Kosovën për 10 miliardë dollarë!
Pak ditë më parë, Aleksandër Vuçiç ishte për një vizitë në Uashington ku u takua me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.
Biseda e tyre ka pasur në qendër të saj dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd si dhe një marrëveshje finale mes dy vendeve. Raportet në shtypin kosovar tregojnë se Pompeo i ka bërë presion Vuçiçit për ta njohur më në fund pavarësinë e Kosovës. Vetë kreu i shtetit serb e kishte lënë të kuptohej një gjë të tillë pas kthimit nga SHBA, kur tha se Serbinë e pret një vjeshtë, dhe një dimër i vështirë. Por ndërkohë, në mediat serbe po qarkullon një lajm i pakonfirmuar ku thuhet se presidenti Donald Trump është i vendosur ta zgjidhë këtë çështje deri në mesin e vitit 2020. Për këtë arsye, ai sipas gazetës serbe “Informer”, ka në plan t’i dhurojë Serbisë një shumë prej 10 miliardë dollarëve, 14 avionë luftarakë F-16 si dhe anëtarësimin ne Bashkimin Europian deri në vitin 2024. Burimet të cilave u referohet gazeta, thonë se “Trumpi ka dalë me idenë t`i ofrojë Serbisë një plan të ngjashëm me atë “Marshall” për Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore. “Informer” pretendon se një ofertë e tillë do t`i përcillet Beogradit përmes përfaqësuesit të sapoemëruar special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.