Sami Frashëri / V E P R A 9 (Pjesa e dytë)
Titulli i origjinalit:Ch. Samy-Bey FrascheryKÂMÛS AL-A’LÂMShënimKëtë vepër e botojmë me numrin rendor 9 për ta ruajtur vazhdimsinë e veprave të Sami Frashërit të botuara në Shtëpinë botuese Rilindja në Prishtinë.E falënderojmë përzemërisht Redaksinë e botimeve të Rilindjes për pëlqimin e dhënë dhe për mirëkuptim.nga botuesi.
SHQIPTARËT
Janë një komb që banon në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik d.m.th. të Rumelisë së Shtetit Osman. Fjala “arnaut” rrjedh nga fjala greke “arvanit”. E kemi sqaruar se edhe kjo fjalë është marrë nga fjala “arban” të cilën e përdorin shqiptarët. (për “arban” dhe “arbanija” flasim tjetërkund – nënvizim i Samiut) .Ky komb banon në Gadishullin Ballkanik që nga kohët shumë të hershme që nuk ka mundur ta shënojë historia. Kjo është dëshmuar shumë herë. Ndonëse ka qenë në raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka jetuar i ndarë nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar të përzier me kombe dhe popuj të tjerë dhe, meqë asnjëherë nuk është shikuar si i bashkuar dhe se ka gjuhën e tij kombëtare, deri më tash (lexo në kohën e S. Frashërit – M.P.) ka mbetur në një gjendje të panjohur. Ndonjëri nga historianët evropianë mendon se ky popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana e Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani; ndonjëri thotë se rrjedhin nga sllavët, kurse ndonjë del e thotë se shqiptarët janë një popull që ka mbetur në një gjendje të egër e që rrjedh nga grekët. Çdonjëri prej tyre, pa dyshim, është larg të vërtetës. Edhe disa historianë tanë kanë supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka ardhur nga Arabia. Ç’është e vërteta, të gjithë këta e kanë ditur që në gjuhën e tyre ka ngjashmëri me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten ose që ka fjalë të përziera, por kanë menduar se këto fjalë janë marrë nga ato gjuhë. Më në fund, kur disa studiues të mirëfilltë evropianë u thelluan në studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në çfarë raporti qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me gjuhët: latine, sllave, gotike. persiane dhe sanskrite. Duke marrë në shqyrtim esencën e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht edhe historinë e tyre, kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e popullit shqiptar, prej nga ka ardhur dhe çka u bë me të. Kjo çështje që kishte mbetur me shekuj në një gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është zgjidhur në tërësi dhe është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri nga degët më të lashta të kombeve të Azisë dhe të Evropës të quajtur “Aria”.Nëse i jepet rëndësi çështjes së fjalëve shqipe që janë në lidhje dhe të ngjashme me gjuhën e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe gjer-mane, pastaj me të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të cilat rrjedhin nga këto gjuhë, në njërën anë, dhe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu do të zgjasë shumë dhe për lexuesin tanë, meqë do të flitet për dy çështje abstrakte (të panjohura), do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të themi që, po të bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve të gjuhës shqipe, do të mbesin shumë pak fjalë që nuk do të kenë raporte dhe ngjashmëri me një ose me disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo, nuk mund të konstatohet në mënyrë bindëse se këto fjalë janë marrë nga ndonjë gjuhë tjetër, sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore të të cilave janë në gjuhën shqipe, dallohen nga format rrënjore të fjalëve të gjuhës së vjetër greke dhe latine. Edhe ky është një argument që provon se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e vjetër greke dhe ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më i vjetri. Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë shqipe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite më shumë se të gjitha gjuhët e tjera ariane të Evropës, tregojnë se gjuha shqipe nuk është e një dege me gjuhët latine, greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë arianë.Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore. Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në Evropën Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur. Ja pra, edhe shqiptarët është e mundshme të kenë ardhur në ato kohë, d.m.th. ose pak para, ose pak pas tyre. Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa ngjashmëri të tjera specifike tregojnë qartë se këta dy popuj kanë ardhur njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Keltët u vendosën në perëndim, kurse shqiptarët në lindje të Evropës. Ndërkaq, shumë më vonë, në veri të Evropës erdhën e u vendosën totonët dhe sllavët. Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh” ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe “plak” (ar., turq. ihtijar dhe kadim) që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër, Sido që të jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të Anadollit.Helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që, duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u asimiluan.Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që do të shihet në vazhdim, ishin të ndarë në katër degë:1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme , në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci.2. Maqedonasit (e lashtë – M.P.); banonin në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin Karasu dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit.3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub.4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas.Katër popujt që i numëruam, është argumentuar bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në veti dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën anë, dhe trakasit me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre katër popujve ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit dhe heronjtë grekë ishin tubuar për ta sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga frigiasit, historikisht është vërtetuar se shumë nga Maqedonia e lashtë dhe Trakia u kishin shkuar në ndihmë trojanëve kundër grekëve. Disa emra që ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë maqedonase, frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët e gjuhës shqipe që përdoren sot. Veçanërisht Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke, që është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë se është fjalë shqipe “bukë” (turq. ekmek) që përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Edhe Straboi që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit (e lashtë – M.P.) janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë “plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja” dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i quajnë “plakonja” (pleqni – M.P.).Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt që u përmendën më lart rrjedhin nga pellazgët, poashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë qe dy mijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri). Përveç kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe më shumë fakte e argumente që provojnë se pellazgët e vjetër dhe shqiptarët e tashëm janë të një race dhe kanë gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët e vjetër grekë tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër dhe të romakëve janë marrë nga pellazgët e vjetër. Edhe emrat e perëndive romake e greke, sikurse është treguar qartë, janë të pellazgëve, pra, të shqiptarëve të vjetër.Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t’i zmadhoj gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Trieshta deri në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme (lexo: në kohën e Samiut – M.P.).Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin. Po t’i shikojmë të dhënat historike të Strabonit, vërejmë se – thotë Samiu – mënyra e jetesës së tyre që ka qenë në ato kohëra, vazhdon edhe sot në Malësinë e Dibrës dhe të Shkodrës. Për këtë arsye, duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë një shtet ose të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të krijojnë një letërsi kombëtare. Edhe njerëzit e mëdhenj (të ditur) që ka pasur ky popull, kanë qenë të detyruar të mësojnë në ndonjë gjuhë tjetër dhe me atë gjuhë kanë qenë të shtrënguar të gjenden në punët shtetërore. Në këtë mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë në ngritjen dhe famën e popullit që i kanë takuar. Të jetuarit në këtë mënyrë, ka ruajtur në gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre dhe ka qenë shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime.Shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e tyre dhe nga këshillat pleqërorë, nuk është dokumentuar historia e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri ishte në Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret e Janinës dhe, i treti në një qytet të vjetër Pella i cili ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si shtet i Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht (për Maqedoninë flasim tjetërkund – nënvizim i Samiut). Ky shtet u bë i njohur me ngjarjet shumë të mëdha që mund t’u thuhet madje të jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i menjëhershëm i shumë vendeve të botës që nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë kohë e deri në Indi nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq. Iskender Zülkarnejn) i biri Filipit. Vetëm se për shkak të rrethanave të njëjta që u përshkruan për shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar në gjuhën greke. Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë ushtarët që merrnin pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë ishte maqedonas për nga origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është e ditur se ai nuk i ka dashur grekët, i ka konsideruar popull të madh. Mbreti më i njohur i mbretërisë së Epirit ishte Pirroja, i cili dy herë i kishte mundur romakët. Edhe pse kishte ngadhënjyer dhe ishte zgjëruar deri në Greqi dhe Egjipt, dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më tepër, kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që kishte gjetur nga babai i tij. Edhe nga mbretërit e Ilirisë që kishin fituar famë më të madhe, ishte mbretëresha Teuta dhe mbreti Genci i Parë (Gjençoja) = kështu e përdor Samiu në: “Shqipëria çka qenë…” – M.P.).Shqiptarët, të cilët së bashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t’u nënshtrohen lehtë romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha, për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë. Ja, që nga ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli. Nga njëra anë u gjendën nën romakët, nga ana tjetër, për të mos u marrë nëpër këmbë nga avarët, hunët dhe popuj të tjerë gjakpirës, shkatërrimtarë dhe të egër, të cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe sulmuan nga anët veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të rrafshta, kurse një pjesë, duke braktisur në tërësi atdheun e tyre, u detyruan të ikin në Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore dhe në ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve, afër gjysma e kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht, në ujdhesat greke dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq, ata që mbetën në Shqipëri u tërhoqën në vende të sigurta natyrore. Meqë gjithnjë jetonin me armë në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe bizantinë. Në të vërtetë, këta udhëhiqeshin në mënyrë të pavarur nga kryetarët e vet, sikurse në të kaluarën dhe këta kryetarë dalëngadalë merrnin gradën e princit ose mbretit. (…) Edhe disa qytete dhe kala që ishin në brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve.Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve Osmanë dhe luftëtarëve muslimanë. Sado që disa prej princave deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke parë forcën dhe potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë, prandaj gati të gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin disa privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo, më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta princa, të cilët vetë e njohën atë për prijës dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit e tjerë të krishterë të Evropës, me qëllim që ta prëdorin si mbrojtës, atë e trimëronin dhe e stimulonin të luftojë kundër turqve osmanlinj. Ndonëse i premtonin se do t’i shkonin prapa dhe se do t’i ndihmonin, këtë nuk e bënë kurrë. Skënderbeu hyri në luftë me Osmanlinjtë. Luftoi 40 vjet rresht . Duke u bazuar në pozitën strategjike natyrore të vendit dhe, duke besuar në premtimet e Papës dhe të mbretërve evropianë, ndonëse e shihte se ata dëshirojnë ta përdorin si një mjet, të futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet në zjarr e flakë plot gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut, tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman. Edhe gjatë asaj kohe disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Siqeli të Italisë, e një pjesë prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë, Marsej, bile edhe në Spanjë. Vetëm se ata që u vendosën në Kalabri dhe Siqeli, meqë formuan fshatra të pastra shqiptare, kanë ruajtur deri më tash gjuhën racën dhe fenë e tyre, numri i të cilëve arrin përafërsisht 250 mijë (dyqind e pesëdhjetë mijë).Kështu, pasi shqiptarët hynë nën administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame. Pas pranimit të Fesë islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë, kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në ortodoksë dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak dhe bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombës i tyre, u bënë të përbashkët me osmanlinjtë, kaluan në ngritjen dhe famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe nidhmës në zgjërimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e formimit të ushtrisë së rregullt e të organizuar të gjithë shqiptarët ishin pjestarë të ushtrisë së armatosur të përhershme të shtetit. Kur urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar lartë shërbimet dhe miqësinë e tyre, ua besonte pozitat më të larta shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në shtetin Osman; vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadriazema (kryeministra) ishin 25, madje, në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e Sulltan Selimit të parë dhe Sulltan Sulejmanit, arritën të bëhen sadriazema nga pesë herë. Sinan Pasha, i cili me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe në Açin e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë kohë, e shpëtoi Shtetin Osman nga shkatërrimet më të mëdha, pastaj, Qypërli Mehmed Pasha me fëmijët dhe nipërit e tij, me ndihmën e Zotit, patën sukses të ngadhënjejnë në rrethimin e Vjenës dhe Shtetit Osman t’ia kthejnë përsëri renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e të tjerët, ishin personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë (të popullit shqiptar – M.P.).Shqiptarët në përgjithësi janë shtatlartë, ashtgjerë dhe me nerva të forta dhe veçanërisht dallohen me kokën e tyre të madhe dhe ballin e lartë, gjë që vërteton zgjuarsinë e madhe natyrore të tyre. Me të vërtetë fëmijët shqiptarë që dërgohen për të mësuar dhe për t’u edukuar, ndonëse kanë mësuar në gjuhë të huaja, është parë që për një kohë shumë të shkurtër kanë përparuar. Kombi shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj, si p.sh. Ali Efendi Gjakovën dhe Hoxha Tahsinin, të cilët vdiqën tash vonë, pastaj edhe shumë shqiptarë që u dalluan me zgjuarsinë dhe dituritë e tyre të cilët ishin të barabartë me ata të Universitetit të Athinës dhe Romës. Janë dëshmuar edhe aftësitë e shqiptarëve të krishterë të Greqisë dhe të Italisë. Kapedanët, kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në mënyrë vetëmohuese morën pjesë në revolucionin për pavarësinë e Greqisë, prej të cilëve më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari, Bollgarisi, Bubulina, ishin shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë prej atyre që ia zbardhën fytyrën dhe i ndihmuan Garibaldit në bashkimin nacional italian ishin shqiptarë të Italisë. Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht, shqiptarë ata që ende udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë drejtuar flotën e tyre, poashtu edhe nga shqiptarët që janë në Itali ka shumë njerëz të ditur, të vyeshëm, poetë, shkrimtarë etj. Nga ky popull arritën të bëhen edhe papë, siç është Klemani i njëmbëdhjetë. Mendoj që mjafton të përmendet se nga ky komb është zotëri Krispi, i cili e udhëheq diplomacinë e Italisë edhe në ditët e sotme.Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë. Vetëm se për pak gjë dhe për çështje shumë të parëndësishme bien në mosmarrëveshje. Janë seriozë dhe të sinqertë, nuk duan shaka të tepruara, tallje dhe fjalë të parëndësishme. Ecin shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje elegente dhe qëndrim krenar. Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe shtatgjate, sidomos janë të bollshme dhe pak me fytyrë burrërore. Në çështje të moralit janë shumë të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado pak del jashtë moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të afërmit. Gratë shqiptare janë shumë punëtore dhe të denja. Në shtëpi kanë pavarësi të plotë, kurse burrat konsiderohen si musafirë. Meqë i kushtojnë shumë rëndësi çështjes së prejardhjes së familjes (sojit), të gjithë, për t’i dhënë vajzat e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang, shpeshëherë i japin larg. Nuk e kanë zakon t’u japin vajzave të tyre pjesë nga pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë bëhen nga ana e burrit . Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë të forta, më shumë i kushtojnë rëndësi punës dhe nuk kanë fanatizëm. Janë të ruajtura dhe të pranishme edhe sot disa zakone dhe rite të mbetura nga feja e vjetër, qoftë te muslimanët, qoftë te ortodoksët. Në mes njerëzve që u takojnë feve të ndryshme ka një dashuri dhe mirëkuptim të plotë.Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit është si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë e kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë disa libra në prozë dhe poezi me tematikë fetare katolike të shkruara para 400-500 vjetësh; poashtu ekzistojnë disa këngë popullore të ruajtura që nga shekulli XV. Dallimet e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë vetëm në atë se janë përdorur në atë kohë; tash në vend të tyre muslimanët përdorin disa fjalë e shprehje arabe, kurse të krishterët disa fjalë e shprehje greke. Edhe pas pranimit të Islamit në Shqipëri kemi shumë poetë e shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të ndryshme nga lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize), pastaj mevludin për Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë etj. Të gjitha këtyreve mund t’u thuhet, zakonisht, një letërsi. Mirëpo, meqë muslimanët kanë shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe katolikët me alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me fjalë dhe shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin e letërsisë të popujve të huaj, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur të zë vendin e saj të meritueshëm. Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që, së paku, kanë mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë, kanë mundur të zënë këtë vend. Ortodoksët, të krishterët toskë, ishin duke u greqizuar, sepse, që atëherë, vazhdimisht punonin dhe mësonin sipas shkencës greke. Edhe insti-tucionet greke ndihmuan në këtë dhe, sado që te një pjesë arritën deri diku të ndikojnë të harrojnë gjuhën e tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip që i kanë sistemuar më vonë. Në Toskëri janë hapur disa shkolla të posaçme për të mësuar shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar në ruajtjen e kombit. Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan ta urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë.Shqiptarët që janë në shtetin Osman janë rreth 2 milionë, prej tyre 2/3 janë të besimit islam. Edhe shqiptarët që janë në Greqi dhe në Itali janë mbi 500 mijë. Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më tepër në vendet malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk mund t’i furnizojnë me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej tyre merren me zanate dhe tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit në çdo anë të shtetit Osman, pastaj duke shërbyer me rrogë në ushtrinë osmane dhe në xhandarmëri, shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke qenë larg grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të tyre, vonë, e disa duke u martuar jashtë vendit të tyre, duke u shpërngulur e duke marrë pjesë vazhdimisht nëpër luftëra bëri që numri i tyre të mos jetë i madh.Nga të parët që e kanë bërë të njohur në Evropë kombin shqiptar, origjinën dhe gjuhën e tyre, kanë qenë dr. Hahni, i cili një kohë të gjatë ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull i Austrisë; linguisti i famshëm Bopi, Dora d’Istria, e cila është vetë shqiptare dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si princa në Rumani, pastaj shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri Krispi, Kamarda, De Rada e të tjerë, të cilët kanë shkruar shumë vepra në gjuhët gjermane dhe italiane, përkitazi me shqiptarët .
ABAZ PASHA
Është valiu i tretë i dinastisë së Mehmed Ali Pashës në Egjipt. Është djali i Tosunit të Mehmed Aliut. Lindi në vitin 1220/1805 .Pas vdekjes së mixhës së tij, Ibrahim Pashës në vitin 1255/1848 dhe tërheqjes së gjyshit, Mehmed Aliut, në Stamboll, këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, iu dha fermani i Valiut. Kështu, pasi qeverisi territoret e Egjiptit pesë vjet, deri në vitin 1270/1853, në këtë vit papritmas vdiq. Këtë e trashëgoi mixha i tij Seid Pasha. Ishte njeri i shëndoshë .ABDYL BEU (FRASHËRI)
(Abdullah Hysni beu i biri i Halid beut)Është vëllai i madh i autorit të ngratë i njohur dhe i quajtur frashërli. Lindi në kohën e ardhjes së lartmadhërisë së tij Sulltan Abdylmexhidit në fron, d.m.th. në vitin 1255/1839 në katundin Frashër (i cili është qendër e nahisë së Dangëllisë në kazanë e Përmetit, që i takon sanxhakut të Gjirokastrës së vilajetit të Janinës). Që kur i kishte 14 vjet u gjend në kufirin e Greqisë me ushtrinë ndihmëse së bashku me babain e vet. Aty kohën e qetësisë dhe të lirë e kalonte duke mësuar. Kur i kishte 18 vjet, i vdiq i ati dhe kështu ai mbeti mbikëqyrës i familjes shumanëtarëshe. Për shkak të mbajtjes së familjes, ishte i shtrënguar të punojë në Drejtorinë për mbledhjen e tatimit (xhelepit), në Sekretariatin për mbrojtjen sociale dhe në detyra të tjera. Pas dy vitesh, kur i vdiq edhe e ëma , për ta mundësuar shkollimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël , lëshoi vendlindjen dhe u transferua në Janinë. Këtu, përveç që merrej me punët e tij zyrtare, si dhe me kujdesin dhe furnizimin e familjes, në kohën e mbrëmjes, së bashku me vëllezërit e tij në formë bisede e konsultative, mësonte dhe ushtronte gjuhët: arabe, persiane, frënge dhe greke si dhe veprat letrare. Pasi vëllezërit e tij e mbaruan shkollimin, ai në moshën 35 vjeçare u martua. Meqë u ballafaqua në disa tentime dhe kërcënime nga ana e Greqisë lidhur me çështjen e ndërrimit të kufirit grek (në dëm të Shqipërisë – M.P.), së bashku me disa personalitete tjera të Janinës, duke marrë leje, u kthye në vendlindje. Që nga ajo kohë nuk mbeti pa shpenzuar pasurinë dhe fuqinë kundër aneksimit të anëve të Janinës dhe të Prevezës Greqisë. Në këtë çështje tregoi një kujdes dhe një vullnet të jashtëzakonshëm. Për këtë qëllim ai shpenzoi edhe pasurinë prej disa mija lirash që sa e sa vite i kishte mbledhur me mundim dhe me punë. Argumentonte se anët e Janinës dhe të Prevezës kurrë nuk i kanë takuar dhe nuk kanë qenë të lidhura me Greqinë. Duke shëtitur nëpër kabinetet e shteteve të mëdha, së bashku me Mehmet Ali bej Vrionin (pastaj pasha), arriti që në këtë çështje të tregojë të vërtetën. Në saje të përpjekjeve dhe zgjuarsisë së tij, duke kundërshtuar vendimin e Kongresit të Berlinit për çështjen e ndërrimit të kufirit të Greqisë, anët e Janinës dhe të Prevezës mbetën në kuadër të shtetit Osman. Po ashtu, meqë kundërshtonte edhe qëndrimet dhe pretendimet e Serbisë dhe të Malit të Zi ndaj Shqipërisë, inkuadrohet në “Komitetin e Lidhjes” që ishte formuar në Prizren. Atëherë ra në një gjendje të vështirë, sepse duke u komentuar mbrapsht qëllimet e tij të vërteta dhe patriotike nga ana e disa qëllimkëqinjëve (Nga ana e atyre që nuk ia duan të mirën as vetes), tre vjet qëndroi i burgosur në kalanë e Prizrenit dhe në kohën prej afër dy vjetësh, së bashku me familjen e tij qëndroi në Ballëkesir dhe në Bandërma . Më 1303/1885, duke kërkuar falje te sulltani, vjen në Stamboll. Pas një kohe u caktua anëtar në Këshillin e sigurimit të qytetit (Stambollit – M.P.). Por, nga mundimet dhe torturat e vazhdueshme në burgun e Prizrenit dhe nga sëmundjet e tjera e pastaj edhe nga brengat e mërzitë, e kaploi sëmundja e parakohshme e pleqërisë. Pasi katër vjet e kaloi kohën si rob i shtratit, më 1310/1892 vdiq dhe i ndjeri tash është në varrezat e Merdiven-köz-it.Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, ishte i durueshëm dhe i mësuar në mundimet dhe torturat trupore; ishte trim i madh; ishte i prirur dhe i gatshëm të bëjë të mira të llojllojshme; ishte bamirës dhe shpirtgjerë; ishte bujar dhe fisnik; ishte një njeri që më shumë e donte rehatinë për të tjerët sesa për vete. Madje edhe vdekja e tij ishte madhështore ashtu sikurse edhe jeta, sepse dha shpirt duke folur dhe duke thënë fjalë burrërore dhe këshilla të arsyeshme, me vend. Ky përshkrim imi nuk është shkak, motiv i ndjenjave vëllazërore, por shpresoj se ata që e njohin më për së afërmi do të pohojnë se janë të vërteta. La trashëgimtarë të mirë një djalë dhe një vajzë të vogël , të cilët i la nën kujdesin tim (të Samiut – M.P.) .AHMED PASHA
Është nga vezirët i cili u përparua në gradën e kryeministrit (sadriazem) në kohën e Kanuni Sulltan Sulejmanit . Është shqiptar, poashtu. Nga oborri i Sulltanit doli me gradën kapuxhi-bashë , e më pastaj u bë aga i jeniçerëve dhe bejlerbe i Rumelisë. U bë dhëndërr i sadriazemit (kryeministrit) Rrustem Pasha. Sado që u dërgua serdar (komandant ushtarak) në anët e Rumelisë, nuk u paraqit dot në këtë shërbim. Në vitin 987/1579 u avancua në gradën e sadriazemit, por, pas gjashtë muajsh në këtë post, vdiq nga një sëmundje e rëndë. Sado që ishte shumë pasanik, nuk ishte i respektuar nga masa. Ishte një njeri i pa marrur vesh dhe i panjerëzishëm; kishte shprehi të hidhërohej vend e pa vend .AHMED RIFAT PASHA
Është djali i Ibrahim Pashës (nipi i Mehmed Ali Pashës – M.P.). Lindi në Egjipt në vitin 1241/1825. Mori pjesë në luftërat e Sirisë bashkë me babain e vet, mirëpo për të vazhduar studimet, u dërgua në Paris në akademinë ushtarake. Kur i vdiq i ati, u kthye për në Egjipt. Partia e cila ishte kundër Abaz Pashës , që ishte në krye të qeverisë, duke pasur për qëllim ta ndihmojë vendin nga ajo që kishte mësuar, këtë deshti ta vë në krye të detyrës. Edhe pse ai nuk u përzie në këtë punë, kur pa se ngjalli dyshimin te Abaz Pasha, më 1267/1850 vjen në Stamboll me ç’rast Abdylmexhidi e pat nderuar me gradën gjeneral (ferik). Pas tre vjetësh kthehet në Egjipt për t’u bërë vali i Egjiptit te Seid Pasha. Qe emëruar anëtar i Mexhlisit (Këshillit) e pastaj, anëtar i Riasetit (Kryesisë). Pas Seid Pashës iu caktuan pozita të larta në vilajet, mirëpo, duke qenë në këto pozita, më 1273/1856 me rastin e fundosjes së një vagoni në lumin Nil, në të cilin ndodhej edhe ky, u mbyt .
AJAZ PASHA
Ishte nga burrat e kohës së Javuz Sulltan Selimit. Në pozita të larta shtetërore (sadriazem) arriti në kohën e Sulltan Sulejmanit. Është shqiptar. Nga oborri mbretëror doli me gradën aga, e pastaj u bë aga i jeniçerëve (komandant i jeniçerëve). Në ekspeditën e Egjiptit, përveç që tregoi trimëri dhe shkathtësi, pati sukses edhe në dhënien e disa propozimeve të dobishme, prandaj, fitoi simpati dhe dashuri te padishahu i sipërpërmendur. Pasi erdhi në fron Sulltan Sulejmani, u bë bejlerbe i Anadollit. Pas kryengritjes së çerkezit Xhanberdi Gazaliut dhe vrasjes së tij, u emërua edhe vali në vilajetin e Sirisë (Shamit). Në pushtetin e Rodosit ishte bashkë me padishahun e tij. Këtu tregoi dhe pati rezultate shumë të mëdha. Mirëpo, ndërkohë ra në sy të keq te padishahu. Sado që u avancua në grada dhe sado që u burgos, së shpejti u fal dhe iu kthye grada dhe detyra e nëpunësisë. Mori pjesë në ekspeditën e Moldavisë , pastaj edhe në rrethinën e Korfuzit bashkë me Hajredin Pashë Barbarosën. Meqë tregoi rezultate dhe shërbime të shkëlqyeshme, më 942/1535, ndonëse ishte veziri i dytë (me gradë), bëhet kryeministër (sadriazem) në vend të Ibrahim Pashës. Ashtu siç ishte i suksesshëm në udhëheqjen e punëve shtetërore me drejtësi të plotë në postin e kryeministrit që i zgjati katër vjet, poshtu ishte i njohur për të mos nënçmuar dhe për të mos fyer askënd. Më 946/1539, pas një sëmundje që i paraqitet duke qenë në postin e kryeministrit, vdiq. Nuk ka ndonjë të metë në jetën e tij, përveç se ka qenë feminist i madh. Kur vdiq i kishte më se 20 fëmijë . Nuk mund të tregohet saktësisht se cila ishte vendlindja e tij në Shqipëri. Sipas disa fakteve historike, thuhet se vëllezërit e tij dijetarë kanë jetuar në Vlorë dhe është e sigurt se ka prejardhje nga ato anë .
AJAZ PASHA
Edhe ky është shqiptar. Është vëllai i kryeministrit, Sinan Pashës, i njohur si pushtues i Jemenit. Gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit u caktua bejlerbe i Erzurumit. Për shkak se ia mundësoi dhe ia lehtësoi ikjen për në Iran Shehzade Bajazit Han-it, i cili shpalli kryengritje në Anadoll, më 966/1558 në Erzurum u dënua me vdekje nga ana e Sulltan Selimit të Dytë. Djali i tij Mustafa Pasha gjendej në luftën e Vllahisë me mixhën e tij Sinan Pashën .
ALEMDAR OSE BAJRAKTAR MUSTAFA PASHA
Eshtë nga vezirët që kaloi në postin e sadriazemit në fillim të ardhjes në fron të Sulltan Mahmut Hanit II. Është nga Rushçuku dhe sipas një varianti është shqiptar. Në kohën e Sulltan Mustafa Hanit, tuboi një grup ushtarësh për të marrë pjesë në ekspeditën ushtake kundër Rusisë. Meqë e mbante flamurin (bajrakun) në këtë ekspeditë, u bë i njohur me emrin alemdar ose bajrakdar. Më pastaj, në dredhi të Pasbanogllit , i ndihmoi Tersnikli-zades, ajan i Rushçukut dhe me ndërmjetësimin e tij u emërua anëtar në Këshillin e Rezgredit dhe u shpërblye me gradën kapuxhi-bashë. Më vonë, kur u vra Tersnikli-zade, ajanët e atyre anëve dhe ithtarët e të përmendurit e panë të arsyeshme (u pajtuan) që Bajraktar Mustafai të kalojë në Këshillin e Rushçukut në vend të tij. Zaten, që atëherë vetë u bë i njohur me trimëri dhe guxim, kurse me tregtinë e gjedhave dhe me punimin e tokës u bë pasanik i madh. Meqë ishte bujar, fisnik dhe zemërgjerë, fitoi famë të madhe në tërë territorin e Rumelisë. Fuqia e forca e tij si dhe armiqtë shtetërorë ishin bërë preokupim i tij. Duke qenë ithtar i sektës bektashiane, fitoi simpatinë e jeniçerëve. Mirëpo, kur Sulltan Selim Hani III u përpoq të bëjë reforma ushtarake, grupi rebelues i jeniçerëve më nuk e përfillnin këtë, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sepse e gjetën në disa marrëveshje dhe korrespondenca të fshehta (me Sulltan Selimin III – M.P.).Më vonë, kur filloi lufta e Rusisë, u bind personalisht se ushtria e jeniçerëve (Yeniçeri oca¤¢) erdhi në një gjendje që më nuk do të mund të ketë sukses në punë. Për këto shkaqe si dhe për shkak të lëvizjes që dikur e bëri kundër përpjekjeve për reformimin e detyrave ushtarake, ai u pendua . Në luftën e përmendur në brigjet e Danubit qëndroi kundër armikut me një trimëri të madhe dhe për shërbimet e mira u shpërblye. Në vitin 1221/1806 u shpërblye me grada të vezirit: me daulle, me flamur dhe me gunë të padishahut… Mirëpo, mosrregullësia e janiçerëve dhe intrigantët e tij i shkaktonin humbje, prandaj, Bajraktar ose Alemdar Mustafa Pasha, për ta shpëtuar nga një gjendje kaotike dhe të rrezikshme ardhshmërinë e shtetit (Osman – M.P.), bisedoi me ushtrinë e jeniçerëve për reformimin dhe qëllimin e Sulltan Selimit III; ua bëri me dije se nuk ka rrugëdalje, veçse të bëhen reforma në ushtri. Duke u konsultuar për këtë çështje edhe me disa burra shtetesh, me ushtrinë e Rumelisë arriti në Edrene dhe propozoi që prej aty të nxjerrë sanxhak-sherifin. Me të hyrë në Stamboll, Sullan Mahmud Hani II hipi në fron dhe, posa erdhi ky në fron, këtij ia besoi detyrën e kryeministrit (sadriazem) .
ALI PASHË TEPELENA
Ishte vali dhe derebeg në Janinë plot 33 vjet në kohën e Sulltan Selim Hanit III, Sulltan Mustafa Hanit IV dhe Sulltan Mahmud Hanit II. Ishte një vezir i cili me veprimet e tij të jashtëzakonshme, me vrazhdësinë dhe pamëshirshmërinë e tij fitoi famë të lartë. Lindi në vitin 1145/1732 në kasabanë e Tepelenës në Shqipëri. Gjyshi i tij, Ali Pasha, fitoi gradën mir-miran. Kur në luftën e Korfuzit e sulmoi kalanë, tregoi një trimëri dhe guxim të madh, por u vra. I la pas vetes tre djem. Të mëdhenjtë e lanë pa trashëgimi Veli beun, babain e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, prandaj, Veli beu ishte i shtrënguar të merret me vjedhje. Pasi u pasurua dhe u përforcua në këtë mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit e tij i dogji në shtëpitë e tyre. Për këtë shkak bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga krahina e tyre. Më pastaj Veli beu vdiq. I kishte dy gra; me të parën kishte një djalë, kurse me të dytën një djalë dhe një vajzë. Bashkëshortja e dytë me emrin Hanko, nga Konica , ishte një grua trime, energjike dhe e ashpër. Ajo për t’iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri marrëveshje me ish-shokët e ngushtë të bashkëshortit, kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte për hakmarrje dhe që të jetë sa më i ashpër ndaj tyre. Në mes bejlerëve të kasabasë së Kardhiqit, e cila i takonte Gjirokastrës dhe familjes së Ali Pashës prej kohësh kishte hasmëri. Meqë kardhiqasit për Hankon, nënën e Aliut dhe për motrën e saj, Shaensanë, kishin hetuar disa sjellje jo të mira dhe prishje të moralit. Hankoja, kur ishte duke vdekur, e kapi Aliun për jake dhe e këshilloi (e porositi) që të hakmerret ndaj kardhiqasve.Duke vazhduar rrugën e prindërve të vet, Aliu bëri një pasuri të madhe dhe, pasi i mbushi 20 vjet u martua me Emine Hanëmin, vajzën e Kapllan Pashës së Delvinës, i cili ishte vali i Gjirokastrës . Atë kohë, për t’i zhdukur bandat plaçkitëse që ishin përhapur dhe që krijonin shqetësime në ato anë, u urdhërua Kurt Pasha, vali i Beratit, i cili e pa të udhës ta përvetësojë Ali beun. E mori pranë vetes dhe e shpërblente. Edhe pse i pat premtuar se do t’ia japë vajzën, më vonë u tërhoq nga fjala e dhënë. Kështu, meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali beu u nda nga ky dhe përsëri, duke mbledhur një grup shokësh, i futi nën qeverisjen e vet, me forcë, krahinat e Gjirokastrës, Përmetit dhe Konicës. Dhe, atëherë iu dha fermani i lartë për ta vrarë Kapllan Pashën e Delvinës, i cili i ishte nënshtruar Gadap Pashës. E vrau pashain e sipërpërmendur i cili njëherit ishte vjehërr i tij. Në ndërkohë u hap fronti i Austrisë dhe Rusisë. Ali beu mblodhi një numër të madh ushtarësh shqiptarë dhe shkoi në luftë. Meqë tregoi trimëri dhe guxim të madh në fushëbetejë dhe, meqë pati rezultate të mëdha, u emërua mutesarrif në mutesarrifllëkun e Terhallës me gradën mir-miran.Ali Pasha kur u bë mutesarrif i Terhallës, bëri përpjekje që nën qeverisjen e vet ta fusë edhe Janinën. Në fund, në vitin 1203/1788 posa u caktua me detyrë të vezirit në vilajetin e Janinës, Ali Pasha në njërën anë u përpoq të hakmerret ndaj armiqve të vjetër dhe t’i zgjerojë kufijtë e në anën tjetër, vendet që janë nën qeverisjen e tij t’i izolojë nga njerëzit dhe kryetarët me autoritet, të cilët do të mund t’ia ndryshonin punët dhe planet e tij. Ia drejtoi ushtrinë Ibrahim Pashës i cili kishte kaluar në vend të Kurt Pashës, vetë atë e zuri rob dhe e mbajti në një qeli të errët të kalasë derisa vdiq, kurse vajzat e tij i mori me forcë dhe i martoi me djemt e vet, me Muhtarin (në gjuhën shqipe shqiptohet Myftar – M.P.) dhe Veliun. Ibrahim Pasha i sipërpërmendur, duke qenë një personalitet shumë i sinqertë, i ndershëm dhe i moralshëm, i lutej atij (Ali Pashës – M.P.) për shpëtimin e tërë popullit, mirëpo ai, përkundrazi, edhe më tepër i shtonte torturat e të mjerëve sa që kur nga Porta e Lartë shkoi urdhëri i prerë që Ibrahim Pasha të qeverisë në vilajetin e Beratit, Aliu, sipas një versioni, e vrau atë të ngratë me dorën e vet, por raportoi se ai ka vdekur nga një vdekje e zakonshme. Kështu i zgjeroi kufijtë nga ato anë deri në Elbasan dhe Dibër, të cilët i vuri nën kontrollin e vet. Poashtu, nën qeverisjen e tij, përveç krahinave të Jenishehrit, Terhallës, Moresë dhe Agribozit i futi edhe krahinat e Greqisë. Fëmijët e vet, Myftarin me gradën mir-miran, kurse Veliun me gradën e vezirit i patë emëruar në mytesarrifllëkun e Terhallës.Kasabatë e Pargës dhe Pervezës, nga Republika e Venedikut kishin rënë nën qeverisjen e Francës. Ali Pasha ua mori Pervezën me luftë francezëve. Ndërkaq, Parga, pas rënies, së Napoleonit kishte rënë nën qeverisjen e Anglisë. Prandaj, këtë e mori nga anglezët.Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë ta dënojë me vdekje sipas rregullës “krye për krye”. Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës.Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty. Ndërkaq, një grup prej tyre me propozimin e tyre, natyrisht për të shpëtuar jetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre ishin të shtrënguar t’i lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin. I shpërndante nëpër vise të tjera të botës. Të varfërit assesi nuk mundnin të çonin krye nga punët angari. Vajzat dhe gratë e bukura i fajësonte duke konsideruar se shkaktojnë fatkeqësi, prandaj ato ishin të detyruara të fshihen. Meqë vetë ishte injorant, gjithnjë vepronte për shkatërrimin e diturive, edhe pse deri në atë kohë në Shqipëri populli me vetorganizim i mbante dijetarët dhe hoxhallarët. Bëri që të qiten në harresë fetë. Punët administrative i lë në duart e një grupi intrigantësh grekë. Edhe defterët, korrespondencat administrative si dhe shkresat e instancave më të larta shkruheshin me një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte vetëm ai. Shkurt, përveç ushqimit që e realizonte për çdo ditë, shkaktonte që në mes shqiptarëve të rritet dhe të përhapet padijenia, varfëria dhe amoraliteti. Nuk frikohej nga grekët, meqë edhe këta ishin vegël dhe pjesëmarrës në intrigat e tij; me fanatizmin e tij ndaj këtyre sillej në mënyrë të butë, e veçanërisht kur humbi besimin nga shqiptarët; për të vepruar kundër tyre armatosi një grup kapetanësh grekë. Këta pastaj, ato armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë.Ali Pasha duke qenë tepër lakmues dhe i etshëm për pozita e rriti forcën dhe ashpërsinë e qeverisjes aq sa mundi dhe kështu deshi të vazhdojë deri në fund të jetës së tij.Mirëpo, më në fund, zullumet e shpeshta u reflektuan te Porta e Lartë. Edhe Pasho beu nga Janina, i cili ishte larguar dhe kishte kërkuar mbështetje (përkrahje) në Stamboll si i pakënaqur nga ai, përmes Halet efendiut të njohur kishte shpjeguar për qëllimin e pavarësisë së Ali Pashës. Në të vërtetë, për këtë u shqetësua Gadap Pasha. Sado që ishte shpallur urdhëresë mbretërore për largimin e thesarit shtetëror nga vilajeti i Janinës, Ali Pasha i cili e mbikqyrte atë thesar (pasuri) në vilajetin në të cilin qeveriste, paraqiti disa mënyra të mbrojtjes dhe disa arsyetime që nuk do të mund të bartet nga Janina. Këto kundërshtime si dhe mendimet e tij të shpjeguara më lart përforcojnë shkakun e pavarësisë. Prandaj, më 1235/1819 iu drejtua ushtria nën komandën e Hurshid Pashës. Bejlerët e Shqipërisë, zaten pjesa dërrmuese e tyre, të pakënaqur nga ai dhe, meqë nuk ndiheshin të sigurt i lëshuan radhët e tij dhe, meqë iu bashkuan Hurshid Pashës, Ali Pasha me një grup të vogël njerëzish (më besnikët) u mbyll në kala. Pasi bëri ballë një kohë, doli nga kalaja me qëllim që të dërgohet i gjallë te Porta e Lartë. Duke shkuar, në një manastir që ndodhej në një ishull të vogël të liqenit (të Janinës – M.P.), njerëzit që u dërguan nga ana e Hurshid Pashës i përdorën armët, të cilëve, në të njëjtën mënyrë iu përgjigj edhe ky. Me këtë rast, duke u goditur me plumba nga disa anë, vdiq. Ia prenë kokën dhe së bashku me kokat e tre djemve dhe një nipi ia dërguan në Stamboll. I varrosën jashtë Silivrikapisë. Trupin ia varrosën në kala të Janinës përballë një pallati (saraji) që u dogj, i cili deri vonë ishte konak i pushtetit. Ka një tyrbe të përsosur.Nga nipërit e Ali Pashë Tepelenës, Myftar Pasha-zade Mahmud beu një kohë të gjatë shëtiste nëpër Stamboll si prapagandor i njohur i veshur me veshje të sektës melamite; Veli Pasha-zade Selim Pasha u gjend muhafiz në muhafizllëkun e Beogradit dhe në detyra të tjera të larta, ndërsa vëllai i tij Ismail Pasha ka shërbyer në disa vilajete .