Sami Frashëri / V E P R A 9 (Pjesa e katërt)
Titulli i origjinalit:Ch. Samy-Bey FrascheryKÂMÛS AL-A’LÂMShënimKëtë vepër e botojmë me numrin rendor 9 për ta ruajtur vazhdimsinë e veprave të Sami Frashërit të botuara në Shtëpinë botuese Rilindja në Prishtinë.E falënderojmë përzemërisht Redaksinë e botimeve të Rilindjes për pëlqimin e dhënë dhe për mirëkuptim nga botuesi.
IBRAHIM PASHA
Është personaliteti i dytë i dinastisë që në mënyrë të mrekullueshme ka qeverisur në territoret e Egjiptit. Ishte bashkëpunëtori dhe ndihmësi i Mehmed Ali Pashës, reformator i Egjiptit në themelimin dhe në formimin e dinastisë së përmendur. Është djali i madh i Mehmed Ali Pashës, kurse sipas një varianti, është djali i Tosun beut, mixhës së tij (mixhës së Mehmed Aliut – M.P.), por se u muar nga ana e Mehmed Aliut si fëmijë i përvetësuar. Babai i Mehmed Aliut së bashku me vëllain e vet, Tosun beun, për shkak të ngatërresave që i patën, u detyruan të shpërngulen nga Shqipëria për në Kavallë. Në kohën kur u shpërngulën, Mehmed Aliu ishte i vogël, kurse Ibrahimi pat lindur në Kavallë në vitin 1204/1789. Si i vogël, së bashku me babain e vet shkuan për në Egjipt. Ndonëse ende ishte në moshën 16 vjeçare, babai e angazhoi që të kthejë qetësinë, rregullin dhe t’i bindë beduinët në anët jugore të territorit të Egjiptit. E drejtoi ushtrinë në ato anë dhe pati sukses në këtë çështje. Më vonë, duke qeverisur në ato anë, u angazhua t’i qetësojë dhe t’i largojë vehabitët, detyrë kjo që iu besua Mehmed Ali Pashës. Ndërsa, me rastin e vdekjes së Mehmed Ali Pash – zade Tosun Pashës (= Tosun Pasha, djali i Mehmed Ali Pashës – M.P.), i cili ishte në cilësi të valiut të Xhiddes që gjendet në Gadishullin Arabik, Ibrahim Pasha, me gradë të vezirit, u bë vali i Xhiddes. Edhe detyra për t’i qetësuar vehabitët i ishte besuar personalisht këtij. Ibrahim Pasha e shumëfishoi ushtrinë e tij dhe pas një rregullimi dhe sistematizimi të mrekullueshëm të saj, në luftën që ndodhi në Vadi-i Kasim, e mundi Abdullah bin Saudin i cili ishte kryetar i vehabive, vrau edhe shumë nga kryetarët dhe të afërmit e tij, prandaj, vehabitët qenë të detyruar të tërhiqen në Deraje që ishte qendër e tyre. Mirëpo, duke e rrethuar edhe Derajen, e nënshtruan atë në fund të vitit 1233/1817. Kështu, e kapën dhe e burgosën Adbullahun e sipërpërmendur, fëmijët e Abdulvehabit dhe prijësa të tjerë të vehabive të Arabisë. Pasi i siguroi vendet e shenjta , kur u kthye për në Egjipt, mori urdhrin nga Mehmed Ali Pasha që t’i zgjërojë kufijtë në drejtim të Nubës dhe Sudanit. E pushtoi Sinarinë dhe Kerdfanin bashkë me rrethinat e tyre. Kështu, mjaft shumë i zgjëroi kufijtë e Egjiptit. Pasi u kthye vetë në Egjipt, vëllai i tij Ismail Pasha në Sudan u dogj nga sudanezët kur iu dha zjarri rezidencës ku ai rrinte. Në atë kohë ndodhi kryengritja e Moresë. Meqë nga dita në ditë zgjërohej vilajeti i Moresë, Ibrahim Pashës iu besua detyra që me ushtrinë egjiptiane dhe osmane të angazhohet në shuarjen e krye-ngritjes. Nga Egjipti për në More shkoi me një ushtri të organizuar dhe të fortë dhe me flotën ushtarake. Në fillim u përpoq që në mënyrë të qetë dhe pa përdorur forcën t’i qetësojë dhe t’i nënshtrojë krye-ngritësit, mirëpo, pasi hasi në kundërshtimin dhe rezistencën e fortë të tyre; e përdori forcën dhe fuqinë e vet ushtarake, ashtu që për një kohë shumë të shkurtër nuk la farë gjurme të kryengritjes. Ai e shuajti edhe kryengritjen që u paraqit në Kretë, mirëpo, Anglia, Franca dhe Rusia, duke u marrë veshë ndërmjet tyre, dërguan flotën e tyre dhe e shkatërruan flotën egjiptiane dhe osmane që gjendej në vendin e quajtur Navarin. Kështu, e detyruan Ibrahim Pashën të kthehet në Egjipt. Këtë herë Mehmed Ali Pasha ishte i angazhuar në përforcimin dhe rregullimin e punëve ushtarake, i cili me përpjekjet e veta si dhe me ndihmën e të birit, Ibrahimit, për një kohë shumë të shkurtër, përsëri e ndërtoi dhe e përsosi më tepër atë (flotën) dhe rregullimin ushtarak. Duke i parë shërbimet dhe rezultatet shumë të mëdha shtetërore të deritashme të Mehmed Ali Pashës dhe të Ibrahim Pashës, nga njëra anë, si dhe përpjekjet për zgjërimin, forcimin dhe rregullimin e fuqive tokësore dhe detare, nga ana tjetër, Husrev Pasha (Vali i Egjiptit – M.P.) ia përshkroi dhe ia tregoi këto përpjekje Sulltan Mahmudit, por, natyrisht, duke u mbështetur në qëllime të tjera dhe duke u dhënë karakter tjetër. Për ta siguruar ardhmërinë dhe pozitën e Mehmed Ali Pashës, Ibrahimi, kërkoi që personalisht ta udhëheqë edhe pjesën e Sirisë . Pasi mori leje për këtë, duke marrë si shkak një ndryshim që ndodhi me Abdullah Pashën, vali i Akkasë, Ibrahim Pasha në vitin 1247/1831 e rrethoi Akkanë dhe e nënshtroi Gazën, Jafën dhe Hajfanë. Me urdhrin që e mori nga babai i tij, ia mësyu ta pushtojë tërë Sirinë. Duke u fajësua nga ana e Shtetit (Osman – M.P.) për grushtshtet, Perandoria Osmane dërgoi ushtri kundër tij, mirëpo, ajo nuk ishte në nivelin që e kërkonin rrethanat ushtarake të shtetit, meqë kryengritja greke dhe ngjarjet e tjera të vazhdueshme si dhe vështirësitë ekonomike dhe luftarake i kishin sjellë shtetit (Osman – M.P.) prapambeturi. Ibrahim Pasha në vitin 1248/1832 triumfoi ndaj ushtrisë së Hysejn Pashës në Siri (Damaskun e Sirisë). Pasi e pushtoi dhe e nënshtroi Damaskun (Shamin) e pushtoi edhe Halepin. Duke e mundur edhe dy herë të tjera Hysejn Pashën, kur hyri në pjesën e Anadollit, kundër tij u dërgua ushtria me 20000 (njëzet mijë) ushtarë nën komandën e Reshid Pashës. Mirëpo, në një luftë të madhe dhe të rreptë që u zhvillua në fushën e Konjës dhe me zënien e Reshid Pashës rob, Ibrahim Pasha shkoi përpara deri në Kutahije, ndonëse me intervenimin e shteteve evropiane u detyrua të ndalet aty. Me marrëveshjen e Kutahisë që u lidh në muajin Zulhixhe (ar. dhu-l-hixhxhe – sipas kalendarit hënor është muaji i dymbëdhjetë i vitit – M.P.) të vitit 1248/1832 territori i Sirisë dhe vilajeti i Adanës iu patën lënë Egjiptit, prandaj vilajeti i Sirisë dhe ai i Adanës iu besuan Ibrahim Pashës. Pas gjashtë vitesh përsëri filloi lufta në mes tyre dhe, edhe pse Ibrahim Pasha e fitoi luftën në Nezip, ndërhynë fuqitë evropiane. Flota angleze e vuri në nishan Akkanë dhe Bejrutin dhe, meqë filloi t’i kërcënohej rreziku edhe Aleksandrisë, Ibrahim Pasha, nën këtë presion, Sirinë dhe Adanën përsëri i la nën administratën e Shtetit Osman dhe u detyrua të tërhiqet në Egjipt. Këtë herë vendosi që Mehmed Ali Pashës t’i bëhet zëvendës, vetëm se, meqë iu shkatërrua shëndeti nga mundimet e ekspeditave të ndërmarra, për të kërkuar shërim, shkoi nëpër Evropë. Shëtiti Italinë, Francën dhe Anglinë. Sidomos në Paris në mënyrë të mrekullueshme u prit nga ana e Lui Filipit. Kur u kthye në Egjipt, babai i tij, meqë ishte dëbosuar dhe kishte rënë në gjendje shumë të keqe shëndetësore, në vitin 1265/1848 shkoi në Stamboll. Sado që zyrtarisht iu besua të kalojë në detyrën e valiut të Egjiptit, pas kthyerjes në Egjipt, disa muaj para vdekjes së babait të tij, vdiq.Ibrahim Pasha konsiderohet nga njerëzit më të mëdhenj të botës, si strateg lufte dhe udhëheqës ushtarak nga ana teorike. Ai për së tepërmi i ndihmoi babait të vet, Mehmed Aliut në ekspeditat e tij. Ishte shumë i kujdesshëm në komandimin e ushtrisë. Në këtë çështje u tregua shumë i ashpër jo vetëm për të tjerët, por edhe për vete. Në ekspeditat ushtarake nuk dallohej nga ushtarët e rëndomtë në haje e në pije, në flejtje dhe në çuarje nga gjumi, madje në rreziqet më të mëdha nuk tërhiqej (me qëllim që të shpëtojë vetë e të tjerët të pësojnë). Ishte trim i pashoq, guximtar dhe i vendosur. Shkathtësinë dhe potencialin udhëheqës dhe komandues të shtetit e dëshmoi në Siri. Nuk e dëshironte salltanetin (komoditetin). Tërë kujdesin ia kushtonte punëve të shtetit e sidomos zhvillimit të bujqësisë. Shkurt, ishte një ministër trim, i drejtë, i mençur, i sinqertë. I kishte tre djem. Ahmed Pasha, i cili ishte djali më i madh i tij, pasi mori gradën e ministrit u mbyt në ujë. I dyti ishte Ismail Pasha, ish-hidiv kurse i treti ishte Mustafa Fazil Pasha, i cili vdiq në Stamboll. Ishte nga ministrat kryesorë të Perandorisë Osmane .
IBRAHIM PASHË VLORA
Është nga familja e vezirëve të kasabasë së Vlorës të Shqipërisë. Ishte dhëndërr i vezirit, Kurt Pashës, mytesarrif i Vlorës. Pas vdekjes së Kurt Pashës, qe bërë mytesarrif i Vlorës me gradën vezir. Ali Pashë Tepelena ishte bylykbash i Kurt Pashës, i cili, për disa shërbime që i bëri trimërisht dhe në mënyrë të guximshme, si shpërblim ia kishte premtuar vajzën atij (Ali Pashë Tepelenës – M.P.), mirëpo, më pastaj e ndërroi mendimin. Meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali Pasha shfaqi një armiqësi të rreptë ndaj Ibrahim Pashës. Pasi që ky ishte vali i Janinës, Ali Pashë Tepelena, prandaj edhe deshi të hakmerret ndaj tij edhe ta fusë nën kontrollin e vet sanxhakun e Vlorës, e pastaj ta nënshtrojë tërë Toskërinë. Kështu priste rastin e volitshëm për ta zhdukur Ibrahim Pashën. Në të njëjtën kohë Ibrahimit ia pat marrë tri vajzat: të madhen për djalin e dytë, Veliun, të dytën për djalin e madh, Myftarin (ar. Muhtar) dhe të tretën për djalin e motrës, Ademin. Omer Pashë Vrioni, i cili në vitin 1223/1808 u nda në Egjipt nga Mehmed Ali Pasha, cili ishte kthyer në vendlindjen e tij, ende pa shkuar në Egjipt ishte përzënë nga Berati, gjegjësisht nga Ibrahim Pashë Vlora, biografia e të cilit po shkruhet këtu. Posa ai (Omer Pashë Vrioni – M.P.) u përgatit për hakmarrje, edhe Ali Pasha, për t’iu kundërvënë Ibrahim Pashës, pati dobi nga ai disponim i tij, prandaj, atë e dërgoi në Berat. Ibrahim Pasha nuk mund t’i thyejë ata që, me shtyrjen dhe nxitjen e Omer Pashë Vrionit, ishin ngritur kundër tij, prandaj u mbyll në kalanë e Beratit që ishte qendër livaje (krahine). Tepelanasi e shpëtoi prej aty me pretekst se ka afërsi familjare me anë martese dhe e solli në venlindjen e tij, në Vlorë, ndërsa Omer Pashës ia pat besuar ta udhëheqë Beratin. Mirëpo, duke mos mundur t’u bëjë ballë intrigave të Ali Pashë Tepelenës si dhe veprimeve kundërshtuese të Omer Pashës edhe në Vlorë, Ibrahim Pasha ishte i shtrënguar të ikë në nahijen e Dukatit.Tepelenasi, duke marrë si shkak këtë, Ibrahim Pashën, përsëri, me motiv mbrojtës e kapi dhe e solli në Janinë, por, nga ana tjetër, propozoi që sanxhaku i Vlorës t’i besohet djalit të tij Veliut, i cili qe ndërruar nga detyra mytesarrif i Moresë. Për këtë nuk u dha pëlqimi nga Porta e Lartë. Për çka u nxor një dekret i hollësishëm mbretëror nga Sulltan Mahmudi II. Sado që u dërgua edhe një nëpunës për të vërtetuar gjendjen faktike, Tepelenasi vazhdoi ashtu si më parë. Madje, ndonëse ekzistonte disponimi që Ibrahim Pasha të emërohej në ndonjë mytesarrifllëk në Anadoll, Ali Pasha, kohë pas kohe, edhe më tepër i shtonte torturat ndaj tij. Bashkë me të birin, Sylejamnin, i mbylli në një qeli të errët dhe të thellë të kalasë së Janinës. Edhe gruan që ia kishte premtuar atij (Ali Pashë Tepelenës – M.P.) Kurt Pasha në fillim e pat marrë dhe e pat vënë nën kurorën e vet. I mjeri Ibrahim Pasha, gruaja dhe vajzat e tij, ndonëse ndodheshin në një begati në sarajet (pallatet) e Ali Pashës, ai vetë dhe djali i tij mbetën në qeli me vite të tëra derisa vdiqën, pa e parë dritën kurrë. Për shkak të tragjedisë shumë të tmerrshme, Ibrahim Pashë Vlora e kaloi jetën e pleqërisë në gjendje të mjerueshme .
ILHAMI PASHA
Ishte djali i valiut të Egjiptit, Abas Pashës, dhe stërnip i të ndjerit Mehmed Ali Pasha. Ilhami Pasha u martua me vajzën e Sulltan Adbulmexhid Hanit, Minire Sulltanen. Kjo lidhje familjare me anë të martesës edhe më tepër ia rriti nderin dhe respektin. Një kohë jetoi në Stamboll. U emërua anëtar i Këshillit të Lartë shtetëror, (Mexhlis-i ‘ala) mirëpo, në vitin 1277/1860, ende pa i mbushur 25 vjet, vdiq .
IS-HAK ÇELEBIU
Është nga ulematë dhe poetët e kohës së Sulltan Selimit dhe të Sulltan Sulejmanit. Ishte nga Shkupi. Ndonëse babai i tij ishte punues dhe shitës shpatash, ky kishte dëshirë të madhe për të mësuar. Meqë posedonte kapacitet të jashtëzakonshëm të zgjuarsisë, për një kohë shumë të shkurtër u bë i dalluar dhe ekspert, prandaj shërbeu si muderriz në Edrene, Shkup, Brusë, Iznik. Në vitin 933/1526 ligjëroi në Darulhadith në Edrene. Në vitin 937/1530 arriti të fitojë një nga titujt shkencorë. Në vitin 942/1535 u bë kadi i Shamit, e në vitin 949/1542 vdiq.Kur Sulltan Selimi ishte në pushtimin e Arabisë, meqë u hidhërua në shahanet e botuara, kërkoi disa persona të dijshëm dhe të mirë për inkurajim (gjallërim). Njëri nga ata tre persona që u zgjodhën në këtë punë ishte edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu. Mirëpo, për shkak se e tepruan në shaka (tallje), nuk fituan disponimin dhe simpatinë e padishahut të përmendur, i cili kishte prirje për seriozitet. Sado që Is’hak Çelebiu në çastet e para ishte i disponuar për shaka dhe i gatshëm për argëtim e dëfrim, pastaj pendohej. Poezitë e tij janë të bukura .
ISMAIL PASHA
Është i biri i Veliut të Ali Pashë Tepelenës. Kur Ali Pashë Tepelena u shpall fermanli, djali i tij Veliu ishte emëruar mytesarrif i Jenishehrit . Meqë ndoqi rrugën e të atit, menjëherë u dënua me vdekje. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, bashkë me vëllaun, Mahmudin dhe me një vëlla tjetër , meqë ishin të vegjël, u falën dhe u dërguan në Stamboll. Shërbeu mirë në shtet dhe, duke marrë grada të njëpasnjëshme, arriti të marrë edhe gradën e vezirit. Ishte vali, por kreu edhe detyra të tjera të rëndësishme në disa vilajete. Vdiq në fund të periudhës së sulltanatit të Sulltan Abdylazizit. Mahmud beu, pra i vëllai i tij ishte nga propaganduesit e njohur. I patën vdekur një motër me emrin Fatime dhe një djalë me emrin Asif .
JAHJA BEJ DUGAGJINI
Është nga më të famshmit poetë të Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është shqiptar. Hyri në oxhakun (korpusin) e jeniçerëve, pastaj, duke kaluar të punojë në qendrën e vakufeve si udhëheqës i pasurisë së tyre, qe i shtrënguar të kënaqej me një zeamet (timar i madh). Ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar). Po aq ishte edhe personalitet i moralshëm dhe modest (jo tamahqar, kënaqej edhe me pak); vdiq në vendlindjen e vet në vitin 990/1582 . Kishte shkruar pesë poemat me titull: “Genxhine-i Raz” (Arka e fshehur), “Shah u Geda” (Shahu dhe lypësi), “Gylshen-i Envar” (Trëndafilishtja e shëndritshme), “Jusuf u Zeliha”, (Jusufi dhe Zylejhaja) dhe “Usulname” (Libri i parimeve), të cilat i përmblodhi në një përmbledhje që quhet Hamse (pesëlibrësh). Kishte shkruar edhe një divan me kaside me gazele (përmbledhje poezish) . Në mesin e poezive të tij hasen disa fjalë të bukura. Ja një bejt nga poezitë e tij me një përkthim të lirë:Për ta gjuajtur pasurinë e parë duhet të jesh i kujdesshëmE mbi anije bëhet (kurdiset) rrjeta hallka-hallka .
JEMISHXHI HASAN PASHA
Është nga vezirët që në kohën e Sulltan Mehmed Hanit III, u emërua sadriazem (kryeministër). Është me origjinë shqiptare. Në vitin 985/1577 hyri në kategorinë e zylyfliballtaxhive (klasë e posaçme në oborrin mbretëror); pastaj qe bërë: çashnegir-bashë, ket-huda i kapuxhive dhe dy herë aga i jeniçerëve. Më vonë u emërua vali i Shervanit me gradën e vezirit. Pas një kohe, me gradën vezir i katërt u tërhoq në Stamboll. Punoi në shtypjen dhe përmirësimin e monedhës. Këtij iu besuan edhe detyra të tjera të rëndësishme, kështu në vitin 1009/1600 emërohet kajmekam, kurse më 1010/1601 sadriazem. Atëbotë ishte kohë lufte. E mori urdhrin të shkojë personalisht në Hungari, mirëpo, duke shfrytëzuar stinën e dimrit si shkak, mundi të prolongojë shkuarjen për në verë, pra, shkoi atje gjatë stinës së verës. Me shumë vështirësi e ktheu Beogradin që kishte rënë në duart e dushmanit (armikut). Meqë tregoi paaftësi, armiku mori guximin dhe ia rrethoi qytetet. Këtë herë në kryeqendër u paraqitën mosmarrëveshje, shpejtoi të kthehet. Në këtë rast e shpëtoi jetën duke iu mbështetur grupit bektashian. I ndryshoi pozitat e dijetarëve (ulemave) dhe funksionarëve të tjerë. Meqë ata ishin të pakënaqur me disa propozime si dhe me paaftësinë e tij, pasi qëndroi si sadriazem një kohë prej 2 vjet e 1 muaj, u largua. Meqë i shtypi dhe i maltretoi jeniçerët, me qëllim që të kthehet në ministri, më 1012/1603 u dënua me vdekje. U varros në Yskydar .
KARA AHMED PASHA
Është nga vezirët e Perandorësi Osmane. Në kohën e Kanuni Sulltan Sulejmanit dy vjet ishte në postin e kryeministrit (sadriazem). Është shqiptar. Nga oborri mbretëror doli me gradën aga, e pastaj u bë aga i jeniçerëve (jeniçeri a¤as¢) dhe bejlerbe i Rumelisë. Në kohën e Kanuni Sulltan Sulejman Hanit u përparua në gradën e vezirit. Në kufirin e Iranit, e shkatërroi ushtrinë e shahut Tahmasib dhe kështu doli fitimtar. Të njëjtën gjë e bëri edhe në luftën e Temishvarit. Më 960/1552, duke u përparua në gradën e vezirit të madh, i nënshtroi kurdët. Mirëpo, në vitin 962/1554, për shkak të disa intrigave u dënua me vdekje . Ishte një vezir fetar, i drejtë dhe i mençur. Në Topkapi është një xhami-sherif e cila është ndërtuar pas vdekjes së tij, natyrisht me propozimin e tij .
KARA MUSTAFA PASHA
Është nga vezirët (ministrat) i cili në kohën e Sulltan Murat Hanit IV dhe të Sulltan Ibrahim Hanit arriti në postin e kryeministrit. Është me origjinë shqiptare. Si i vogël shkoi në Stamboll dhe aty iu bashkangjit Kara Hasan agës i cili ishte nga agallarët me autoritet të korpusit të jeniçerëve. Kur u rrit hyri në sektin e bektashian. Me shkathtësinë e jashtëzakonshme që e kishte në gjuajtje (me shigjetë), fitoi gradën çorbaxhi (epror i një njësie të ushtrisë së jeniçerëve) dhe sekban-bashë. Në ekspeditën e Revanit bëhet nga i jeniçerëve (komandant suprem i jeniçerëve). Duke i nënshtruar kryeneçët e këtyre anëve dhe duke i dhënë korpusit një rregullsi dhe një organi-zim shumë të mirë, me fjalë të tjera, duke shërbyer mbi mundësitë e veta, kur kthehet në Stamboll, më 1045/1635 emërohet kupudan – derja (admiral). Duke dënuar dhe duke u paraqitur shumë i ashpër ndaj atyre që çonin krye edhe në ushtrinë detare, i pat përmirësuar punët e marinës. Kur forcohet ushtarakisht, shkon në frontin e Bagdadit dhe me gradën e kajmekamit bëhet më i lartë. Kur humbi jetën Tajar Mehmed Pasha, më 1048/1638 caktohet sadriazem në vend të tij. Kur mbaroi lufta, u kthye, mirëpo, për të lidhur marrëveshje me shahun e Iranit, ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, qëndroi në Bagdad, e që më 1049/1639 do të kthehet në Stamboll. Mu në këtë vit, në fron vjen Sulltan Ibrahim Hani. Kara Mustafa Pasha edhe më tutje mbetet në postin e kryeministrit (sadriazemit). Pasi fitoi ndaj disa njerëzve të mëdhenj (me pozita të larta), që shkatrronin punët e shtetit dhe që silleshin me azgënllëk në varfërimin e shtetit, dhe pasi e vuri në baza të shëndosha vlerën e monedhës, dukshëm e përmirësoi ekonominë e shtetit. Bëri regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë që gjendej nën Perandorinë Osmane dhe u caktoi tatim. Edhe pse ai tatim ishte në një masë të vogël, simbolik, magazinat shtetërore i shpëtoi nga një gjendje kaotike, jostabile. Në këtë mënyrë i solli shtetit një pasuri të madhe. Edhe pse ngadhnjeu ndaj një grupi njerëzish të degjeneruar, të prishur, që pengonin reformat e këtilla dhe, edhe pse u bë i fuqishëm të udhëheqë ashtu siç dëshironte, nuk mundi të fitojë në intrigat dhe dredhitë e një fallxhori që u paraqit me emrin Xhinxhi Hoxha. Duke rënë nën kurthet e tij, pas qëndrimit si kryeministër në kohëzgjatje prej 5 vjet e tre muaj, u dënua me vdekje. E varrosën në oborrin e medresesë së ndërtuar në Parmak Kapi. Për shkak të shkathtësisë që e kishte në gjuajtje u bë i njohur me emrin Kemankesh Mustafa Pasha (gjuajtës i shigjetës). Të huajt, edhe Maktul Mustafa Pashën nga Merzifunia e njohin me emrin Kara Mustafa Pasha .
KLEMANI
Me këtë emër ishin katërmbëdhjetë papë:I njëmbëdhjeti ishte me origjinë shqiptare. Rridhte nga një familje e njohur shqiptare Albani e cila emigroi në Itali pas vdekjes së Skenderbeut. Emri i vërtetë i tij është Xhuvan Françesko Albani. Në vitin 1700 u emërua papë. Vdiq në vitin 1721.Ia mbajti anën Luigjit të Katërmbëdhjetë në rastin e trashëgimisë së Spanjës dhe një kohë të gjatë veproi kundër mbretit të Siqelisë, Viktor Amedeit .
KYÇYK AHMED PASHA
Ishte nga vezirët e kohës së Sulltan Murat Hanit të katërt. Pasi ishte vali i Sivasit, Shamit, dhe Kutahijes, u angazhua në likuidimin e Iljaz Pashës i cili ishte ngritur në kryengritje në Anadoll. Meqë ngadhnjeu, u shpërblye dhe në vitin 1042/1632 u kthye vali i Shamit. Edhe aty, duke i shtypur kryengritësit, ia doli të kthejë rendin dhe qetësinë. Në luftën e Iranit Padishahu e tërhoqi në Erevan e pastaj e emëroi muhafiz në Mosul. Aty u sëmur. U vra në një luftë që e bëri kundër shahut të Iranit në vitin 1046/1636 .
LUHIU
Është nga poetët e Periudhës Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. është prishtinas. Merrej me tesavvuf (misticizëm). Një kohë të gjatë u gjend në shërbim të Merkez efendiut .
LUTFI PASHA
Është nga vezirët që kaloi në postin e sadriazemit (kryeministër) në kohën e Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit. Është me origjinë shqiptare . U edukua në oborrin e Sulltanit. Prej aty, duke dalë me gradën aga, u caktua të punojë nëpër disa krahina. Bashkë me Barbaros Hajredin Pashën u gjend kryekomandant (serasker) në ekspeditën ushtarake në krahinat e Pojes të cilat gjenden në jug të Italisë dhe në Siujdhesën e Korfuzit. Në të kthyer nga kjo ekspeditë, pasi që, pa nevojë dhe pa arsye, pak kohë ra në një mjerim (fatkeqësi), u bë vezir i tretë e pastaj vezir i dytë. U martua me motrën e Sullan Sulejman Hanit. Kjo lidhje familjare me anë të martesës, ia patë rritur famën dhe respektin. Më 944/1537, pas Ajas Pashës , emërohet sadriazem. Tre vjet i udhëhoqi punët e shtetit, pastaj, meqë urdhëroi të dënohet një femër e pamoralshme me dëmtimin e organeve të shumimit, për shkak të këtyre sjelljeve të ashpra që ishin në kundërshtim me traditën dhe sjelljen e përgjithshme, hasi në reagimin dhe qortimin e ashpër të sulltanit dhe motrës së tij, që ishte bashkëshorte e tij. Duke replikuar ashpër dhe me guxim dhe, meqë u shkurorëzua nga e lartpërmendura e larguan nga detyra. Shkoi në Dimitikë dhe në vitin 950/1543 aty vdiq.Në mënyrë të shkëlqyeshme zotëronte letërsinë arabe, shkencën e fikhut, hadithit dhe shkencat e tjera fetare islame, madje ka qenë njohës i mirë i shkencave filozofike. Ka shkruar disa libra me shpjegime arabe dhe turke, nga më të njohurat janë: një libër me titull “Asaf-name” (Libri i vezirëve) që ka të bëjë me sjelljen dhe edukatën e vezirëve si dhe një histori osmane deri në kohën e tij . Vepra që kanë të bëjnë me filozofinë: “Tuhfetu at-Talibin” (Përvoja e hulumtuesve). “Kitab el-esile ve el-exhvibe” (Libri i pyetjeve dhe i përgjigjjeve), “Tanbih al-gafilina ve te kid al-kasilin” (Këshillimi i të pakujdesshëmve dhe bindja e përtacëve); vepra përkitazi me shkencën e hadithit: “Kitab el-kunuzi fi letaifi arr-rrumuzi” (Libri i thesarëve mbi simbolet e bukura), “Zubdetu al-masaili fi al-i’tikadati we al-ibadati” (Çështje të zgjedhura mbi besimin dhe lutjet) e të tjera . Shkurt, ndonëse ishte një vezir i dijshëm dhe i mençur, ishte kryelartë dhe i ashpër. Gjatë kohës së tij në postin e sadriazemit bëri që disa zakone të vejtra t’i vendosë në baza të reja. Ka lënë pas vetes edhe pasuri materiale (hajrate) .
MARKO BOÇARI (Marko Botzaris)
Ishte nga veprimtarët kryesorë të revolucionit që ndihmoi në pavarësinë e Greqisë. Lindi në vitin 1789 nërrethinën e Sulit në Shqipëri. Është me origjinë shqiptare. Duke qenë nga njerëzit (bashkëpunëtorët) e ALi Pashë Tepelenës, pas vdekjes së të përmendurit, bashkë me shokët e vet, u ngrit në kryengritje. Në vitin 1823 në vendin e quajtur Misolongj, u rrethua nga ushtria Osmane. Në sulmin e tij me 240 veta, u plagos. Të nesërmen vdiq .
MEHMED ALI PASHA
Në saje të transformimit të administratës së mbarë Egjiptit dhe në saje të organizimit të mirë për përmirësimin e reformave të ndër-marra, Mehmed Ali Pasha është personalitet që hapi shtigje të re-ja në zhvillimin dhe në civilizimin e vendeve të përmendura, ashtu që gjenerata e sotme (lexo në kohën e Sami Frashërit – M.P.), duke e trashëguar atë, vazhdon valillëkun dhe hidivllëkun në vendet e Egjiptit . Lindi në një fshat të rrethit të Korçës në Shqipëri në vitin 1183/1769. Ende kur ishte fëmijë, babai i tij, për shkaqe të ndryshme e lëshoi vendlindjen dhe së bashku me familjen u shpërngul për në Kavallë. Mehmed Aliu u rrit aty. Merrej me tregti të duhanit gjatë kësaj kohe. Veç kësaj, ai posedonte edhe talent ushtarak dhe luftarak që ishte një talent dhe karakter natyror i tij. Në kohën kur regjistrohej dhe tubohej ushtri për ta shpëtuar Egjiptin nga një gjendje kaotike që e kishte përfshirë pas pushtimit të Francës, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, mblodhi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve shqiptarë dhe ia mësyu asaj ane. Pat hyrë në koalicion me Hasan Pashën nag Pojana që ishte komandant i ushtarëve shqiptarë të Egjiptit. Në disa luftëra që ndodhën, e sidomos në luftën e Ebu Kirit, tregoi një trimëri të jashtëzakonshme me ç’rast fitoi nder, respekt, dhe simpati të madhe. Në mosmarrëveshjet që u paraqitën në mes Husrev Pashës, i cili ishte vali i Egjiptit me ushtrinë shqiptare dhe memalikët e Egjiptit, ky (Mehmed Ali Pasha – M.P.) patë fituar një vend të rëndësishëm, ashtu që gradualisht u bë udhëheqës i ushtrisë shqiptare që gjendej në Egjipt. Këtë fuqi filloi ta përdorte ashtu si dëshironte. Husrev Pasha, duke mos mundur të fitojë në këtë mosmarrëveshje (zënkë), u dobësua. Kur udhëheqja e Egjiptit ishte në një gjendje të çrregulluar dhe me shumë ngatërresa, Mehmed Aliu e mori ushtrinë në dorë, kurse Husrev Pashën e detyroi të tërhiqet nga punët kryesore. Pasi që mori në dorë udhëheqjen e vendit dhe pasi që me lehtësi ktheu qetësinë e plotë në vend, cilësia e tij u paraqit te Porta e Lartë. Për kthyerjen dhe vendosjen e rregullit, disiplinës dhe qetësisë në vendet e Egjiptit, Porta e Lartë nuk mundi të gjejë rrugë dhe zgjidhje më të mirë se të emërojë Mehmed Aliun vali të Egjiptit. Kështu, kur Mehmed Aliu në vitin 1215/1800 u emërua zyrtarisht vezir i vilajetit të Egjiptit, pikësëpari në rivendosjen e besimit dhe të qetësisë e kuptoi se është e domosdoshme t’i qetësojë memalikët që u thonin jeniçerë të Egjiptit. Pasi pati sukses në këtë çështje, si hap të parë mori nisiativën që në të gjitha territoret islame të konsolidojë ushtrinë. Kështu nga njëra anë, me fuqinë që e arriti si dhe me ndihmën e fëmijëve të tij Ibrahim Pashës dhe Ismail Pashës, i zgjeroi territoret nga ana jugore e Egjiptit, në drejtim të Nubes dhe Sudanit, e nga ana tjetër, përmes shkollave që i themeloi për shkencat ushtarake dhe mjekësore si dhe përmes asociacioneve të përkthimeve u botuan dhe u përhapën njohuri të reja. Njerëzit e aftë dhe dijetarët me njohuri shkencore dhe industriale që i mori nga Evropa,dhanë mund të jashtëzakonshëm në zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë, gjë që për një kohë shumë të shkurtër e gjallëroi Luginën e Nilit dhe vendet më të pazhvilluara të Egjiptit dhe shtoi mbjelljen e llojllojshme të prodhimeve bujqësore: oriz, pambuk, panxharsheqer dhe njëkohësisht hapi shumë fabrika. Disa mija njerëz i rritën të ardhurat e tyre në një shkallë që nuk do të mund të shpresohej, pagat e të cilëve deri në atë kohë nuk do të mjaftonin vetëm për të paguar ushtarët dhe eprorët e tyre. Kështu, shtetin e Egjiptit e solli në gjendjen e një shteti të madh me tokë të punueshme, pjellore. Në atë kohë vehabitët ishin shtrirë në shumë vende të Gadishullit arabik. Meqë prej tyre ishin rrezikuar edhe vendet e Hixhazit, pas urdhrit që e mori nga Porta e Lartë, e drejtoi ushtrinë nga ato anë, ku pastaj vetë u kthye, por aty si zëvendës e la djalin e vet Ibrahimin, i cili, duke u përpjekur gjashtë vjet rresht, e theu forcën dhe e shkatërroi organizatën e tyre, mirëpo, gjithnjë frigohej nga ata. Edhe në revolucionin e Greqisë, Ibrahim Pashën e dërgoi me ushtrinë egjiptiane në More. Aty u detyrua të qëndrojë tre vjet me qëllim që të kthejë qetësinë dhe të shuajë kryengritjen. Me rastin e një havarie iu pat djegur flota.Pas këtyre rezultateve, nga ana e shtetit iu dha të qeverisë edhe Siujdhesën e Kretës. Më në fund Porta e Lartë ia vërtetoi dhe ia pranoi të qenët trashëgimtar në gjeneratën (dinastinë) e vilajetit të Egjiptit të Mehmed Ali Pashës.Duke filluar nga ajo kohë ishte i angazhaur t’i udhëheqë mirë të gjitha vendet e Egjiptit dhe ato që i pushtoi në drejtim të Sudanit. Pat sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e vendit. Në vitin 1264/1847 u sëmur rëndë, kurse autorizimi për vali, me ferman iu drejtua djalit të tij, Ibrahim Pashës. Pas një sëmundje të rëndë dyvjeçare. më 1266/1849 vdiq në Aleksandri.Mehmed Aliu ishte një njeri shumë i mençur; mund të konsiderohej njeri i pashkollë, sepse edhe atë pak shkollë që e kishte, e kishte bërë pas moshës 45 vjeçare. Ai e çmonte civilizimin e ri dhe përparimin. Pasi e mori fuqinë në duart e veta, për një kohë shumë të shkurtër i nxori në shesh gjërat e dobishme dhe jo të dobishme, dhe kështu ia doli që një shteti, në mënyrë të pashembullt, deri atëherë, t’ia sjellë civilizimin dhe përparimin. Tyrbja (mauzoleu) i tij gjendet në Kajro, e punuar në mënyrë të përsosur, kurse në Aleksandri është përmendorja e tij e bronztë .
MEHMED PASHA
Është nga vezirët që kaloi në pozita të larta shtetërore (kryeministër) në kohën e Sulltan Murat Hanit IV. Është me origjinë shqiptare. Duke qenë në shërbim të Haxhi Mustafa agës, aga i Stambollit, fitoi simpatinë e tij. Meqë u dëshmua shumë i sjellshëm u bë mirahor, e pastaj vali. Më vonë mori pozita të larta, u bë vezir i madh (sadriazem) në vend të Rexhep Pashës. Duke qenë një personaltiet i mençur, i matur dhe shumë aktiv dhe, meqë i mposhti dhe i nënshtroi shkatërruesit, plaçkitësit e ushtrisë që shkaktonin dëme në rregu-llimin shtetëror dhe në çështjen e pasurisë, vuri sistem dhe rregull në shtet. Kështu pati sukses në vendosjen e paqes dhe sigurisë në çdo anë. Më 1043/1633 vendosi të ndërmarrë një ekspeditë ushtarake në Lindje me ç’rast, me ushtrinë osmane shkoi e u vendos në kazermat e Halepit.Aty, meqë u përgatit mirë për ekspedita më të rëndësishme, ia mësyu Erzurumit. Për sukseset që i arriti, fitoi grada të larta te padishahu i tij i përmendur më lart, i cili personalisht mori pjesë në luftë. Kështu, duke parë sukseset dhe shërbimet e mira gjatë pushtimeve që ndodhën, vazhdoi si nëpunës edhe në shumë ejalete të Rumelisë. Para se të kthehej te padishahu, së pari deshi të sigurojë çështjen e kufijve, prandaj mbeti në kazermat e Amidit. Më 1045/1635 shahu i Iranit përsëri tentoi në prishjen dhe ndërrimin e kufijve. Këtë herë, meqë Irani kishte numër të madh ushtarësh, Mehmet Pasha nuk mundi të ngadhnjejë, prandaj i dëshpruar pa masë, u detyrua të kthehet në kazermat e Amidit. për këtë dështim, më 1046/1636 qe larguar nga puna dhe qe kthyer në Stamboll. Pas qëndrimit të tij në burg nja dy muaj e gjysmë, padishahu e fali dhe e caktoi me detyrë në mbrojtjen e kufirit të Bodinit, kurse më 1049/1639 u kthye në Stamboll me detyrë të kajmekamit. Po në këtë vit, me dredhinë e silahdarit të pashait, u fajësua se gjoja ka marrë pjesë në korrupcionin e vojvodallëkut të Vllahisë , me ç’rast burgoset në Jedikule dhe dënohet me vdekje.Ishte një vezir i mençur dhe i aftë. Në postin e kryeministrit (sadriazem) ishte afër pesë vjet. Kur vdiq ishte në moshën pesëdhjetë vjeçare .
MEMISH PASHA
Është nga vezirët i cili kaloi në pozita të larta shtetërore në kohën e Sulltan Mahmud Hanit II. Është shqiptar. Duke qenë në shërbim të disa vezirëve, u aftësua deri diku edhe në të shkruar. Iu pat bashkuar Jusuf Zija Pashës i cili e ngriti në rangun e muderrizëve(haxhegjan). Pastaj qe bërë çaush-bashë. Në vitin 1223/1808, për shkak të rastit (mosmarrëveshjes) të Alemdar Mustafa Pashës, e kishte parë të domosdoshme t’i gjejë një njeri me aftësi mesatare në ministri. Sado që atij iu besua myhyri (vula) i ministrisë, pasi qëndroi në këtë vend pune vetëm 50 ditë, për shkak të paaftësisë u largua nga detyra dhe u degradua. Në vitin 1224/1809 aty vdiq .
MERRE HYSEJN PASHA
Është nga vezirët i cili dy herë zuri pozita të larta në ministri (sadriazem) në kohën e Sulltan Mustafa Hanit I. Është me origjinë shqiptare . Me të ardhur në Stamboll, u gjend në shërbime të ulëta (të parëndësishme), si p.sh. gjellëbërës. Qe bërë akshi-bashë i Saturxhi Mehmed Pashës, pastaj, spahi e çaush si dhe silahdar i rrugëve. Një kohë qe bërë agnam emini (njeri i besueshëm që vihet në krye të shërbimit tatimor të bagtive); kapuxhi-bashë, kapuxhiler-i ket-huda dhe mirahor i dytë. Më 1029/1619 u bë vali i Egjiptit; më 1030/1620, pas Daut Pashës, iu dha pëlqimi të bëhet sadriazem. Ishte i aftë për të kontribuar, por, pas 24 ditësh në krye të ministrisë (sadriazem), u largua, iku dhe u fsheh. Më 1032/1622 për të dytën herë zgjedhet sadriazem. Pasi qëndroi 7 muaj në këtë pozitë, përsëri u largua. Sado që prapë u fsheh, u gjet kur hypi në fron Sulltan Murati IV në vitin 1033/1623. U dënua me vdekje.Për personat që do të burgoseshin dhe do të dënoheshin, njerëzve të vet zakonisht në gjuhën shqipe u thonin merre (turq. al¢n – lexo allën), prandaj, ky u bë i njohur me këtë ofiq .
MIMAR SINANI
Ishte njëri nga më të talentuarit dhe më të njohurit të mimarëve (arkitektëve që jetoi në Perandorinë Osmane . Xhamia Sulejmanije, e cila sot është vepër e përkryer dhe e jashtëzakonshme, është argument i mjaftueshëm që tregon aftësinë dhe talentin e tij në artin e arkitekturës. Në kohën e Sulltan Sulejman Ligjdhënësit u zgjodh sermimar (kryearkitekt). Përveç xhamisë së përmendur ka projektuar edhe rreth 400 (katërqind) xhami dhe ujësjellësa dhe shumë e shumë objekte të tjera. Në afërsi të Aga Kapisë me emrin e tij u pagëzua një xhami, një mekteb dhe një rrugë. Edhe mahalla (lagja) është e njohur me emrin e tij. Vdiq në vitin 996/1587, në moshën mbi njëqind vjeçare. Është varrosur në tyrben (mauzoleun) e posaçëm në oborrin e xhamisë .
MIRAHOR ILIAZ BEU
Është nga njerëzit e Ebu-l-Fet’h Sulltan Mehmed Hanit II dhe Sulltan Bajazitit. Është stërgjyshi i autorit të ngratë nga nëna dhe themelues i qytetit të Korçës që gjendet në vilajetin e Manastirit. Iliaz beu ishte një trim i fshatit Petarjet të kazasë së Permetit të vilajetit të Janinës. Në ekspeditën e Sulltan Murat Hanit II, që ndodhi në territoret e Shqipërisë, u muar t’u shërbejë sulltanëve. Pranoi fenë e ndershme islame. Duke u stërvitur dhe, duke marrë gradë pas grade si në kohën e padishahut të lartpërmendur, si në kohën e Sulltan Mehmedit II, u përgatit për pushtimin e Stambollit. Në rrethinën e Jedi Kulës, me lejen e padishahut të tij, një kishë e pat kthyer në xhami, e cila tani është e njohur me emrin Xhamia e Mirahorit ose Xhamia e Kishës. Pranë saj gjendet edhe një teqe dervishësh. Ishte bërë edhe lala (këshilltar, edukator) i Sulltan Bajazit Hanit II. Kur erdhi në fron Sulltani i posapërmendur, qe bërë mirahor i parë. Pas një kohe u pensionua dhe iu dha pasuri (çiflik) në fshatin Pitarjet (që ishte vendlindje e tij) dhe në disa fshatra përreth. Kur u kthye në atdhe, e bleu dhe menjëherë e prishi një manastir të bukur i cili gjendej në brendi të çiflikut të tij dhe në vend të këtij manastiri e ndërtoi një xhami një imaret-han (kuzhinë publike humanitare) një medrese dhe disa ndërtesa të tjera. Kështu i vuri bazat e qytetit të Korçës. Pastaj, u gjend në vilajetin e Janinës dhe në detyra të tjera. Çifliqet i la vakuf, dhe i autorizoi fëmijët e vet meshkuj të udhëheqin në to. Vakufi i përmendur tash udhëhiqet nga bejlerët e Korçës, të cilët janë trashëgimtarë të tij. Nga dy fëmijët e tij, i madhi Ine beu (ka një xhami në rrethinën e Jeni Kapisë që lidhet me emrin e tij) u vra në frontin e Bagdadit, kurse tjetri u bë mytevelli i vakufit në Korçë. Mirahor Iliaz Beu konsiderohej si njeri i shenjtë. Ç’është e vërteta, për të tregohen gjëra të çuditshme. Gjoja se Sulltan Bajaziti kur e pensionoi atë, e urdhëroi të marrë një kafshë nga Has-ahuri, t’i hipë asaj dhe i premtoi se do t’i japë pasuri aq tokë sa do të mundet të sillet me të një kohë të caktuar. Ky e zgjodhi dhe e mori një mushkë të shpejtë. Kjo mushkë posa përfundoi të sjellurit nëpër vendet që dëshiroi mirahori, plasi dhe u shndërrua në gur, ndërsa nga brenda filloi t’i rrjedh shkumë. Edhe në rrethin e Korçës haset një gur si mushkë e shtrirë dhe rrjedh uji i bardhë si shkuma nga kërthiza. Legjenda që u përmend duhet të ketë lindur nga kjo ngjashmëri. Iliaz beu vdiq në vitin 917/1511 dhe tyrbja e tij gjendet pranë xhamisë në Korçë .
MUHTAR PASHA
Ishte nga vezirët (ministrat) në kohë e qeverisjes së Sulltan Mehmed Hanit II. Është i biri i Ali Pashë Tepelenës. Ishte mytesarrif në Athinë e cila gjendej nën qeverisjen e babait të tij. Babai i tij u shpall fermanli. Kur u rrethua në Janinë, bashkë me Veli Pashën i cili ishte mytesarrif në Terhallë dhe vëllezërit e tjerë, sado që kërkuan strehim nga shteti, pas vdekjes së Ali Pashës, edhe këtyre ua prenë kokat dhe i dërguan në Stamboll. Është varrosur jashtë Topkapisë .
MUIDI
Nga poetët e shekullit të dhjetë sipas hixhretit janë dy personalitete me këtë pseudonim:I pari, nga këta, është nga Tetova. Babai i tij ishte muid-zade nga muderrizët e kohës së Sulltan Bajazit Hanit. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, kishte shkruar shumë poezi. E ka lënë pas vetes edhe një “Hamse”.
MURAT PASHA
Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Mehmed Hanit IV dy herë kaloi në postin e kryeministrit. Është me origjinë shqiptare. E lëshoi vendlindjen dhe me të ardhur në Stamboll hyri në ushtrinë e jeniçerëve (Yeniçeri oca¤i), ku më pastaj duke marrë gradë pas grade, u bë çorbaxhi. Në ekspeditën ushtarake të Bagdadit u bë kul-kethuda (lexo: ket-huda) e pastaj sekban-bashë. Duke i parë sukseset dhe shërbimin e mirë të tij në pushtimin e Kretës, Sulltani i lartpërmendur e emëroi aga të jeniçerëve. Në vitin 1058/1649 u avancua në gradën e kryeministrit (sadriazem). U përpoq të përmirësojë korpusin e jeniçerëve të cilit i takonte, të nënshtrojë me forcë disa grupe të ushtarëve; të largojë disa kryekomandantë (ser-amidan) të grupeve të përmendura, pastaj tentoi të kalojë në vend të Kara Çaushit i cili ishte aga i jeniçerëve. Mirëpo, pas të gjitha këtyre, duke kuptuar se nuk do të ketë forcë të rezistojë në këto që u përmendën, pas pesëmbëdhjetë muajsh si kryeministër (sadriazem), më 1060/1650, duke kërkuar falje, kërkoi të shkojë në ejaletin e Bodinit. Kërkesa e paraqitur e tij u pranua. Pasi qëndroi si vali i Bodinit tre vjet, pra, më 1063/1652 u largua nga puna dhe erdhi në Stamboll. Më pastaj, d.m.th. më 1064/1653 përsëri vjen në pozitë dhe emërohet kapedan i marinës (kapudan-i derya). Kur del në Detin e Bardhë me flotën ushtarake të shtetit Osman dhe, duke shpartalluar ushtrinë e Venedikut që e mbante gjirin e Bosforit, duke ngritur lart famën dhe fuqinë e shtetit, fitoi simpati dhe dashuri te sulltani i tij. Mirëpo, meqë organizoi grupe të jeniçerëve dhe ushtarë që të çohen kundër Ibshir Pashës i cili ishte kryeministër, mu për këtë shkak dënohet me burg. Më vonë, pra më 1065/1654, për të dytën herë kaloi në pozitën e kryeministrit. Pas tre muajsh në këto pozita të larta, përsëri, duke kërkuar falje, emërohet nëpunës në ejaletin e Damaskut. Duke shkuar në vendin e punës, vdes në Hamma. Ishte një vezir i mençur dhe i aftë .
MUSA QAZIM PASHA
Është njëri nga poetët më të famshëm të periudhës së fundit osmane.Sidomos u shqua me elegjitë dhe satirat etj. Lindi në vitin 1237/1821 në kasabanë e Konicës në Shqipëri. Së bashku me babain e vet, Hysejn beun, shkoi në Stamboll. Pasi mbaroi shkollën dhe pasi u aftësua bukur mirë, vazhdoi të punojë në zyrën e Divan-i Hymajun-it (Këshill i lartë në Perandorinë Osmane që vepronte në pallatin e Sulltanit), pastaj në një zyrë të veçantë të tij dhe në zyrën e Sekretariatit financiar. Më pastaj me veprimtarinë e tij filloi karierë të veçantë ushtarake. Me talentin e tij të lindur për një kohë të shkur-tër arriti të punësohet në Sekretariatin që kishte të bëjë me livatë (kra-hinat), e pastaj në Sekretariatin ushtarak dhe kështu, gradualisht fitoi gradën e lartë ferikli (gjeneral). Oratoria e madhe e tij arriti efekte dhe ndikime të mëdha. Dashuria e madhe ndaj familjes së Hazreti Muhammedit e futi në tarikat (mbase në sektin shiit – M.P.), Një pjesë e rëndësishme e poezive të tij janë poezi panegjirike, elegji, ndërsa disa poezi të tij përmbajnë lutje, dua e të ngjashme. Ja disa vargje nga poezia e tij(të cilat po i japim në gjuhën shqipe me një përkthim të lirë):Dashuria e rrufeshme dhe deti i pafund të shqetësojnëNjë margaritar i çmueshëm u bë i dukshëm në kohën e tijTha u dukën lulet e para që e ndryshojnë karakterinNë njërën është drita e Muhammedit në njërën drita e Aliut .
MUSTAFA PASHA
Në kohën e sulltanatit të Sulltan Javuz Selim Hanit dhe të Sulltan Sulejman Hanit arriti gradën vezir i dytë. Është shqiptar. U martua me motrën e Sulltan Sulejmanit. Kjo lidhje familjare me anë martese bëri që ky edhe më tepër të respektohet nga ana e Sulltanit. Ishte një vezir i mençur, i shkathët dhe shumë i guximshëm. Në luftërat me Hungarinë dhe në rrethimin e Rodosit bëri shërbime të mira. Më 928/1521 qe bërë vali i Egjiptit (Misirit). Kur mbërrini atje, mori pjesë në një kryengritje kundër ushtrisë së mbetur çerkeze. Luftoi kundër tyre. Përsëri e pushtoi territorin e Egjiptit. Pasi vendosi paqë dhe qetësi, pasi qëndroi si vali aty tetë muaj e gjysmë, erdhi në Stamboll. Në 935/1528, kur bëhet vezir i dytë, vdes. U varros në oborrin e xhamisë që e kishte ndërtuar në Gekboza .
MUSTAFA PASHA
Ishte nga kryeministrat (sadrazemët) e kohës së Sulltan Mustafa Hanit III. Ishte nga Manastiri. Në fillim ishte iç-mehter. Arriti pozita të larta shtetërore; u bë kapuxhi-bashë dhe më 1103/1691 aga i jeniçerëve, e më pastaj u emërua muhafiz në Baba-Dagi. Pa kaluar shumë kohë u avancua në gradë të vezirit. Së pari në Anadoll, e pastaj, më 1108/1696 u emërua serdar dhe vali në Dijarbekir. Për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve të tij të çuditshme e hidhëroi padishahun e tij, por me ndërmjetësimin e shejhul-islamit (myfti), Fejzullah efendiut, u dërgua në kufirin e Bosnjës dhe u përqëndrua në kalanë e Boçillit, ku do t’i mjaftonte grada e vezirit. Më 1109/1697 u fal dhe u kthye përsëri në detyrë të vezirit. Kështu qe caktuar vezir në ejaletin e Bosnjës, pas një viti në ejaletin e Rekka-së, e pastaj në atë të Bagdadit. Në vitin 1112/1700, duke qenë në gradën e serdarit, u çmua lart në punën që bëri në përmirësimin e shtratit të lumit Dijale në kohën e nënshtrimit të Basrës. Më 1113/1701 transferohet në ejaletin e Anadollit, ndërkaq në vitin 1114/1702 avancohet edhe në gradën e kryeministrit. Ishte i padijshëm (lexo: i pashkolluar – M.P.), këmbëngulës dhe në një mënyrë i çuditshëm. Duke e mërzitur popullin me qëndrimet dhe sjelljet e çuditshme, si p.sh. duke ua ndryshuar veshjen grave ose duke urdhëruar të rrihen me një mijë shkopinj për një gabim, katër muaj pas një veprimi të këtillë, në moshën pesëdhjetëvjeçare dënohet me vdekje. E merr dënimin e merituar .
NAMI
Nga poetët e Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë janë pesë personalitete me këtë pseudonim:I dyti nga këta është nga Shkupi. Ishte i njohur me emrin Bekli Memi .
NASUH-ZADE ALI PASHA
Është nga kapedanët e kohës së sulltanatit të Sulltan Mahmut Hanit II. Është ulqinak172a. Edhe pse ishte kapedan i Galeonit, u bë kapedan i Perandorisë Osmane. Ndonëse ishte muhafiz në muhafezllëkun e Ujrave të Ulqinit, me një pjesë të anijeve të marinës së Perandorisë Osmane, më 1237/1821 u bë kapedan-i derja (admiral) në vend të Deli Abdullah Pashës, dhe atëherë grekët që ishin në kryengritje, meqë e kishin rrethuar Sakëzin nga rruga detare nën komandën e Kanariut të famshëm, me flotën shkoi në ato anë. Në luftën që u zhvillua ndërmjet tyre, i detyroi grekët të tërhiqen. Sado që e çau rrethimin dhe barrikadën, këta gjatë natës u afruan fshehtas dhe ia dhanë zjarrin flotës së tij. Ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, u hodh në det dhe, pas një përpjekje, u mbyt në ujë. Sipas një varianti tjetër doli në breg, por e vranë disa gjakpirës dhe ia kishin hedhur trupin në det.Të nesërmen ia kishin gjetur kokën të prerë dhe ashtu e kishin varrosur. Në funksionin kryekapedan qëndroi 8 (tetë) muaj172b .
NEHARI
Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte nga Prizreni .
NESIRI (Tahir Dede)
Është poet dhe baba i tarikatit (sektit) të bektashizmit. Është nga fshati Frashër në Shqipëri që është vendlindja e autorit të ngratë (Sami Frashërit – M.P.). Pasi shëtiti një kohë të gjatë nëpër vendet e Perandorisë dhe pasi i vizitoi vendet e shenjta (shkoi në haxhillëk) u kthye në katundin e lartpërmendur (në Frashër – M.P.) dhe themeloi një teqe të madhe dhe përparimtare . Vdiq në vitin 1250/1834. U varros në tyrben pranë teqes së tij. Përveç shumë poezive në gjuhën shqipe, Nesibi shkroi edhe shumë gazele (vjersha lirike) në gjuhën turke dhe në gjuhën persiane. Kur po kthehej në mëmëdhe, u ndal në kasabanë e Leskovikut. Kur shejhat e atyshëm i shtronin pyetje, ky aty për aty u përgjigjej me vjersha .
NUHI
Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është prishtinas. Ishte në kabinetin e Sulltan Mehmedit, njëri nga shehzadet (princat, pasardhësit) e Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit. Kur vdiq shehzadeja i lartëpërmendur, iu bashkua sekretarëve të Divan-i Hymajunit (Oborri i Sulltanit). Në ekspeditën e Vanit ishte në funksion të lartë në Oborrin e Sulltanit, mirëpo, vdiq .
OMER PASHE VRIONI
Ishte nga fshati Vrion i kazasë dhe sanxhakut të Beratit në Shqipëri. Shkoi në Egjipt si ushtar dhe atje duke marrë grada njërën pas tjetrës, u gjend edhe në vilajetin e Egjiptit të Mehmed Ali Pashës, me gradën e mirmiranit. Mirëpo, pastaj, duke rënë në mosmarrveshje me pashën e sipërpërmendur, u kthye në Janinë dhe vihet në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Meqë Ali Pasha u shpall fermanli, e la edhe këtë dhe u bashkua me Hurshid Pashën i cili ishte dërguar mbi Ali Pashën. Më 1236/1821, pas Ali Pashës, bëhet vali i Janinës me gradë të vezirit. Në këtë detyrë qëndroi katër vjet. Fëmijët e tij, Hysejni dhe Karamani u bënë mytesarrif në Berat dhe në liva (krahina) të tjera. Bejlerët e Beratit të tashëm (lexo në kohën e Samiut – M.P.) janë nipërit dhe stërnipërit e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu .
OHËRLI HASAN PASHA
Është nga vezirët që arriti në funksione të larta në ministri në kohën e Sulltan Osman Hanit II. Është djali i një spahiu nga Ohri . U rrit dhe u kalit në kopshtin e pallatit të Sulltanit. U bë bostanxhi-bashë, kurse në ekspeditën e Revanit aga i jeniçerëve e pastaj bejlerbe i Rumelisë. Kur u kthye në Stamboll, u shpërblye me gradën vezir i katërt. Në vitin 1030/1620 kaloi në postin e sadriazemit. Pas pesë muajsh në këtë post, u akuzua se nuk i doli në ndihmë Karakash Mehmed Pashës i cili u vra në luftën e Hotinit , prandaj u largua nga detyra. U vra në mosmarrëveshjen që u paraqit po në këtë vit. U varros në Beshiktash, afër tyrbes së Jahja efendiut. Në Ohër ka lënë pasuri materiale për qëllime bamirëse (hajrate) .
PATRONA HALIL
Është shqiptar. Ishte nga eprorët e jeniçerëve të kohës së Sulltan Ahmet Hanit III. Në një lëvizje (kryengritje) që e organizoi , së bashku me disa bashkëmendimtarë të tij, u vra nga Halil Pehlivani, aga i jeniçerëve, dhe nga shokët e tij .