Handke shpallet person non grata në Kosovë
Kosova ka shpallur non grata shkrimtarin e diskutueshëm austriak Peter Handke, i cili fitoi edhe Çmimin Nobel për Letërsinë. Lajmi u bë i ditur nga zv/kryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm në detyrë, Behghet Pacolli.
Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm.“Sot kam vendosur të shpall Peter Handke si jo të mirëpritur në Kosovë. Ai është një person non-grata nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm,”- shkroi ai. Më herët gjatë ditës Asambleja e Kantonit të Sarajevës miratoi njëzëri një deklaratë duke e shpallur zotin Handke të padëshiruar, pasi që tha në një intervistë të fundit se mund të vizitojë rajonin autonom serb në Bosnje, vitin e ardhshëm. "Vizita e tij e mundshme në atdheun tonë ... do të shkaktonte zemërim shtesë dhe poshtërim të të gjitha viktimave," thuhet në deklaratë, në të cilën dënohet ndarja e çmimit Nobel për një "mohues të gjenocidit". Qindra veta protestuan të martën mbrëma në Stockholm kundër ndarjes së këtij çmimi. Ndërkohë si Kosova, ashtu edhe Shqipëria e kanë bojkotuar ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel. Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke shkaktoi zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se Hanke mbështeti zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Akademia e Shkencave të Kosovës ka kërkuar që të anulohet Nobeli për Handken. Akademia e Shkencave të Shqipërisë në një letër, drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi e quajti akt të rëndë të dhunimit të vlerave njerëzore.