Daçiq do të përfundojë në burg, i shiti armë ISIS-it
Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj ka akuzuar shefin e diplomacisë serbe Ivica Daçiq se qëndron prapa krimit të organizuar serb dhe se ka shitur armë edhe për organizatën terroriste të ISIS.
Në një postim në Facebook, Zyberaj shkruan se prej kohësh janë të informuar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë se Daçiq është njeriu nga Ballkani që shet armë serbe në ISIS dhe ai është nën hetim nga një vend i rëndësishëm perëndimor. “Duke e kamufluar këtë qëllim me atë se gjoja po bën betejën kundër Kosovës, Ivica Dacic është përpjekur të fitojë poenë politikë në Serbi. Mirëpo, përtej kësaj, ai fitoi vetëm miliona euro nga kontrabandistët. Maska e tij po çirret ngadalë dhe, së shpejti, ai do të përfundojë në burg”, shkruan Zyberaj. Akuza ndaj shefit të diplomacisë serbe ka adresuar sot edhe opozita serbe. Marinka Tepiq, nënkryetare e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë “SSP”, ka akuzuar ministrin serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, se ka mbledhur para nga biznesmenë dhe tregtarë armësh për të tërhequr njohjet e Kosovës, duke shtruar pyetjen nëse në këtë mënyrë ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Ajo ka thënë se i tërë operacioni për tërheqjen e njohjeve të Kosovës ka qenë e përcjellë me mbledhje të fondeve nga biznesmenë dhe tregtarë armësh, dhe që policia dhe prokuroria duhet hetuar pronën e Nikolla Nedelkoviqit, që është shef kabineti në ministrinë e Punëve të Jashtme në Qeverinë e Serbisë dhe personave tjerë të lidhur me të.