Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës
Sot është përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me këtë rast stafi i Radios Shqiptare nga Irani i uron popullit të Kosovës Ditën e Pavarësisë.
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovë qytete e ndryshme të vendit po zhvillojnë aktivitete të ndryshme për manifestimin sa më madhështor të kësaj dite. Në vazhdim po sjellim aktivitetin që u zhvillua në lidhje me simbolin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë.
Në vitin e 12-të të shpalljes së pavarësisë, NEWBORN - simboli i Pavarësisë së Kosovës i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me qëllim të rritjes së vetëdijes së popullatës për gjendjen e të mbijetuarve, por veçanërisht luftimin e stigmës dhe mobilizimin për më shumë mbështetje për të mbijetuarit.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha këtë vit NEWBORN i dedikohet një kategorie të ndjeshme, ku në secilën nga shkronjat janë të ndërthurur rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale kudo në botë.
Rushiti: Shoqëria kosovare të ndalet së paragjykuari viktimat e dhunës seksuale
"Mendojmë që një herë e mirë shoqëria kosovare do të ndalet së paragjykuari dhe të anashkalojë vuajtjet që kanë përjetuar viktimat e dhunës seksuale. Falënderoj kryetaren e Kuvendit të Kosovës që i është bashkangjitur fushatës sonë, me qëllim që përtej shoqërisë civile dhe shoqërisë kosovare, për të parë dhe lexuar rrëfimet e dhunës seksuale. Zëri i të mbijetuarve të dëgjohet në Parlamentin e Kosovës dhe institucionet e Kosovës", deklaroi Rushiti.
E, Vjosa Osmani që udhëheq Kuvendin e Kosovës konsideron se zëri i secilit qytetar të Kosovës për të luftuar stigmën është i nevojshëm, në mënyrë që të nderohet sakrifica dhe përjetimet e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Osmani: ‘Dua që plaga ime të ketë zë’
"Njëra prej tyre më bëri përshtypje. Thotë: "Dua që plaga ime të ketë zë". Dëshiroj edhe një herë të zotohemi që ajo plagë të ketë zë, sot e përgjithmonë. Do të ketë zë në institucionet e Kosovës, do të ketë zë në institucionet ndërkombëtare, ashtu si zëri në Kongresin amerikan i Vasfije Krasniqi-Goodman, ashtu siç i dha zë këtyre dhimbjeve Shyhretja, po ashtu çdo ditë zonja Kadire. Prandaj zotohemi bashkë që në Kuvendin e Kosovës do të jetë vendi ku do të kumbojë çdo ditë zëri i plagëve, vendi ku do t’i tregojmë botës për dhimbjet e këtyre grave", tha Osmani.
Ajo tha se është borxh i secilit qytetar të përkrahë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pasi kjo betejë ende nuk ka përfunduar.
Vëllai i Vasfijes, Nafi Krasniqi kërkoi nga të gjithë që të mbështesin viktimat e dhunës seksuale, pasi sipas tij deri më tani nuk është bërë mjaftueshëm.
Krasniqi: Kemi bërë shumë pak për viktimat e dhunës seksuale
"Nëse është dikush që ka vuajtur shumë pas luftës, 12 vite pas pavarësisë është pikërisht kjo kategori e grave dhe burr ave që kanë fatin e keq. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve t’i mbështesin për shkak se ajo që u ka ndodhur atyre nuk është turp, por turpi më i madh është se ne si shoqëri kemi bërë shumë pak", tha Krasniqi.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, supozohet se janë dhunuar afër 20 mijë gra e burra. Ata që kanë shkaktuar këto dhunime, ende nuk kanë gjetur dënimin e merituar.
Në nderim të viktimave të dhunës seksuale, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e tyre dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar y u përkulën sot edhe para memorialit "Heroina". (RTK)